Pikantet e Vllaznia-Vora/ Duele mes pellgjeve të ujit, errësirës, tensionit dhe 1 mijë tifozëve në stadium
Në Vorë nuk u luajt thjesht një ndeshje futbolli, por një 45-minutësh i parë që i ngjante më shumë një prove force mes shiut, errësirës dhe kaosit.

Dritat që shuheshin, pellgjet e ujit që ndalonin topin si mur, portieri që bërtiste në gjermanisht dhe tifozët që sfidonin motin, e kthyen sfidën në një spektakël të pazakontë, ku futbolli u detyrua të luftonte me kushtet, para se të luftonte me kundërshtarin. Një ndeshje që do të mbahet mend jo vetëm për atë që ndodhi në tabelë, por për gjithçka jashtë saj.
MUNGESA E DRITAVE – Disa herë para takimit dhe gjatë takimit deri në fund të pjesës së parë, ka pasur ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Fillimisht u bë pengesë për vënien në dispozicion me vonesë të protokollit të ndeshjes, po kështu edhe për spikerin që do të informonte tifozët me formacionet e skuadrave dhe ndodhitë gjatë ndeshjes si goli apo zëvendësimet. Më në fund pasi pushoi dhe shiu gjatë pjesës së dytë u normalizua çdo gjë, ndërkohë që transmetimi “live” nga RTSH u bë nga kabina e automjeteve të RTSh-së.
PELLGU I UJIT TE ZONA – Pellgjet me ujë bëhen pengesë për golin e Vorës nga ana e Kasallës. Një orë para fillimit të ndeshjes një shi i rrëmbyer, që zgjati rreth 30 minuta, krijoi dy pellgje uji në fushë pranë zonës të portës veriore. Mirëpo edhe pas pastrimit para fillimit të ndeshjes nga tre punonjës shërbimi të fushës që e hoqën ujin, ai përsëri zuri vend po aty, pas shiut që ra gjatë ndeshjes duke e krijuar sërish atë pellg uji, që më vonë u bë pengesë për golin e Kasallës, që gjuajti në minutën e 18-të, pikërisht në atë pellg uji. Fillimisht në minutën e dytë uji bëhet pengesë për Krymin që tenton të largojë një top pranë vijës anësore e topi ngec në ujë.
TIFOZERITË – Edhe pse moti ishte i paqëndrueshëm, me shira e stuhi, kjo nuk u bë pengesë për ardhjen e tifozëve në stadium, ku rreth 1000 vetë kishin zënë vend në tribunat përkatëse të stadiumit, nga ku dalloheshin dhe ultrasit e Vllaznisë, që përbënin rreth 50 vetë e pak më shumë ishin tifozët e Vorës. Theksojmë se kushtet për tifozët janë të shkëlqyera, pasi të gjitha tribunat e stadiumit Vora janë të mbuluara dhe me karrige ulëse. Kur sapo nisi ndeshja u dëgjuan tre shpërthime.
PORTIERI SHKODRAN – Portieri 28 vjeçar, gjermani (i fundit që kishte mbetur në Shkodër pas luftës së dytë botërore) Leon Pohls ishte i vetmi, që bërtiste në fushë në gjermanisht, duke kërkuar shumë nga shokët e tij të skuadrës, por hera herës bëhej i bezdisshëm edhe për vetë gjyqtarin e takimit, Juxhin Xhaja duke pretenduar për çdo rast rrëzimi në fushë të lojtarëve shkodranë. Madje në minutën e 27-të kur dëmtohet Bala në mesfushë dhe merr mjekimin, ai ka topin në duar dhe e përplas tek pellgu ujit në zonën e tij disa herë duke parë se sa ecën topi në këtë pellg uji.
LOJTARË DYFISH – Dy lojtarët të Vorës, Serjan Repaj dhe Dajan Shehi, kanë qenë pjesë e Vllaznisë, madje Repaj ishte nën kontratë me Vllazninë para fillimit të sezonit e më pas ju afrua Vorës, ndërsa Shehi ka qenë dy herë pjesë e shkodranëve gjatë sezonit 2021-22 dhe 2023-24.
GODITET ME TOP “SECURITY” – Në minutën e 48-të një top i fuqishëm gjuajtur nga Edon Murataj që tentoi portën, por harkimi tij shkoi në kokën e një punonjësi të sigurisë që ishte mbas portës veriore të Vorës. Asnjë problem për punonjësin dhe loja vazhdoi.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













