Sezoni i Tiranës luhet në derbi, presidenti Halili kërkon medoemos fitimin e Kupës
Sezoni i Tiranës hyn në fazën më delikate dhe vendimtare. Në vetëm 270 minuta, bardheblutë do të luajnë fatet e tyre në kampionat dhe Kupë, në një treshe ndeshjesh që mund të ndryshojnë rrënjësisht ecurinë e skuadrës.

Të shtunën, Tirana përballet me Dinamon në derbin e radhës së kampionatit, një sfidë që shkon përtej tre pikëve. Më pas vjen ndeshja e Kupës ndaj “nëndetëses”, përpara përballjes së zjarrtë me Partizanin në kampionat. Tre takime, tre prova të mëdha, ku çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë. Nga një fitore ndaj Dinamos dhe Partizanit do t’i jepte frymëmarrje ekipit, duke e larguar nga zona e rrezikut dhe duke e rikthyer në garë për pozicione më të larta në renditje. Qetësia dhe besimi do të riktheheshin në kampin bardheblu, pas një sezoni me luhatje të shumta.
KUPA – Vëmendja është edhe te Kupa. Një sukses në këtë kompeticion do të mbante gjallë ëndrrën europiane. Presidenti Refik Halili e ka të qartë objektivin, fitimi i trofeut dhe sigurimi i një bilete për në Ligën e Konferencës. Pikërisht për këtë arsye u investua ndjeshëm në merkato gjatë muajit janar, me synimin për të ndryshuar kursin e sezonit. Në të kundërt, një eliminim nga Kupa dhe hapa fals në derbet e kampionatit do ta komplikonin ndjeshëm situatën e Tiranës, duke e futur sërish në një vorbull presioni dhe pasigurie. 270 minuta që vlejnë sa një sezon i tërë. Për Tiranën, tani nuk ka më vend për gabime.
KALENDARI – Tirana hyn në një periudhë të ngjeshur të sezonit, me disa sfida vendimtare që do të përcaktojnë ecurinë e bardhebluve në Superiore dhe në Kupë. Derbi i parë i muajit, më 7 shkurt, përball Dinamon në kryeqytet, një ndeshje që gjithmonë sjell emocione dhe rivalitet të madh. Vetëm katër ditë më vonë, Tirana do të ketë mundësinë për të kërkuar një avantazh edhe në Kupë ndaj të njëjtit rival, duke synuar kalimin në fazat e mëtejshme. Më 15 shkurt, bardheblutë do të përballen me Partizanin, një tjetër derbi i kryeqytetit që gjithmonë ka vendosur ritmin e sezonit.
Pas tij, më 21 shkurt, Tirana do të presë Teutën në një sfidë që duket më e qetë në letër, por që kërkon përqendrim maksimal për të siguruar tre pikët. Transferenca e 28 shkurtit ndaj Vllaznisë në Shkodër duket më sfiduese, pasi shkodranët janë gjithmonë një kundërshtar i vështirë në fushën e tyre. Më pas, më 4 mars, Tirana do të mbyllë muajin me pjesën e dytë të sfidës në Kupë ndaj Dinamos, ku çdo detaj do të ketë rëndësi, veçanërisht nëse ndeshja shkon në shtesë ose me penallti. Ky kalendar tregon se Tirana duhet të menaxhojë mirë forcat, duke balancuar lojtarët e gatshëm dhe ata që rikuperohen nga dëmtimet, për të dalë e fortë nga një periudhë e rëndësishme dhe e vendosur për titull.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













