Rroga i rritet, Mala injoron klubet e tjera të Superiores dhe vendos të qëndrojë në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2025 | 19:56

Rroga i rritet, Mala injoron klubet e tjera të Superiores dhe vendos të qëndrojë në Shkodër

Esat Mala prej kohësh është një emër i “nxehtë” te Vllaznia, ku çështja e mesfushorit ka ngelur pezull. Prizrenasi mësohet se ka qenë në Shkodër së fundmi ku ka pasur një takim edhe me presidentin Alban Xhaferri.

MALA

Nëse në fillim rinovimi i 26- vjeçarit, dukej i vështirë, situata ka ndryshuar në këtë takim të fundit. Numrit “20” i është garantuar se kontrata e tij do të jetë e përmirësuar nga ana e kushteve ekonomike. Dhe duket se kjo garanci e drejtuesve shkodranë ka bërë që Mala të bëjë “një hap pas”.

Me ish-mesfushorin e Partizanit që po ashtu ka dëshirën që të qëndrojë në Shkodër dhe te Vllaznia në Superiore. Palët me siguri mund të zyrtarizojnë një marrëveshje të re në ditët e ardhshme dhe ky është një lajm që gëzon patjetër tek Vllaznia.

Kjo, pasi Mala është një nga futbollistët kryesorë jo vetëm të Vllaznisë, por mbarë kampionatit. Në edicionin 2024-25, ai zbriti 38 herë në fushën e lojës në kampionat, ku arriti të jepte kontributin e tij në 21 gola, duke shënuar 7 të tillë dhe dhuruar 12 asiste. 26-vjeçari që prej 3 sezonesh është pjesë e kuqebluve, ndihet shumë i vlerësuar në klub, por edhe në qytet. Megjithatë, pas “derës” së tij qëndrojnë shumë klube dhe shumë oferta, me Partizanin e Dritën e Gjilanit, që duket se momentalisht po këmbëngulin më tepër.

PANORAMASPORT.AL