Pikantet e Partizani-Egnatia/ “Thumbim” për Tiranën, Kërnaja bën “xhonglerin”
Në fillimin e ndeshjes, tifozët në tribunën përballë shpalosin një banderolë: “Partizani, legjenda e futbollit shqiptar”.
Të paktë tifozët rrogozhinas në sektorin e tyre në “Arenën e Demave”, të cilët mund të numëroheshin me gishtat e dorës, jo më shumë se dhjetë. Qirko kërkon ta nisë aksionin shpejt, por gabon duke pasuar për Isgandarlin. Topi shkon jashtë dhe Kërnaja nervozohet, duke kërkuar qetësi nga portieri.
Pas golit, Kërnaja nxiton te Isgandarli. Fillimisht e ndihmon të hapë shishen e ujit dhe më pas i jep disa instruksione azerit. Arbitri nuk vërshëllen disa ndërhyrje radhazi ndaj Isgandarli dhe Skukës mes fundit të pjesës së parë dhe të dytë. Kërnaja nervozohet dhe shkelmon një shishe uji pranë stolit të tij. Sidibe humbet ekuilibrin në anësore në përpjekje për të dribluar kundërshtarin. Sulmuesi e përjeton keq momentin, por aty është Kërnaja që e motivon të vazhdojë lojën.
Te zëvendësimet, Skuka merr duartrokitjet e gjithë stadiumit. Tashmë, edhe në rolin e kapitenit, sulmuesi duket se është kthyer në versionin e tij më të mirë teksa ndaj Flamurtarit dhuroi dy asistë. Flakadanë në sektorin e tifozëve të Partizanit.
“Ultras Guerrils” dhurojnë spektakël me “pyro show”, duke ndezur edhe më shumë atmosferën në “Arenën e Demave”. Albano Aleksi del me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it. I gjithë stadiumi në kor kundër mesfushorit. Ky i fundit nuk përmbahet dhe bën një gjest të pahijshëm që mund të jetë subjekt i Komisionit të Disiplinës. Topi në rivënie anësore, Kërnaja jep spektakël duke xhongluar sferën, sigurisht duke fituar kështu edhe disa sekonda në favor të skuadrës së tij.
Tifozët nisin këngën “Napoloni”, por me versionin “Tirana ra te gropa”, duke “thumbuar” bardheblutë që janë në fund të renditjes. Duartrokitje të shumta në tribunë edhe për Kolën dhe Isgandarlin që zhvilluan një ndeshje shumë të mirë. Tifozët nisin “ole-n” e famshme në çdo pasim të lojtarëve të Partizanit në fushë.
Minuta edhe për Nondi që rikthehet në fushë pas një mungese të gjatë. Drejtori sportiv Agim Ibraimi pret lojtarët në fund të ndeshjes për t’i përgëzuar për fitoren ndaj EgnatiS. Një nga një të gjithë marrin urimin e Ibraimit me grupin që duket më i bashkuar se kurrë.
Trajneri Oltijon Kërnaja përshëndet të gjithë tifozët e pranishëm, madje ngjitet edhe në tribunën kryesore për të takuar tifozët dhe për të bërë fotografi me ta.
PANORAMASPORT.AL













