PIKANTET/ Nga rrjeta e grisur te “fair play”-i, detajet e sfidës mes Elbasanit dhe Vorës

Spektatorët – rreth 1000-1500 tifozë ishin të pranishëm në stadiumin e Vorës ku të binte në sy numri i madh rreth 300 tifozë të grupimit ultras verdhe blu të Elbasanit kanë mbajtur gjallë atmosferën gjatë 90-minutave të ndeshjes duke bërë tifo për skuadrën e tyre.
Rrjeta e grisur e portës së Elbasanit – Pas rreshtimit të skuadrave në fushë dhe shpërndarjes së tyre për fillimin e lojës, ndeshja u vonua për pak rreth 3 minuta nga orari, pasi rrjeta ku do vendosej portieri Janaçek ishte e grisur në cepin e trekëndëshit të djathtë të portierit dhe u morën masat deri në rregullimin e saj e më pas Barjamaj vërshëlleu për fillimin e lojës.
Lojtarë të dëmtuar e të sëmurë- Te Vora figuronin 4 lojtarë të dëmtuar e pikërisht: Dalipaj, Hasaj, Karrica e Tabaku. Ndërsa lojtarët Repaj, Ruzgis ishin me temperaturë dhe të gjithë këta lojtarë e ndoqën ndeshjen nga shkallët e tribunës qendrore. Karrica ka nisur stërvitjet e do të jetë i gatshëm që në ndeshjen me Dinamon, ndërsa për Hasaj ende do të vijojë jashtë fushës.
Dyshet – Kjo ndehje kishte shumë dyshe emrash, mbiemrash, si tek Elbasani luanin dy Kasat – Klevisi dhe Arseni. Te Vora luanin dy Ruçat, Shkëlzeni dhe Orgito, në fushë ishin dy Barjamaj, gjyqtari Kreshnik dhe voraku Mario. Po kështu tek Elbasani ishin dy emra Arsen Lleshi dhe Arsen Kasa.
Dalja e parakohshme e Shehit – Në minutën e 41-të Dajan Shehi u detyrua të dalë nga fusha pas një ndërhyrje për të larguar një top me kokë duke zënë dorën e djathtë keq në momentin që po shtrihej në tokë duke u zëvendësuar me Rajmond Marinaj.
Moshat ekstreme – Te Vora në fushë ishin dy ekstremet e moshave, Shkëlzen Ruçi si lojtari më i vjetër 33 vjeç dhe Klaus Kashari 19-vjeç si më riu në fushë.
“Fair Play” – Në minutën e 52- të, gjatë një përplasje në një dyluftim Irgi Kasalla i Vorës që rrëzohet përtokë me Ibrahim Abaz të Elbasanit bënë një veprim “fair play”, që nga mënyra u duk sikur do të përplaseshin fizikisht por në momentin që Kasalla çohet jo vetëm që nuk u mërzit por përkundrazi i jep dorën dhe përqafohen, duke nënkuptuar se janë momente loje.
Topi pas koke –Në minutën e 59- të një top gjuajtur nga Kashari i bie pas koke Tsagues të Elbasanit që merr mjekimin e menjëhershëm nga mjekët.
Janaçek kërkon ndihmë – Në minutën e 64-rt, kur portieri elbasanas shkelmoi topin në rënie ai pësoi tërheqje dhe ndërkohë që loja vazhdonte ai u shtri pranë vijës ballore. E Barjamaj po i jepte ndihmën derisa erdhën mjekët e u ndalua loja.
PANORAMASPORT.AL













