Pikantet e Partizani-Vllaznia/ Tifozët kujdesen për Kërnajën, tribunat plot
Ndeshja mes Partizanit dhe Vllaznisë në “Arenën e Demave”, dhuroi shumë emocione ndërsa në fund ata që triumfuan ishin shkodranët me shifrat 0-2. Por, përtej asaj që dhuroi fusha dhe asaj që u shfaq në televizion, takimi në kryeqytet dhuroi edhe shumë momente pikante që nuk arritën të fiksoeshin nga kamerat.

Kështu, duke nisur nga personazhet e shumtë në shkallët e stadiumit, te ish-futbollistët e Partizanit dhe Vllaznisë, por edhe direktivat e fjalët e trajnerëve gjatë 90-minutëshit vijnë në këtë përmbledhje nga “Panorama Sport”. Të shumtë ish-futbollistët që kishin ndjekur ta ndiqnin ndeshjen nga tribuna e “Arena e Demave”, duke nisur nga legjendat Ledio Pano, Edmond Dosti, Sulejman Starova apo edhe Xhevahir Sukaj. Ndërsa nuk mungonin Ditmar Bicaj si dhe Jasir Asani që siç dihet tashmë është pranë skuadrës së Partizanit për t’u stërvitur.
Në minutën e shtatë të ndeshjes trajneri Oltijon Kërnaja i kërkon Ismailit të jetë më i shpejtë në veprimet e tij dhe të nxjerrë më shpejt skuadrën në sulm. Në minutën e tetë, Kontreras ndjen dhimbje dhe menjëherë stafi nxjerr në nxheje Tomën, por gjithçka rezultoi të ishte një alarm “fals” me Kontreras që vijoi rregullisht ndeshjen. Nga ana tjetër, Martini këshillon mbrojtësin Pusi pas një faulli të këtij të fundit ndaj Sidibe. “Shiko topin dhe jo kundërshtarin”, dëgjohet t’i thotë Martini lojtarit të tij.
Ndërkaq, trajneri Kërnaja nuk i kontrollon nervat dhe ndëshkohet menjëherë me dy kartonë të verdhë të njëpasnjëshëm, ndërsa nuk humbet kohë dhe menjëherë futet në tribunë, për ta ndjekur ndeshjen shumë pranë stolit të tij dhe për të vijuar me direktivat drejt stafit teknik e lojtarëve në fushë. Spektakël në tribuna nga tifozët që nuk pushojnë së mbështeturi skuadrat e tyre të zemrës, mbërrijnë pak me vonesë ata të Vllaznisë që mbushin sektorin e tyre pas më shumë se 20 minutash lojë. Ndërkohë, me Kërnajën në tribunë, tifozët e kuq kujdesen për trajnerin duke i ofruar ujë. Pretendime dhe kontestime të shumta nga tifozët, pankina dhe lojtarët për golin e anuluar të Isgandarli.
Gjithsesi, Xhaja vijon lojën. Albers Keko rikthehet të luajë një ndeshje zyrtare prej verës së vitit të shkuar kur pësoi një dëmtim të rëndë në ligamentin e gjurit, sulmuesi u aktivizua në minutën e 79. Tre lojtarë të Vllaznisë në tok, te Partizani protestojnë tek arbitri Juxhin Xhaja për vonesat e lojës. Nga fusha, kryesori Xhaja bën me shenjë se do të rikuperojë çdo vonesë në momentin që do të akordojë minutat shtesë, sërish nuk janë të bindur te stafi i të kuqve. Dhe, protesta vijojnë në momentin që arbitri i katërt tregon në tabelën elektronike se do të jenë gjashtë minutat shtesë, teksa vendasit kërkonin të paktën tetë minuta për shkak të ndërprerjeve të shumta pas avantazhit të Vllaznisë.
Në fund, ka sërish tension pas golit të dytë të Vllaznisë. Vendasit pretendojnë për një faull të padhënë në ndërtimin e aksionit të shkodranëve. VAR nuk ndërhyn, arbitri Xhaja përjashton edhe menaxherin e Partizanit, Ildi Dajlani. Nga ana tjetër, tifozët vendas nervozohen me lojtarët e Vllaznisë që festojnë pranë tyre golin e dytë, një moment pati tension edhe mes stafeve respektive, por për fat të mirë konflikti u shua shpejt.
PANORAMASPORT.AL













