Rishfaqet lojtari kyç i mesfushës, Teuta kërkon kthesën e madhe ndaj Vorës
Skuadra e Teutës ka lënë pas zhgënjimin e ndeshjes me Partizanin dhe tashmë i është rikthyer ritmit normal të stërvitjes, ndërsa në kampin durrsak mbizotëron bindja se sfida e radhës me Vorën duhet të shënojë rikthimin tek fitorja.

Humbja e fundit ka lënë një shije të hidhur, jo vetëm për rezultatin, por edhe për mënyrën se si u zhvillua loja, ku blutë nuk arritën ta konkretizonin dominimin e tyre me gola. Trajneri i Teutës, përmes seancave të fundit stërvitore, ka tentuar të rikuperojë jo vetëm gjendjen fizike të ekipit, por mbi të gjitha moralin e lojtarëve. Atmosfera në ekip është e qetë, ndërkohë që brenda grupit perceptohet një dëshirë e fortë për të treguar se ndeshja me Partizanin ishte vetëm një hap fals. Fokus i veçantë i teknikëve është vendosur te faza sulmuese, e cila në ndeshjen e fundit u pa se kishte nevojë për më shumë qartësi dhe vendimmarrje.
Në anën tjetër, ndeshja me Vorën shihet si një test i rëndësishëm jo vetëm për të rikthyer besimin, por edhe për të ruajtur ritmin e objektivave sezonalë. Vora ka treguar se mund të jetë një kundërshtar i rrezikshëm në momente të caktuara, ndaj Teuta nuk po e merr me lehtësi. Pranë ekipit nënvizohet se të gjitha energjitë duhet të përqendrohen në përgatitjen taktike dhe evitimin e gabimeve që u panë në sfidën e fundit. Ndërkohë, edhe tifozët durrsakë pritet të japin mbështetjen e tyre të zakonshme, duke e kthyer ndeshjen e radhës në një motivim shtesë për ekipin. Për Teutën, kjo është më shumë se një ndeshje kampionati është një mundësi për të ringritur kokën dhe për të treguar se mbeten pretendentë seriozë në garë.
ARIFI — Mesfushori i talentuar Ergis Arifi është rikthyer në stërvitje me ekipin durrsak, pasi përfundoi grumbullimin me Kombëtaren. Lojtari është paraqitur në gjendje të mirë fizike dhe ka kryer pa problem të gjithë seancën stërvitore, ndonëse stafi teknik po e menaxhon me kujdes ngarkesën për të shmangur lodhjen e tepërt pas angazhimeve ndërkombëtare. Arifi shihet si një element shumë i rëndësishëm për strukturën sulmuese të Teutës, ndërsa prezenca e tij i jep stabilitet repartit dhe alternativa të reja trajnerit Dobi.
VIDAL — Një tjetër rikthim i rëndësishëm është ai i Vidalit, i cili është bashkuar me grupin dhe ka kryer stërvitjen e plotë pa probleme. Mesfushori është një nga lojtarët që pritet të ketë rol kyç në organizimin e lojës, sidomos në ndeshje ku Teuta ka nevojë për ritëm të lartë dhe qartësi taktike në qendër të fushës. Rikthimi i tij i jep trajnerit mundësi më të shumta zgjedhjeje, sidomos në ndërtimin e një mesfushe dinamike që kërkon zotërimin e topit dhe qarkullimin e shpejtë. Pjesa tjetër e grupit, në gjendje të shëndetshme.
ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL













