Rikthim në “Arenën Kombëtare”, Vllaznia e ka stadium me fat
Vllaznia do të rikthehet të luajë një ndeshje të rëndësishme dhe me vlera për titull, sërish në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Shkodranët do të luajnë ditën e diel, në orën 20:00, kundër Dinamos, në impiantin më të madh dhe modern në vend. Ky duel është i vlefshëm për gjysmëfinalet e “Final 4”, ku kuqeblutë dhe kryeqytetasit do të jenë përballë për herë të 7-të këtë edicion. Ekipi i Brdariç ka avantazhin e kualifikimit edhe në rast barazimi falë renditjes në vendin e dytë pas 36 javësh kampionat, një shkallë mbi Dinamon.
FITORE “TË RËNDA” Statistikat për Vllazninë në këtë stadium janë pozitive për sa u përket ndeshjeve finale apo të rëndësishme që shkodranët kanë zhvilluar aty. Kështu, në sezonin 2020- 2021 në stadiumin “Arena Kombëtare” shkodranët arritën të ktheheshin të fitonin një trofe pas 13 vitesh “thatësirë”. Shkodranët mposhtnin 1-0 Skënderbeun në finalen e Kupës dhe në stol për Vllazninë ishte Tomas Brdariç. Një edicion më vonë, 2021-2022, shkodranët do të përsërisnin veten në po të njëjtin stadium e po të njëjtin kompeticion, duke u shpallur sërish fitues të Kupës në finalen ndaj Laçit me rezultatin 2-1 pas kohës shtesë.
NEGATIVE Sezonin e shkuar në gjysmëfinalen e “Final 4” ndaj Egantias, shkodranët nuk u mposhtën, duke barazuar 0-0, por pa pasur mundësinë të kapnin finalen e kampionatit për shkak se ishin renditur më poshtë se rrogozhinasit gjatë sezonit të rregullt. E vetmja “njollë” për Vllazninë në këtë stadium është në vitin 2022. Në kuadër të Superkupës së atij viti, shkodranët mposhteshin nga Tirana me rezultatin 3-2. Një disfatë, që vinte për 9 herë kampionët e vendit vetëm në minutën e 92-të, me Xhixhën, që u jepte triumfin bardhebluve. E te Vllaznia besojnë te ky “ogur” i mirë i stadiumit në kryeqytet dhe tradita tregon se kuqeblutë kanë goxha rezultate pozitive që nga rinovimi i impiantit.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













