Pas Ohrit, Vora e zhvendos fazën në Korçë. Miqësorja e radhës luhet kundër Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2025 | 11:30

Pas Ohrit, Vora e zhvendos fazën në Korçë. Miqësorja e radhës luhet kundër Skënderbeut

Pas një faze përgatitore intensive në Ohër, Vora do të zhvendoset në Korçë, aty ku do të zhvillojë fazën e dytë të përgatitjeve verore në prag të sezonit të ri. Kjo etapë e re stërvitore do të zgjasë plot 10 ditë, gjatë së cilës stafi teknik ka planifikuar një program të ngjeshur për të rritur intensitetin fizik, si dhe për të punuar mbi aspektin taktik të lojës.vora

Korça, e njohur për kushtet e saj të favorshme për përgatitje, do të shërbejë si vendi ideal për t’i dhënë vazhdimësi punës së nisur në Ohër. Gjatë kësaj periudhe, ekipi do të punojë me ngarkesë maksimale, me fokus të veçantë te përmirësimi i automatizmave dhe balanca në repartet e ndryshme. Përveç stërvitjeve, është planifikuar edhe një ndeshje miqësore me ekipin e Skënderbeut më 9 gusht, e cila do të shërbejë si një test i rëndësishëm për trajnerin Bellai për të vlerësuar nivelin aktual të skuadrës dhe për të dhënë më shumë minuta lojtarëve në dispozicion.

Faza në Korçë pritet të jetë vendimtare për finalizimin e formës së skuadrës dhe për të krijuar kohezionin e nevojshëm për sfidat që e presin në kampionat. Gjatë fazës në Maqedoni, Vora zhvilloi 4 miqësore,  ku fitoi dy, 4-2 me “2 korrikun” dhe 1-0 ndaj Arsimit, si dhe u mund nga Teuta dhe Struga.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL