Përplasja e Vllaznisë me Bashkinë, presidenti Xhaferi: Rrezikojmë ndeshjet në Europë, por edhe në kampionat
Vllaznia ka përplasje me Bashkinë Shkodër përsa i përket përdorimit të stadiumit “Loro Boriçi”. Për këtë ka folur vetë presidenti Alban Xhaferi.

“Kanë marrë një vendim për të bërë koncerte në stadiumin “Loro Boriçi”. Nuk jemi kundër koncerteve, absolutisht që nuk jemi kundër Bujar Qamilit që sot e mora vesh do të bëjë koncert. Përkundrazi, Bujar Qamili është emër i madh, “Nder i Kombit”, e duam të gjithë, ka kontribuar për Vllazninë dhe jemi shumë dakord, jam ndër sponsorizuesit e koncertit të Bujarit.
Por çështja është e tillë, i kemi shpjeguar edhe Bashkisë Shkodër, që kemi marrëveshje me UEFA-n, Federatën dhe Bashkinë që ky stadium do mbahet për aktivitete sportive. Rrezikojmë ndeshjet e Vllaznisë në Kupat e Europës.
Jo vetëm këtë, por edhe në kampionat në “Loro Boriçi” sepse në momentin që nuk licencohet klubi, nuk bëhen ndeshjet në “Loro Boriçi” dhe do shkojmë të luajmë në Tiranë”, u shpreh ndër të tjera presidenti Alban Xhaferi.
Deklarata e Vllaznisë:
“Për herë të parë në historinë e klubit, ekziston rreziku real që KF Vllaznia të mos zhvillojë ndeshjet ndërkombëtare për Kupat e Europës në stadiumin e vet, për shkak të një vendimmarrjeje të njëanshme dhe të pa konsultuar që ka ndryshuar destinacionin e përdorimit të stadiumit. Ky vendim është marrë në mënyrë të paligjshme dhe duke injoruar paralajmërimet e përsëritura nga Klubi dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Për të diskutuar mbi këtë situatë alarmante, sot është mbajtur një takim i jashtëzakonshëm me pjesëmarrjen e futbollistëve, stafit teknik dhe drejtuesve të klubit. Të gjithë të pranishmit kanë shprehur shqetësimin dhe indinjatën e tyre lidhur me zhvillimet e fundit, të cilat cenojnë jo vetëm të ardhmen europiane të klubit, por edhe imazhin e qytetit dhe të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Pavarësisht situatës së krijuar, KF Vllaznia mbetet e hapur për dialog dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet përkatëse, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të shpejtë, në funksion të interesit të sportit dhe të komunitetit shkodran.
KF Vllaznia është më shumë se një klub futbolli – është identiteti i një qyteti dhe krenaria e një historie të gjatë e të lavdishme”, shkruajnë kuqeblutë.
PANORAMASPORT.AL













