Pikantet e Egnatia-Partizani/ “Festë” me Trampin, gradohet Sembene (E PLOTË)
“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante të ndeshjes Egnatia-Partizani, e fituar bindshëm nga skuadra vendëse me shifrat 2-0.
Në stadium ishin të pranishëm afro 1600 spektatorë, mes tyre edhe afro 100 tifozë të ardhur nga Tirana në mbështetje të të kuqve. Çka u vu re ishte fakti se të gjithë tifozët ishin vendosur në tribunën kryesore dhe përballë nuk ndodhej askush.
Duhet thënë se pamja e “Arena Egnatia” çdo ditë e më shumë po merr figurën e një stadiumi shumë simpatik dhe modern. Së fundmi ka përfunduar tribuna përballë, si dhe është vendosur impianti i ndriçimit. Ndeshja e së shtunës ishte parashikuar të luhej me drita, por vonesa e gjeneratorit bëri që të merrej ky vendim.
* Tetova del i fundit nga dhomat e zhveshjes dhe hedh sytë nga tribuna e Partizanit, ku gjen Veselinoviç. Zhvillohet një takim i ngrohtë mes të dyve dhe një bisedë e shkurtër.
* Egnatia e nis ndeshjen në mënyrën më të mirë, por trajneri Tetova nuk është i qetë. Në një moment ai shihet të kritikojë Aleksin për një top të hapur në krahë jo në adresën e duhur.
* Në mungesë të Prekës dhe Hoxhës në fushë, shiritin e kapitenit të Partizanit dje e mbante në krah Saliu Sembene. Kjo ishte hera e parë për senegalezin si kapiten i të kuqve.
* Malota dorëzohet pas 21 minutash lojë. Kapiteni duket se nuk e ka kaluar plotësisht dëmtimin e pësuar dhe dje gjithçka u rishfaq. Sota zëvendëson lezhjanin. Fieraku ndeshet kështu për herë të parë me ish-ekipin e tij (Partizanin), nga ku u largua në verën e vitit të shkuar.
* Alijev ka probleme me këpucët e tij gjatë 20 minutave të para, teksa shihet të rrëshqasë në dy momente. Në stafin rrogozhinas marrin masa dhe mbrojtësi ndërron këpucët.
* Aleksi e kthen në “mundje” një duel me Mehmetin. Mesfushori rrogozhinas shkakton një faull ndaj vushtrriasit, të cilit i bën edhe një kapje që po të ndodhte në mundje, do të merrte disa pikë.
* Eljon Sota shënon golin e dytë për Egnatian, por zgjedh të mos festojë në respekt të ishklubit të tij, Partizanit.
* Sporti dhe politika nuk kanë shumë lidhje, por në Rrogozhinë vendosin t’i bashkojnë me një flamur amerikan me foton e presidentit Donald Tramp. Mesa duket Egnatia dhe kreu i SHBA-së kanë një fans të përbashkët.
* Publiku bëhet shumë i rëndësishëm për Egnatian pas golit të anuluar të Uotlai rreth minutës së 50-të. Tribunat ndizen si me buton dhe bëhen mbështetje për skuadrën, që jo për rastësi nis të performojë më mirë në fushë.
* Gjyqtari Cjapi nuk heziton t’i japë një ndihmë Ismailit, duke i bërë një shtytje të këmbës mesfushorit, e nevojshme pas një përplasjeje me Aleksin.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













