“Partizani nuk duhet të fitojë vetëm 1-0”, Milinkoviç pret ndryshimin e situatës te të kuqtë: Jam pak i zhgënjyer

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2025 | 16:33

“Partizani nuk duhet të fitojë vetëm 1-0”, Milinkoviç pret ndryshimin e situatës te të kuqtë: Jam pak i zhgënjyer

Trajneri i Partizanit, Mlladen Milinkoviç, ka besim se skuadra e tij do të dijë të reagojë në ndeshjet e ardhës dhe është i bindur se do të zgjidhet edhe kriza e golit. Megjithatë, ai thekson se për një ekip si Partizani, fitorja 1-0 nuk përmbush pritshmërinë që ekziston rreth kësaj skuadre.

milinkovic

“Situata është si një javë më parë. Ne ende kemi shumë lojtarë të dëmtuar. Padyshim disa janë në formë më të mirë, por nuk mendoj se janë të gatshëm për ndeshjen. Sidomos nuk duam të rrezikojmë me disa prej tyre, pasi e dini që kemi ndryshuar fushën, tani luajmë në bar natyral dhe është e vështirë kur kalon nga bari artificial në bar natyral. Por e kam thënë gjithmonë që për mua është më e rëndësishme dhe të fokusohemi te ata që janë gati, se edhe ata janë Partizani, dhe e meritojnë të tregojnë veten, mendojmë se kemi një ekip mjaftueshëm të fortë për nesër.

Pikë së pari Partizani duhet të shënojë gola, kjo është gjëja më e rëndësishme dhe më e vështirë e lojës. Sipas mendimit tim, në ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit ishim shumë mirë në pjesën e parë, krijuam disa raste, por nuk fund nuk shënuam dhe ky është problemi ynë. Në pjesën e dytë ishte më e vështirë se ishim me një lojtar më pak. Por edhe me një lojtar më pak, u munduam që të barazonim shifrat. Kjo është pse u thashë lojtarëve që nëse vazhdojmë kështu, jam i sigurt që rezultatet do të vijnë. Pasi ndoshta në fillim në ndeshjet e para, nuk ishim në ndonjë nivel special, por sipas meje, në ndeshjen e fundit Partizani luajti futboll dhe ishim pa fat që nuk shënuam. Kur të shënojmë gol, do të jetë më e lehtë për lojtarët, se nuk është e thjeshtë për ta.

Jemi mirë, po jo në nivelin ku duam të jetë Partizani. Sipas meje, pikë së pari Partizani ka nevojë për pikë, por sidomos për faktin se është një klub i madh duhet të luajë edhe futboll të bukur. Në ditën e parë më pyetët se çfarë mund t’u premtoj tifozëve të Partizanit dhe u thashë që mund të premtoj që në çdo ndeshje lojtarët do të luftojnë për tre pikët. Në këtë pikë ne luftojmë por nuk është e mjaftueshme për një klub si Partizani, duhet të fitosh ndeshje dhe të shënosh gola. Jo të shënosh një gol dhe fiton 1-0, sepse tifozët e Partizanit gjithmonë kërkojnë më shumë.

Ne kemi punë për të bërë, nëse ju kujtohet që në ndeshjen e parë pas 60 minutash lëshuam në aspektin fizik. Të gjithë mund të shohin se në këtë aspekt jemi shumë më mirë se një muaj më parë. Por në pikat e tjera si taktike, teknike e sidomos në shënimin e golave, ne jemi ende shumë larg asaj ku duam të arrijmë. Gjithashtu një arsye është se nuk e kemi nisur asnjëherë ndeshjen me të njëjtin formacion. Kush sheh nga jashtë ka të drejtën e opinionit, por kur e sheh nga brenda, gjërat janë më të vështira. Në çdo ndeshje bëmë një ndryshim që e kishim të detyruar, ndonjëherë për dëmtime, ndonjëherë për kartonë të verdhë apo të kuq. Është një punë e vështirë por me një rezultat të mirë gjithçka mund të ndryshojë. Ndaj kemi respekt të madh për Bylisin, e kam ndjekur në sezonin e kaluar dhe të gjithë mendonin se do të binin dhe bënë surprizën e madhe dhe e meritonin, sepse bënë ndeshje të mira. Në këtë sezon treguan se janë për Superiore, po të shohësh rezultatet u mundën vetëm nga Egnatia, barazuan me Dinamon me një lojtar më pak. Ndaj nuk presim një lojë fizike, por pres të bëjmë një ndeshje të mirë e të shënojmë duke marrë tre pikët për këtë ndeshje.

Mënyra si të dalim nga trysnia është të fitojmë e marrim tre pikët. Por kur punon në klub të madh, je gjithmonë nën presion, Edhe kur ke një rezultat të mirë e nuk luan shumë mirë, apo nuk luan shumë bukur, do të ketë njerëz që e diskutojnë, kjo është pjesë e punës. Nuk them se jam nën trysni, por jam pak i zhgënjyer pasi në këto katër ndeshje prisja më shumë pikë nga Partizani. Por padyshim kur je trajner, je ai që është para lojtarëve dhe duhet të mendosh pozitivisht dhe t’u transmetosh energji pozitive, se edhe ata ndjejnë trysni. Të gjithë mendojnë se sulmuesit nuk shënojnë, por besoj se nesër një prej tyre, nuk ka rendësi se kush, do të fillojë të bëjë punën e tij.

Ne e dimë se Bintsuka ishte tre muaj jashtë nga stërvitja, dhe në një muaj nuk mund të riparohet gjithçka pas një kohe kaq të gjatë. Gjithashtu me ndryshimin me Gudjufin, nuk deshëm të rrezikonim një lojtar me dëmtime. Dukej i lodhur në këtë ndeshje, të dy janë të rëndësishëm për ekipin tonë dhe me kalimin e kohës do të jenë një ndihmesë për ne”, tha Milinkoviç para mediave.

PANORAMASPORT.AL