Përndreca: Bylisi më i fortë se në fazën e parë, ndaj Egnatias synojmë pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2025 | 16:16

Përndreca: Bylisi më i fortë se në fazën e parë, ndaj Egnatias synojmë pikë

Bylisi do të tentojë që në fazën e dytë të rikuperojë sa më shumë pikë, që ka lënë në pjesën e parë të garës, si në fushën e vetë ashtu edhe në transfertë. Përpos kalendarit, mallakastriotët duken të angazhuar, që të shfaqen ndryshe në sfidat e radhës.

PERNDRECA

Në ekip ka optimizëm, ndërsa vazhdon grumbullimi por edhe stërvitja me grup të plotë. Fabjan Përndreca i rikthyer nga Shpresat, ku ka luajtur edhe si titullarë në dy sfidat, për “Panorama Sport”, ka pohuar në prag të sfidës me rrogozhinasit se do të kërkojnë pikë.

“Pas grumbullimit me Shpresat ku luajta në të dyja sfidat rikthehem në ekip dhe më vjen mirë që gjej një ambient optimist. Ndeshjen e radhës e luajmë me kampionët në fuqi të Egnatias dhe unë kam besim se do të jemi ndryshe nga sfida e fundit në Vlorë. Jemi një ekip shumë më i fortë se në fazën e parë, ku Egnatia na mundi në shtëpinë tonë, me raste episodike, ku ne diktuam lojën. Duhet që të jemi më të kujdesshëm në këtë sfidë dhe pse jo të synojmë dhe dalim me rezultat pozitiv.

Nuk ka ndeshje të lehta apo të forta, në strukturën me 10-ekipe ne jemi mësuar sepse edhe vjet gara k qenë shumë fortë. Këtë sezon, unë mendoj dhe gjykoj se jemi një ekip edhe më i fortë sepse grupi është më i konsoliduar dhe kompakt. Kështu që ne duhet që të punojmë dhe shohim përpara, me moral të lartë dhe optimistë sepse kemi treguar se mund të marim pikë edhe ndaj ekipeve të kreut”, u shpreh fillimisht lezhjani 19-vjeçar i Bylisit.

Më tej ai u ndal edhe te roli në fushë, pasi është parë që të luajë mbrojtës i majtë, por edhe në mesfushë. “Kam luajtur edhe me moshat, apo dhe me ekipet U-21 dhe ekipin B, si mbrojtës ashtu edhe mesfushorë. Luaj në të dy pozicionet edhe pse kam më shumë eksperiencë si mbrojtës, e rëndësishme është që ne të funksionojmë dhe duke nisur që nga kjo javë të rikthehemi te rezultatet pozitive”, tha në mbyllje të prononcimit Fabjan Përndreca, një nga lojtarët e talentuar dhe të dalluar te Bylisi këto dy sezone.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL