Pas Vllaznisë dhe Elbasanit, Egnatia gati për sprintin e pikëve
Kalendari i kampionatit ka qenë i pamëshirshëm për Egnatian në startin e sezonit. Rrogozhinasit kanë luajtur në dy javët e para kundër dy skuadrave kryesuese të renditjes, Vllaznisë dhe Elbasanit, sfida që i kanë testuar seriozisht kampionët në fuqi.

Mirëpo, me përfundimin e këtyre përballjeve të rënda, duket se barra e ndeshjeve më të vështira është lënë pas dhe tani skuadra e Edlir Tetovës e sheh kalendarin më të lehtësuar në krahasim me rivalët. Në fazën që vjen, objektivi është i qartë: të përfitohet maksimalisht nga ndeshjet me kundërshtarë që luftojnë për mbijetesë, për të rimarrë terren në garën për “Final 4” dhe për të mbyllur vitin në mënyrën më pozitive të mundshme.
KALENDARI – Në katër javët e ardhshme, Egnatia do të ketë një kalendar që, të paktën në teori, i jep mundësinë për të grumbulluar pikë të plota. Së pari, rrogozhinasit do të presin Bylisin, një kundërshtar që e kanë mundur rregullisht në sezonet e fundit. Sfida e radhës vjen pas pushimit, çka i jep kohë skuadrës të rikuperojë energjitë dhe të rikthehet me synimin e qartë për fitore. Më pas, kampionët do të zbresin në kryeqytet për t’u përballur me Tiranën, që ndodhet në fund të tabelës dhe po kalon një periudhë të zymtë.
Pas kryeqytetasve, Egnatia do të rikthehet në Rrogozhinë për të pritur Flamurtarin, një tjetër skuadër që po përpiqet të largohet nga zona e ftohtë, ndërsa java e fundit e kësaj serie e vë përballë Vorës, gjithashtu në vështirësi dhe me objektiv mbijetesën. Në letër, bëhet fjalë për katër ndeshje më të lehta se zakonisht, ku kampionët mund të synojnë plotësisht 12 pikë të mundshme përpara se të rikthehen përballjet direkte me rivalët e zonës së sipërme të klasifikimit.
AVANTAZHI – Një tjetër element pozitiv në këtë periudhë është se tre nga katër ndeshjet e ardhshme do të luhen në “Egnatia Arena”, aty ku skuadra e Tetovës ndjehet më e sigurt dhe më produktive. Faktori fushë ka pasur gjithmonë ndikim për rrogozhinasit, të cilët kanë ndërtuar pjesën më të madhe të suksesit pikërisht në ndeshjet brenda. Përveç mbështetjes së tifozëve, terreni i njohur dhe rregullsia e përgatitjes në kushte të përshtatshme i japin Egnatias një avantazh psikologjik të rëndësishëm.
Megjithatë, trajneri Tetova pritet të ruajë tonin e kujdesit, pasi në këtë fazë të kampionatit asnjë kundërshtar nuk është i paracaktuar për t’u mundur. Për të marrë maksimumin, do të duhet që ekipi të ruajë ritmin, të përmirësojë shpejtësinë e pasimit në fazën e fundit dhe të jetë më konkret në përfundim.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













