Qetësohet Dinamo, më shumë kohë për ndeshjen e radhës dhe rikuperimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2025 | 21:26

Qetësohet Dinamo, më shumë kohë për ndeshjen e radhës dhe rikuperimet

Dinamo ia sheh “sherrin” dy përballjeve të raundit “play off” të Ligës së Konferencës me polakët e Jagiellonias. Për shkak të angazhimeve në Europë, klubi kërkoi shtyrjen e ndeshjes premierë të sezonit 2025-2026, ku kalendari u rezervonte transfertën në Durrës. Teuta dhe FSHF ranë dakord që Dinamo të ruante energjitë për sfidat europiane, duke vendosur që ndeshja e shtyrë të luhej më 5 shtator.

dinamo

Megjithatë, edhe kjo axhendë e re e zuri “gafil” Dinamon, pasi dy lojtarë dhe trajneri i portierëve janë grumbulluar nga ekipet përfaqësuese. Mbrojtësi Naser Aliji është grumbulluar nga trajneri Silvinjo për dy ndeshjet që Kombëtarja ka në fillim të shtatorit, miqësoren me Gjibraltarin dhe ndeshjen kualifikuese me Letoninë. Pjesë e kuqezinjve është edhe trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi. Ndërkohë, sulmuesi i ri Hekuran Berisha është grumbulluar nga përfaqësuesja e Kosovës U-21.

Dinamo ngriti pretekstin për një tjetër shtyrje të ndeshjes për shkak të pjesëtarëve të grumbulluar nga kombëtaret, fillimisht axhenda nuk u ndryshua, dhe dueli me Teutën parashikohej të luhej të premten e 5 shtatorit, por dje në mbrëmje u përmbys gjithçka dhe sfida është shtyrë për herë të dytë. Pas fitores me Vllazninë, klubi u dha tre ditë pushim lojtarëve, dhe vetëm sot pritet që dinamovitët të rikthehen në fushën stërvitore.

Në këto kushte, trajneri Ilir Daja kishte vetëm dy ditë kohë për të përgatitur sfidën. Përveç mungesave të përmendura më sipër, Dinamo ka edhe dy mungesa të rëndësishme, pa llogaritur dëmtimin e kapitenit Rustem Hoxha, i cili e ka mbyllur sezonin që në verë.

Mesfushori Klevi Qefalija dhe kapiteni i ri Bruno Dita pritet të mungojnë rreth një muaj, për shkak të aktivizimit të parakohshëm në ndeshjen e kthimit ndaj Jagiellonias në Ligën e Konferencës. Në këto kushte jo favorizue, trajneri Daja është i detyruar sërish të bëjë modifikime në formacion, por kjo është bërë tashmë një rutinë për Dinamon.

PANORAMASPORT.AL