Partizani, sezoni më i keq në 13 vitet e fundit. Klubi shumë larg kohëve të arta, tani e nis sërish nga zero

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2026 | 9:16

Partizani, sezoni më i keq në 13 vitet e fundit. Klubi shumë larg kohëve të arta, tani e nis sërish nga zero

Sezoni aktual mund të konsiderohet pa frikë si një nga më zhgënjyesit për Partizanin në më shumë se një dekadë, teksa të kuqtë po regjistrojnë bilancin më të dobët të pikëve që prej rikthimit në Kategorinë Superiore në sezonin 2013-2014.PARTIZANIAktualisht, skuadra numëron vetëm 45 pikë, me mundësinë për të shkuar maksimalisht në 48 nëse fiton ndeshjen e fundit të kampionatit. Megjithatë, edhe në rastin më të mirë të mundshëm, Partizani sërish do të regjistronte sezonin më të dobët në aspektin e pikëve në këto 12 vite të fundit në elitën e futbollit shqiptar. Ky tregues flet qartë për vështirësitë e mëdha që ka kaluar skuadra gjatë këtij edicioni, por edhe për mungesën e vazhdimësisë që shoqëroi ekipin nga fillimi deri në fund të kampionatit. Për një klub me historinë, investimet dhe objektivat e Partizanit, një bilanc i tillë konsiderohet zhgënjyes dhe larg pritshmërive që ekzistonin në nisje të sezonit.

STATISTIKAT- Në sezonin e rikthimit në Superiore, atë 2013-2014, Partizani e mbylli kampionatin me 53 pikë dhe në vendin e pestë, në një format me 12 skuadra. Edhe pse nuk ishte një sezon perfekt, sërish skuadra arriti të grumbullonte më shumë pikë sesa në kampionatin aktual. Më pas, Partizani nisi të konsolidohej gradualisht si një nga ekipet më të forta të futbollit shqiptar. Në sezonin 2014-2015, të kuqtë grumbulluan 73 pikë dhe e mbyllën kampionatin në vendin e tretë, ndërsa një vit më vonë shkuan edhe më pranë titullit me 74 pikë dhe vendin e dytë. Edhe sezoni 2016-2017 ishte pozitiv, pasi Partizani mblodhi 72 pikë dhe sërish e mbylli në vendin e dytë, duke qenë një nga skuadrat më konkurruese të kampionatit.

E KALUARA- Pas një rënieje në sezonin 2017-2018, ku skuadra grumbulloi 53 pikë dhe u rendit në vendin e pestë, erdhi reagimi i madh një vit më pas. Në sezonin 2018-2019, Partizani fitoi titullin kampion me 70 pikë, duke zhvilluar një nga sezonet më të mira në historinë e fundit të klubit. Ishte një skuadër solide, e organizuar dhe me stabilitet në drejtim, elementë që sot duket se kanë munguar. Një tjetër sezon i dobët ishte ai 2019-2020, kur Partizani e mbylli me 53 pikë dhe në vendin e gjashtë, megjithatë edhe atëherë skuadra arriti të siguronte më shumë pikë sesa në kampionatin aktual. Në vitet që pasuan, të kuqtë u rikthyen sërish në nivele të larta. Në sezonin 2020-2021 grumbulluan 65 pikë dhe zunë vendin e tretë, ndërsa në 2021-2022 e mbyllën me 58 pikë, po në vendin e tretë. Kulmi erdhi në sezonin 2022-2023, kur Partizani fitoi titullin kampion me 67 pikë, duke konfirmuar rikthimin si skuadra më e fortë në vend. Edhe sezonin e kaluar, të kuqtë mbetën konkurrues deri në fund dhe e mbyllën kampionatin me 63 pikë në vendin e dytë. Për këtë arsye, kontrasti me sezonin aktual është edhe më i madh. Në këtë edicion, Partizani nuk arriti asnjëherë të gjente stabilitetin e duhur. Problemet nisën që në verë me eliminimin nga Europa, vijuan me ndryshimet e trajnerëve dhe luhatjet në rezultate, ndërsa skuadra humbi ritmin pikërisht në momentin më vendimtar të sezonit. Ndryshimet e vazhdueshme në pankinë, dëmtimet dhe mungesa e vazhdimësisë ndikuan ndjeshëm në performancën e ekipit.

SEZONI I DËSHTUAR-Edhe pse në një moment dukej se Partizani mund të rikthehej në garë për objektiva më të mëdhenj, faza e katërt rezultoi katastrofike. Skuadra humbi shumë pikë, doli jashtë “Final Four” dhe mbeti pa Kupat e Europës, duke vulosur kështu një sezon që tashmë mund të quhet i dështuar. Shifrat e këtij kampionati tregojnë qartë rënien e Partizanit në krahasim me sezonet e fundit. Të kuqtë jo vetëm që mbetën larg objektivave, por regjistruan edhe bilancin më të dobët të pikëve që prej rikthimit në elitë. Një statistikë që duhet të shërbejë si alarm për drejtuesit e klubit për mënyrën se si duhet ndërtuar e ardhmja. Tashmë, Partizani duhet të reflektojë seriozisht për sezonin e ardhshëm. Klubi ka nevojë për një projekt më të qartë, më të qëndrueshëm dhe me më shumë stabilitet, në mënyrë që të rikthehet sërish aty ku i takon, në luftën për trofe dhe në arenën europiane.GFD

PANORAMASPORT.AL