Partizani, skuadra e momentit në Superiore/ 2 gola në 5 ndeshje, gardiani Qirko “kyç” portën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2026 | 13:48

Partizani, skuadra e momentit në Superiore/ 2 gola në 5 ndeshje, gardiani Qirko “kyç” portën

Partizani është skuadra e momentit në Kategorinë Superiore, me të kuqtë që regjistrojnë pesë fitore radhazi duke llogaritur këtu edhe triumfin 2-0 së fundmi në “Air Albania” ndaj Dinamos.qirko

Tashmë skuadra e drejtuar nga trajneri Oltijon Kërnaja e sheh veten në vendin e katërt të tabelës së klasifikimit, aktualisht pjesë e “Final Four”, teksa nëse ia dalin që të mbajnë këtë ecuri, atëherë pretendimet edhe mund të shtohen, pasi dihet shprehja, “oreksi vjen duke ngrënë”. Një meritë të madhe në këtë rikthim dhe këto fitore të fundit të kryeqytetasve ka padyshim edhe reparti difensiv.

Stafi teknik, ia ka dalë që të rregullojë një problem që e ka shoqëruar skuadrën përgjatë gjithë sezonit duke mos e lejuar që të shkojë lart në klasifikim, pasi në shumë raste kemi qenë dëshmitarë të golave që janë pësuar dhe që mund të shmangeshin fare mirë me pak më tepër përqëndrim. Kështu, në këto pesë fitore të fundit, Partizani ka pësuar vetëm dy gola duke i vënë “drynin” katërkëndëshit që mbrohet nga portieri Qirko.

Patjetër që merita për këtë statistikë nuk është e vetëm repartit difensiv dhe prapavijës, por edhe e gjithë skuadrës që sakrifikon shumë në aspektin fizik teksa kemi parë në këto ndeshje të mbrojnë e të kthehen pas edhe anësorët si Isgandarli e Sidibe, pa lënë mënjanë mesfushën ku emra si Ismaili, Qaka, Dumbia, e Murataj garantojnë ekuilibrin e duhur duke mbyllur hapësirat për kundërshtarët.

Sigurisht, në fund janë ata që mbajnë peshën kryesore të repartit, mbrojtësit që kanë gjetur po ashtu komunikimin e duhur teksa Bytyçi, Sembene e Atanaskoski udhëheqin repartin. Ndërkohë, nuk mund të lihet pa përmendur e theksuar edhe Pano Qirko, me portierin që në ndeshjet e fundit ka shfaqur një formë shumë të mirë, teksa në takimin e fundit të fituar ndaj Dinamos, ndali në më shumë se një rast blutë duke mos e lënë takimin të rihapej dhe që të rrezikohej një fitore aq e rëndësishme për sezonin e Partizanit.

PANORAMASPORT.AL