“Pengu” i merkatos/ Xhixha vishet bardheblu, Tirana fitoi “mundjen e krahut” me Partizanin
Pas një aventure në Azerbaxhan me Karabakun, dhe më pas në Algjeri me skuadrën e Belouizdad, Redon Xhixha zgjodhi të rikthehet në Shqipëri te Tirana, klubit në të cilin u shpall kampion dhe ku krijoi momentet më kulmore të karrierës së tij duke fituar titullin kampion në vitin 2022.

Tashmë,27-vjeçarit do t’i duhet që të ndihmojë bardheblutë në misionin e tyre për të qëndruar në elitën e futbollit shqiptar, Abissnet Superiore. Megjithatë, Tirana nuk ishte alternativa e vetme për sulmuesin anësor i cili prej kohësh kërkohej edhe nga Partizani. Të kuqtë, e preferonin dhe identifikonin te Xhixha, futbollistin që mund të ngrinte në mënyrë të theksuar nivelin e skuadrës. Shpejtësia e kurbinasit në “korsinë” e majtë të fushës, por edhe intuita e tij për të shënuar gola si një sulmues i vërtetë, e bënin lojtarin ideal për të kuqtë dhe një përforcim me shumë vlera për ta vendosur në dispozicionin e trajnerit Oltijon Kërnaja.
Aq më tepër kur në repartin e sulmit, Partizani ka hasur jo pak probleme sa i takon finalizimit të rasteve, apo problematikave nga dëmtimet me dy sulmuesit kryesorë si Skuka dhe Keko që janë detyruar të stopojnë si pasojë e problemeve fizike. Në këtë “dritare” të transferimeve të janarit, “Demat e Kuq” ndanë rrugët edhe me dy lojtarë me tipare ofensive si Da Silva dhe Xhudah Garcia, duke e shndërruar në një nevojë të madhe ndërhyrjen në merkato për të afruar elementë në repartin e sulmit.
Sigurisht, Xhixha do të ishte ideali, por tashmë është fakt se lojtari kurbinas do të vijojë karrierën me rivalët e kryeqytetit, Tiranën, e nga ana tjetër, Partizani do të duhet të vijojë kërkimet për një tjetër futbollist në këtë rol. Kujtojmë se të kuqtë ende nuk kanë zyrtarizuar ndonjë afrim nga merkato, teksa koha nuk premton shumë duke qenë se elementët e rinj që mund t’i bashkohen skuadrës deri në fundin e muajit do të kërkojnë kohën e tyre të përshtatjes me idetë e teknikut Kërnaja.
Nga ana tjetër, Partizani do të nisë gjysmën e dytë të sezonit duke nisur nga kjo e shtunë më datë dhjetë janar, teksa pret Burrelin në “Arenën e Demave”, një sfidë kjo e vlefshme për fazën e 1/8- tave në Kupën e Shqipërisë ndërsa pas kësaj ndeshje, më datë 15 janar është sfida e radhës në kampionat, ajo ndaj skuadrës së Vorës.
PANORAMASPORT.AL













