Rreshtimi në fokus te Vllaznia, Martini ka dy plane për formacionin e Europës
Vllaznia duket se po merr formën dalëngadalë për sezonin e ri 2025- ’26, ku shkodranët pritet të paraqiten me fytyra të “reja” dhe ndryshime në formacion e po ashtu vendosje për edicionin e ri. Kështu, siç dihet, trajneri Martini preferon skemën me 3 mbrojtës në prapavijë, të mbështetur patjetër edhe nga krahët, ku vendosjet më të preferuara të shkodranit janë ato 3-5-2 dhe 3-4-3.

Duke u bazuar edhe në afrimet apo edhe largimet që kanë bërë shkodranët deri më tani, futbollistët në dispozicionin e ish-fantazistit duket se i plotësojnë “kushtet” për këto vendosje në fushë. Kështu, “Panorama Sport” ka hartuar 2 formacione hipotetike se si mund të rreshtohet Vllaznia në sezonin e ri, bazuar edhe në preferencat e skemës që përdor Edi Martini.
Kështu, porta duket se do të ketë një rivalitet të “ashpër” pasi rikthimi i Qarrit nga dëmtimi patjetër ofron më shumë opsione për portën shkodrane, e cila u mbrojt mjaft mirë nga Aron Jukaj në thuajse më shumë se gjysmën e sezonit të shkuar. Në mbrojtje pritet që “frerët” t’i marrin Kuros dhe Gurishta në prapavijë e ndërsa nga krahët emra si Hakaj, Kruja apo Jago do të luftojnë për vendet e titullarit.
Në mesfushë dhe sulm nuk ka shumë ndryshime në krahasim me sezonin e shkuar, ku emra si Krymi, Mala që rinovoi së fundmi, Qato, Sala, priten sërish protagonistë. E teksa në sulm, përveç Balajt, protagonistë priten edhe Gurda e Dodaj. Pavarësisht se ky i fundit mund të transferohet në një kampionat jashtë vendit deri në përfundimin e merkatos verore.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













