Polemika pa fund në Superiore/ “VAR”-i në krizë, Flamurtari dhe Bylisi viktimat e javës
Kategoria Superiore vazhdon të ketë probleme me interpretimet e sistemit VAR. Edhe pse teknologjia ka për qëllim ndihmën dhe drejtësinë në vendimmarrje, në disa sfida ajo u kthye në burim polemikash, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar.
Nga Vlora në Ballsh, shumë skuadra dolën të pakënaqura, ndërsa të tjera përfituan nga interpretimet e dyshimta të arbitrave dhe dhomës së VAR-it. Flamurtari, Bylisi dhe ndoshta Elbasani dolën të dëmtuara nga vendimet e dhomës së teknologjisë, ndërsa Partizani, Vllaznia dhe Teuta përfituan. Në një kampionat gjithnjë e më të ekuilibruar, besimi te VAR-i mbetet çelësi, por vetëm nëse përdoret me profesionalizëm dhe koherencë.
FLAMURTARI – PARTIZANI 0-1
Goli: Trashi 63’ (aut)
Gjyqtarë: E. Bylykbashi, E. Gjoka, D. Memelli; VAR: E. Rusta, AVAR: K. Prenga
MOVIOLA Flamurtari–Partizani u shndërrua në një sfidë të mbushur me polemika, ndërhyrje të shumta të sistemit VAR dhe vendime që ndryshuan rrjedhën e lojës. Nga penalltia e anuluar për “demat e kuq”, te goli i mohuar i Maksutit dhe polemikat në fund për një prekje me dorë, teknologjia u bë protagonistja kryesore e mbrëmjes në “Flamurtari Stadium”.
Minutat 5-9’: Gjyqtari Bylykbashi akordon penallti për Partizanin, por Emanuela Rusta e thërret në VAR për të riparë rastin. Bylykbashi ndryshon vendimin, duke e konsideruar faull të Skukës ndaj Telushit. Vendim i drejtë i VAR-it, pasi lojtari i Flamurtarit është një hap para.
Minuta 36’: Flamurtari gjen golin e avantazhit me Maksutin, por anësori ngrit flamurin për pozicion jashtë loje. VAR konfirmon, megjithatë pamjet tregojnë se nuk kishte offside. Vendim i gabuar, që ndikon drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes. Minuta 45+7: Pretendime për penallti të Flamurtarit, pas një kontakti mes Janjevës dhe një lojtari kuqezi. Dyshime të arsyeshme për një 11-metërsh, por VAR nuk ndërhyn.
Minuta 52: Doumbia ndëshkohet me të verdhë për faull ndaj Ramirez. Vendim i saktë.
Minutat 84-87’: Oshafit i anulohet goli për prekje me dorë të Maksutit. Këtë herë vendim i drejtë. Vlerësimi: Një ndeshje e tensionuar, ku VAR-i ndërhyri disa herë, por nuk arriti të shmangë polemikat. Rasti i golit të Maksutit mbetet pika më e errët e javës, ndërsa Partizani mori tri pikë me shumë fat, falë edhe autogolit të Trashi.
ELBASANI – VORA 1-2
Golat: Qose 54’ / Daka 64’, Karrica 86’
Gjyqtarë: A. Doda, T. Kasa, G. Cenolli; VAR: O. Kuka, AVAR: O. Ferataj
MOVIOLA Në përgjithësi një ndeshje e menaxhuar mirë, pa shumë momente të dyshimta. Gjithsesi, një rast mbetet i diskutueshëm.
Minuta 51’: Protesta të Elbasanit për një prekje topi me dorë të Zunës në zonë. Gjyqtari nuk e konsideron si penallti, duke e vlerësuar prekjen si natyrale. VAR nuk ndërhyn. Pamjet tregojnë një prekje me krah të hapur. Rast shumë i dyshimtë, që mund të justifikonte një 11-metërsh. Vlerësimi: Elbasani ka arsye të ndjejë se u dëmtua në këtë episod. Përveç kësaj, gjykimi i përgjithshëm ishte korrekt dhe pa ndikim direkt në rezultat.
BYLISI – VLLAZNIA 0-1
Goli: Peralta 84’ (aut)
Gjyqtarë: D. Vrapi, M. Shazivari, Xh. Rroshi; VAR: A. Beqiraj; AVAR: A. Koçi
MOVIOLA Sfida në Ballsh ishte një nga më të tensionuarat e javës, me tre ndërhyrje të VARit që ndryshuan zhvillimin e ndeshjes.
Minuta 6’: Vllaznia shënon me Jagon, por pas verifikimit me VAR, goli anulohet për pozicion jashtë loje të Balajt. Vendim i drejtë.
Minuta 61’: Koxhi pengohet nga Gurishta në hyrje të zonës. Gjyqtari jep penallti për Bylisin, por pas rishikimit, vendimi anulohet. Sipas pamjeve, penalltia ishte e pastër. Gabim i rëndë i gjyqtarit pas ndërhyrjes së VARit.
Minuta 90+3’: Abdullahi shënon për Bylisin, por pas shqyrtimit, goli anulohet për faull në nisje të aksionit. Vendim i drejtë. Vlerësimi: VAR-i ndikoi drejtpërdrejt në këtë ndeshje. Një vendim i gabuar i heq mundësinë Bylisit për të marrë pikë, ndërsa Vllaznia del me fitore me shumë fat. Polemika të forta në Ballsh, ku tifozët shpërthyen ndaj arbitrimit.
EGNATIA – DINAMO 0-0
Gjyqtarë: O. Yzeiraj, D. Rexha, F. Lama; VAR: J. Xhaja; AVAR: E. Bastari
MOVIOLA Ndeshje e menaxhuar mirë në përgjithësi, por me një fillim të ngatërruar.
Minutat 58’: Yzeiraj jep faull dhe të verdhë për Sotën. VAR ndërhyn për të parë mundësinë e një kartoni të kuq, por zbulon se më herët Bregu ishte në pozicion jashtë loje. Vendimi i parë anulohet. Ka konfuzion në fushë, por më pas situata qartësohet. Vendim përfundimtar i saktë, por menaxhim i dobët nga gjyqtari. Minuta 80’: Lorran ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë. Vendim i drejtë.
Minuta 90+3’: Xhemajli merr të dytin e verdhë dhe largohet. Vendim korrekt. Vlerësimi: Gjyqtari Yzeiraj shpëton falë ndërhyrjes së VAR-it në minutat e para. Për pjesën tjetër, arbitrazh i saktë dhe pa ndikim në rezultat. Dinamo përfundon me nëntë lojtarë me vendime të drejta.
TIRANA – TEUTA 0-0
Gjyqtarë: L. Alla, M. Qose, E. Malo; VAR: I. Myrtja, AVAR: D. Grimci
MOVIOLA Ndeshje me pak emocione, por me disa momente për diskutim.
Minuta 6’: Tirana kërkon penallti për prekje me dorë nga Përgjoni. Pamjet tregojnë se topi prek trupin dhe jo dorën – vendim i drejtë i gjyqtarit.
Minuta 37’: Pretendime të tjera për penallti pas një kontakti të Tolit me topin. Pamjet janë të paqarta, por gjyqtari lejon lojën të vazhdojë.
Minuta 69’: Votlai, me një faull të panevojshëm, duhej ndëshkuar me të verdhën e dytë. Gjyqtari Alla nuk ndërhyn. Gabim i rëndë, që i kurseu kartonin e kuq mesfushorit të Teutës. Vlerësimi: Ndeshje e qetë, por me një vendim të gabuar që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e fundit të lojës. VAR nuk ndërhyri, pasi bëhej fjalë për karton të dytë dhe jo për rast penalltie.
PANORAMASPORT.AL













