Rrogozhinasit bëhen gati për ndeshjen ndaj Bylisit! Albanese lider i sulmit, Egnatia me mungesa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2026 | 12:12

Rrogozhinasit bëhen gati për ndeshjen ndaj Bylisit! Albanese lider i sulmit, Egnatia me mungesa

Egnatia po vijon me intensitet përgatitjet për përballjen e kësaj fundjave ndaj Bylisit, një ndeshje që konsiderohet vendimtare për ecurinë e mëtejshme të skuadrës në kampionat.

egnatia

Në ambientet e skuadrës rrogozhinase ndihet qartë serioziteti dhe përqendrimi maksimal, teksa objektivi është i vetëm dhe i panegociueshëm: fitorja. Pavarësisht mungesave që kanë shoqëruar ekipin në këtë periudhë, askush brenda grupit nuk kërkon alibi. Futbollistët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij takimi dhe për përgjegjësinë që mbajnë në këtë fazë të sezonit. Trajneri Tetova po punon jo vetëm në aspektin taktik, por edhe në atë psikologjik, duke kërkuar që skuadra të hyjë në fushë me mentalitet fitues dhe me besim të plotë në forcat e veta.

MUNGESA E GOLEADORIT – Një nga problemet më të dukshme për Egnatian këtë edicion ka qenë mungesa e një goleadori të mirëfilltë, një lojtari që të marrë përsipër peshën e repartit ofensiv dhe të bëjë diferencën në momentet kyçe. Mjafton të shihen shifrat për ta kuptuar këtë realitet: shënuesi më i mirë i ekipit është Alesandro Albanese me 7 gola, një numër relativisht i ulët për një skuadër që synon objektiva të mëdha. Pas tij vjen Balajoko me 5 gola, por që nuk ka pasur vazhdimësinë e duhur në aktivizim. Dihet se për shkak të disa direktivave të klubit, ai nuk është shfrytëzuar aq sa pritej, çka ka ndikuar edhe në mungesën e alternativave të qëndrueshme në sulm. Ndërkohë, Nikola Buriç dhe Fernando kanë realizuar nga 4 gola secili, duke dhënë kontributin e tyre, por pa arritur të krijojnë atë impaktin që kërkohet nga një “bomber” i vërtetë. Kjo shpërndarje golash tregon se skuadra nuk ka një pikë të vetme reference në sulm, por varet nga momentet individuale dhe forma e ditës. Megjithatë, trajneri Tetova mbetet optimist. Ai shpreson që në javët e fundit të sezonit të vijë një reagim i fortë nga lojtarët ofensivë, një “shpërthim” që mund të ndryshojë rrjedhën e ndeshjeve dhe të sjellë pikë të rëndësishme. Besimi është se cilësia ekziston, por duhet vetëm të shfaqet me më shumë vazhdimësi dhe vendosmëri përpara portës.

5 trofe në tre vite ka fituar ekipi i Egnatias. Rrogozhinasit kanë fituar 2 tituj kampionë, dy Kupa të Shqipërisë dhe një Superkupë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL