Rasti i rrallë te Pogradeci, mesfushori që u mor nga Partizani ka shënuar në tri kategori këtë sezon (VIDEO)
Kazim Ogunleje është një rast i rrallë për këtë sezon. Të dielën i mjaftuan 30 sekonda në fillimin e pjesës së dytë, për të realizuar golin që vulosi fitoren e Pogradecit ndaj Burrelit(2-0).

Për të tashmë është regjistruar një statistikë e veçantë, ndërsa prej një viti ndodhet në Shqipëri. Talenti 19-vjeçar në këtë sezon ka shënuar në Superiore, Kategori të Parë dhe Dytë. Pra në të gjitha kampionatet ku është aktivizuar.
Ogunleje shënonte fillimisht me Partizanin B ku merrte minuta, për shkak të mungesës së hapësirave tek ekipi i parë. Nigeriani gjente rrjetën ndaj Delvinës në nëntor tek “Arena e Demave”.
Goli me ekipin A të Partizanit u regjistrua me mundësinë e parë që iu dha për këtë sezon. Ogunleje u aktivizua në minutën e 87-të, ndërsa në kohën shtesë tundi rrjetën e Dajsinanit në transfertën e Egnatias.
Për shkak të mungesës së hapësirave, Partizani pranoi kërkesën e Pogradecit për ta huazuar deri në fundin e sezonit. Mesfushori me tipare sulmuese është treguar protagonist te liqenorët.
Goli me Partizanin B ndaj Delvinës: (VIDEO)
Goli me Partizanin ndaj Egnatias: (VIDEO)
Goli me Pogradecin ndaj Burrelit: (VIDEO)
PANORAMASPORT.AL













