Pritej të ishin të larguarit e radhës nga Vllaznia, dyshja bie në syrin e Martinit dhe kanë një shans

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2025 | 8:37

Pritej të ishin të larguarit e radhës nga Vllaznia, dyshja bie në syrin e Martinit dhe kanë një shans

Mendoheshin se do të ishin të larguarit e radhës nga Vllaznia, po për ta duket se ka pasur një kthesë të ngjarjeve në ditët e fundit. Fjala është për dyshen Melos Bajrami dhe Alfred Mensah, që ditët e fundit i janë bashkuar stërvitjeve të kuqebluve nën drejtimin e Edi Martinit.

VLLAZNIA

Si mbrojtësi ashtu edhe sulmuesi duket se do vijojnë edhe një sezon tjetër aventurën e tyre në Shkodër. Gjatë kësaj jave pritet të konfrimohet gjithçka ku me zhvillimin edhe të 2-3 seancave të tjera stërvitore, duhet të bindin Martinin. Pavarësisht se tashmë gjithçka duket e përfunduar dhe si Bajrami ashtu edhe Mensah do të ngelin tek 9 herë kampionët e vendit.

Me konfirmimin e Bajramit, Vllaznia “blindon” totalisht prapavijën dhe tashmë synimi për përforcime në skuadër ngelet vetëm në mesfushë dhe sulm. E teksa edhe Mensah pritet të jetë alternativë e parë për Balajn. Duke mos përjashtuar absolutisht edhe afrimin të ndonjë sulmuesi tjetër që mund të bëjë diferencën. Me rinovimet e dy ish-futbollistëve të Skënderbeut, Vllaznia po merr dalëngadalë formën dhe strukturën e plotë për sezonin 2025-26, ku objektivi i parë sezonal është kalimi i turit të parë të Conference League.

PANORAMASPORT.AL