“Rebusi” i Nuhijut, dëmtimet pjesa delikate e derbit. Trajneri i Tiranës duhet të gjejë zgjidhje taktike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2026 | 8:59

“Rebusi” i Nuhijut, dëmtimet pjesa delikate e derbit. Trajneri i Tiranës duhet të gjejë zgjidhje taktike

Tirana hyn në javën e derbit me Partizanin mes dilemave të mëdha sa i përket gjendjes fizike të disa prej lojtarëve kryesorë. Në një ndeshje që ka gjithmonë peshë të veçantë, jo vetëm për renditjen por edhe për moralin e skuadrës dhe tifozëve, trajneri Nuhiju përballet me një “rebus” të vërtetë në ndërtimin e formacionit.NuhijuÇështja më e ndjeshme mbetet ajo e Redon Xhixhës. Sulmuesi po lufton me kohën për t’u rikuperuar, por gjasat që ai të jetë 100% gati për derbin duken të pakta. Stafi mjekësor po bën maksimumin për ta rikthyer në dispozicion, por aktivizimi i tij pa qenë plotësisht i rikuperuar do të ishte një rrezik i madh. Mungesa e Xhixhës do të cenonte ndjeshëm forcën goditëse të bardhebluve, pasi ai mbetet një nga pikat referuese në fazën sulmuese. Situata e Kortez është disi më optimiste, por ende e paqartë.

Kostarikani vuan nga një dëmtim dhe shanset për të qenë në fushë llogariten 50 me 50. Vendimi përfundimtar pritet të merret vetëm në prag të ndeshjes, në varësi të reagimit të tij në stërvitjet e fundit. Nëse ai ia del të jetë gati, do të ishte një alternativë e rëndësishme në repartin difensiv, sidomos në një sfidë ku shpejtësia dhe improvizimi mund të bëjnë diferencën.

KTHIMET – Megjithatë, jo gjithçka është negative në kampin bardheblu. Ka edhe lajme pozitive për Nuhijun. Serzh Tabeku dhe Rimal Haxhiu janë rikthyer në stërvitje me grupin dhe pritet të jenë të gatshëm për derbin. Të dy munguan në përballjen me Dinamon, por tani ofrojnë më shumë alternativa në krahët e sulmit. Rikthimi i tyre i jep trajnerit më shumë fleksibilitet taktik dhe mundësi për të menaxhuar më mirë ritmin e lojës. Në këtë situatë, zgjedhjet e Nuhijut do të jenë vendimtare. Ai duhet të balancojë dëshirën për të hedhur në fushë lojtarët më cilësorë me nevojën për të shmangur rreziqe të panevojshme fizike. Derbi kërkon intensitet maksimal dhe çdo dobësi mund të shfrytëzohet nga kundërshtari. Me disa pikëpyetje ende të hapura dhe me vendime që do të merren në momentet e fundit, Tirana shkon drejt përballjes me Partizanin me një situatë jo ideale, por me shpresën se rikthimet dhe fryma e derbit do të mjaftojnë për të kompensuar mungesat e mundshme.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL