Partizani stoik, një dekadë me “vizë” Europe. Ja pengu i “demave”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2025 | 10:46

Partizani stoik, një dekadë me “vizë” Europe. Ja pengu i “demave”

Që nga viti 2013, Par tizani u ringjit në arenën e madhe të futbollit shqiptar dhe me shpejtësi u fut në vorbullën e skuadrave që dominojnë dhe që synojnë për titull.

PARTIZANI

Trofeu erdhi pas gjashtë vitesh nga fillimi i projektit me në krye presidentin Demi; tashmë janë bërë dy tituj dhe mund të bëhen tre, por ajo që duam të nënvizojmë është linja që Partizani ka mbajtur në këto vite dhe kualifikimet e rregullta në kompeticionet europiane. Që nga “ringjallja”, klubi i kuq ka shfaqur një formë të qëndrueshme dhe ambicioze. Me dy tituj kampionë dhe gjithmonë një hap përpara në kompeticionet europiane, Partizani ka arritur të ruajë një nivel të lartë konkurrues.

NË MËNYRË SISTEMATIKE – Nga 12 sezone që Partizani numëron nga rikthimi në elitë, në plot dhjetë raste është kualifikuar në Europë. Për një skuadër që synon çdo vit titullin kampion në letër, kjo mund të duket një normalitet, por fakti është se asnjë skuadër tjetër nuk ka pasur këtë konsistencë në të njëjtën periudhë kohe. Në një periudhë kur futbolli shqiptar është përballur me shumë pasiguri financiare dhe ndryshime të shpejta, Partizani ka arritur të jetë një ndër klubet më të qëndrueshme dhe më ambicioze. Megjithatë, për të arritur më tej në Europë dhe për të garuar për tituj të mëdhenj, do të duhen investime më të thella dhe një plan afatgjatë, që të mbajë ekipin konkurrues në nivele të larta.

DY HERË JASHTË – Të vetmet sezone kur Partizani nuk ka arritur të kualifikohet në kompeticionet europiane janë 2013-2014 dhe 2019-2020. Në rastin e parë kemi të bëjmë me sezonin debutues, kur të kuqtë e mbyllnin në vendin e pestë, vetëm një pikë larg vendit të tretë, që të çonte në Europa League. Në 2019-2020-ën të kuqtë kanë regjistruar pikën më të ulët në renditje, vetëm të gjashtit, edhe pse kishin grumbulluar po 53 pikë, sa sivjet. Këtë sezon situata me pikët ishte e varfër për të gjitha skuadrat dhe kjo ndihmoi që “Demat” të zinin vendin e katërt, çka do t’u mjaftonte për të pasur një vend në Ligën e Konferencës. Nëse fitojnë titullin, “katapultohen” në Champions.

NDIKIMI TE FINANCAT – Kualifikimi në kompeticionet europiane, më shumë se kënaqësi për suksesin, përmban garanci për aspektin ekonomik. Shpërblimet nga UEFA, bashkë me shitjet, janë dy burimet e vetme të klubeve shqiptare për të siguruar shifra domethënëse dhe Partizani e ka pasur në ndihmë këtë dhe ka ndikuar që ta ruajë ritmin dhe të qëndrojë në krye falë kësaj garancie financiare, që u është bashkëngjitur edhe investimeve të vazhdueshme të presidencës.

SUKSESI DHE “PENGU” – Të dyja qëndrojnë në një vend, sepse për Partizanin në këto vite dy sezonet më të suksesshme në Europë janë ato 2016–2017 dhe 2023– 2024, kur të kuqtë shkonin në “play off” të Europa League dhe Ligës së Konferencës, por eliminoheshin dhe mbetej zhgënjimi i moskualifikimit në grupe. Kjo ka lënë një shije të hidhur dhe një “peng” për të ardhmen. Presidenti Demi ka shprehur gjithmonë dëshirën për të kaluar në grupet e kompeticioneve europiane dhe ky qëllim duket të jetë një prioritet strategjik për vitet në vijim.FSGFGDDENIS LALA-PANORAMASPORT.AL