Ruci: Formacioni s’është me… pasaportë. Vlonjatët i rikthehen traditës, Gjoka nuk lëviz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2014 | 9:03

Ruci: Formacioni s’është me… pasaportë. Vlonjatët i rikthehen traditës, Gjoka nuk lëviz

Vasil Ruci bisedon me Ernest GjokaVasil Ruci, ish-trajner i Flamurtarit, aktualisht menaxher për përzgjedhjen e talenteve pranë Akademisë së Flamurtarit, gjatë një interviste dhënë për “Panorama Sport” ka analizuar të gjitha zhvillimet më të fundit në kampin kuqezi. Ish-futbollisti i shquar beson te ky ekip, ndërsa thekson se nuk do të ketë ndryshime te stafi teknik, ashtu sikundër do të ketë penalizime për lojtarët nëse dalin jashtë objektivit: tre vendeve të para.
Zoti Ruci, si e vlerësoni aktualisht ecurinë e Flamurtarit në këtë start të kampionatit?
Flamurtari është në një rrugë të mbarë. Kemi 7 pikë në 4 ndeshje, ndërsa kemi dominuar në fushë si në aksione ashtu edhe në kërkim të topit. Ekipi po funksionon mirë. Edhe në sistemin mbrojtës, kundërshtarët nuk kanë shënuar raste dhe jo më të shënojnë gol. Është një ekip në korrigjim dhe në ndërtim. Flamurtari po i kthehet traditës që nga aksionet, mënyra e vendosjes së lojtarëve në fushë. Ne jemi në kërkim të lojës dhe Flamurtari po shkon te loja e vet. Ky është një ekip me garanci.
Duke qenë se ju jeni zyrtar kryesor në Klubin e Futbollit Flamurtari, a mund të na zbuloni objektivat e këtij sezoni?
Objektivi është nga vendi i parë deri tek i tretë. Në kontratën që është nënshkruar, futbollistët do të kenë penalitete nëse nuk arrihet objektivi.
Cilat janë këto penalitete?
Janë të përcaktuara qartë në kontratë. Nuk jam unë kompetenti për t’i zbuluar ato.
Mund të flasim për lëkundje të pozitave të stafit teknik?
Kur në Vlorë punët ecin mirë, neve na diskutojnë dhe na ngacmojnë. Trajneri ka kontratën e tij dhe nuk largohet. Hiqeni nga mendja, Ernest Gjoka do të vazhdojë që të jetë trajner. Ai na solli në Vlorë Kupën e Shqipërisë me gjysmë ekipi.
Shohim që pas blerjeve, disa lojtarë vendës janë ulur në sot…
Futbolli sot nuk ka pasaportë, por ka futbollistë profesionistë dhe amatorë. Të ndahemi nga kjo histori. Njerëzit që janë profesionistë mund t’i marrësh kudo, pasi shfaqjen e bukur e jep më i miri. Te Flamurtari ka vlonjatë që luajnë, si Veliu dhe Telushi, por ka edhe në pankinë. Kush luan, duhet ta meritojë.
Abilaliaj ka qenë gjithnjë titullar, por me Vllazninë nuk ndodhi kështu. Keni ndonjë koment?
Abilaliaj ka tre muaj e gjysmë që stërvitet dhe mbulon i vetëm ndeshjet. Ka ardhur koha që edhe ai të çlodhet. Ne e gjykojmë si spektator, por është trajneri që vendos. Mos më doni edhe mua në fushë tani?! Ai vlonjat që e meriton, nuk i hiqet e drejta. Nëse janë të dy të barabartë, një vlonjat dhe një tjetër, vlonjati t’ia lërë vendin tjetrit. Pa dyshim këto janë vendimet e trajnerit dhe ne duhet t’i respektojmë ato.
Por këto nuk janë rezultatet e pritshme?
Kjo punë që ka filluar do t’i japë frytet hap pas hapi. Ndaj Vllaznisë dhe Tiranës kishim raste. Duroni të shikoni, ky ekip ka administruar futboll dhe cilësi në këto ndeshje. Ka filluar një erë e re dhe një strategji e re. Të gjithë futbollistët kanë kontratë 2 plus 1, që do të thotë se do të qëndrojnë tre vjet. Nuk është ekip emergjence ky, por do të ketë një të ardhme të gjatë dhe të suksesshme. Ne si tifozë apo vlonjatë nxitojmë, për tre muaj duam kampionatin apo profesionalizmin. Jo, nuk funksionon kështu, prisni!
Këtë javë luhet me Elbasanin. Si e parashikoni këtë sfidë?
Këtë javë luajmë me Elbasanin, por kjo ndeshje nuk është gur prove. Provë është ndeshja e fundit e kampionatit për stafin dhe lojtarët. Investimi është afatgjatë dhe jo si e kanë ekipet e tjera. Projekti i Flamurtarit, që të kënaqen njerëzit, është afatgjatë. Çdo gjë ka kohën e duhur. Mund të ketë korrigjime edhe në dhjetor, por këtë e di më mirë stafi teknik. Unë di t’ju them se 4 ndeshjet e para janë administruar nga ekipi.
Janë afruar lojtarë të rinj në sulm. Mendoni se ka ndryshuar loja e Flamurtarit?

Sulmuesit i kemi cilësorë që të tre, por dhe terreni nuk të lë ndonjëherë. Por të tilla janë kushtet. Unë kam bindjen se të gjithë ia dinë forcën Flamurtarit. Ne po luajmë futboll latin, siç është tradita jonë në Vlorë dhe kjo arrihet me kohë. Kjo do të jetë edhe garanci në vijim.
Cili është komenti juaj për dhunën në futboll?
Ju e keni parë ndryshimin këto kohët e fundit te Flamurtari. Është hera e parë që në Vlorë shikoj duartrokitje dhe jo sharje e ofendime. Mesazhi që dhamë me hapjen e banderolës, ku dënonim dhunën, ishte paqësor. Ky është një veprim profesionistësh. Institucioni po ndërtohet jo vetëm në fushë, por edhe me njerëzit brenda klubit. Nuk ka rëndësi del apo jo kampion, i rëndësishëm është profesionalizmi që tregon. Duam të afrojmë femrat në stadium. Bashkëshortja ime, 35 vjet unë në futboll, nuk ka ardhur 1 herë në stadium nga ato që ndodhin. Institucioni është ai që vë rregulla, ligje dhe që administron. Me ardhjen e kompanive turke po krijohet institucion, si nga investimet që po bëhen, por edhe në mënyra e sjelljes së tifozëve. Në fund të kësaj shfaqjeje, edhe nëse barazojmë apo humbasim, të mbetemi të kënaqur brenda fushës së futbollit. Ta shikojmë futbollin si diçka që një ditë të trokasim në dyert e Europës si europianë. E dënojmë dhunën dhe kategorikisht distancohemi prej saj!
ERMAL SIKA