Rizvani: Kthejmë nderin në vend ndaj Laçit
Kapiteni i Teutës, Bledian Rizvani, kërkon impenjim maksimal nga skuadra e tij në përballjen e radhës me Laçin. Portieri pritet të rikthehet në kuadrat pas tri jav- ësh mungesë. “Asnjë rezultat tjetër veç fitores nuk na bën punë, prandaj duhet të mbledhim të gjitha forcat dhe ta arrijmë këtë objektiv momental që kemi”, ka thënë fillimisht Rizvani gjatë një bisede për “Panorama Sport”. Sipas tij, skuadra kurbinase duhet mundur patjetër. “Jemi të detyruar vetëm për fitore. Duhet t’i hedhim pas krahëve rezultatet e dobëta që kemi fiksuar deri në këto momente dhe të reagojmë.
Nuk është kjo Teuta që kërkojmë ne dhe tifozëria durrsake, prandaj si kapiten i bëj apel skuadrës për impenjim maksimal në këtë përballje. Të bëjmë autokritikë në sfidën me Laçin, duke rikthyer nderin në vend pas asaj humbjeje të papritur që pësuam në Elbasan”, shtoi kapiteni durrsak. Ndërkohë, Rizvani ndodhet në fazën finale të riaftësimit pas atij dëmtimi që pësoi në Vlorë. Në mungesë të Alfred Osmanit, të pezulluar nga Komisioni i Etikës, Rizvani do të sakrifikojë duke zbritur në fushë në përballjen me Laçin. “Gjatë ndeshjes me Flamurtarin pësova një dëmtim, i cili rezultoi më i rëndë se parashikohej dhe tashmë jam drejt riaftësimit.
Shpresoj që gjithçka të shkojë sipas parashikimit dhe të jem në fushë ndaj Laçit. Personalisht, do të sakrifikoj, sikurse kërkoj edhe që e gjithë skuadra të sakrifikojë sadopak për të fituar atë përballje delikate për skuadrën tonë. Laçi është një kundërshtar shumë i fortë, por ne nuk kemi alternativë tjetër veç fitores. Ka ardhur momenti t’i themi stop ecurisë negative dhe të kthehemi më të fortë se kurrë. Teuta i ka të gjitha mundësitë, ndaj dhe kjo nuk do të jetë shumë e vështirë. Një fitore e mundshme ndaj Laçit do të ngrinte moralin në skuadër dhe do të ndikonte pozitivisht sa i përket anës psikologjike. Kërkoj mbështetjen e tifozërisë, e cila nuk na ka braktisur për asnjë moment”, përfundoi portieri.













