Partizani në Ohër, 5 lojtarë që Gega po u beson për të ardhmen
Partizani e mbylli ka mpionatin e sezonit 2024-25 në vendin e tretë. “Demat” mposhtën Dinamon në finalen e vogël të “Final Four” dhe ndeshja e fundit dha impakte pozitive.
Skuadra e Skënder Gegës fitoi 2 me 1 përballë Dinamos, ku spikatën ndër të tjerë tre lojtarë të afruar nga akademia. Dion Vata, Elson Himallari dhe Tedi Malaj ranë në sy, me këtë të fundit që shënoi golin e parë dhe asistoi të dytin. Me ekipin e parë në Ohër, trajneri Gega ka me vete pesë talente që po projektohen si e ardhmja. Përveç emrave të përmendur më sipër, bëhet fjalë edhe për Nebi Qokthin me Oresti Rifën.
NEBI QOKTHI- Do të mbushë 19 vjeç në gusht dhe është më i madhi i grupit aktual të të rinjve. Qokthi është talent nga Shkodra, që mbajti shiritin e kapitenit gjatë sezonit të kaluar me ekipin U-19. Ndryshe nga të tjerët, nuk ka debutuar akoma me ekipin e parë, edhe pse është stërvitur shpeshherë apo ka provuar stolin. Spikati me golat e tij në ekipin U19, duke luajtur si sulmues, dhe pse rolin natyral e ka në mesfushë.
ORESTI RIFA- I kthyer nga huazimi te Hajduk Split, Rifa duhet të tregojë tashmë potencialin e tij para trajnerit Gega. Është 18 vjeç, ndërsa debutoi me Partizanin në korrikun e kaluar gjatë ndeshjeve europiane.
TEDI MALAJ- Bëhet fjalë për sulmues 17 vjeç, që u tregua kryefjalë kundër Dinamos. Malaj firmosi për 3 vite me “Demat” në gushtin e vitit të kaluar. Debutimi vonoi dhe erdhi pikërisht me Gegën si trajner. Malaj shënoi golin e parë dhe asistoi të dytin përballë Dinamos brenda pjesës së parë. Në fushë qëndroi për gjithë ndeshjen.
DION VATA– Mesfushori 16-vjeçar është shpallur kampion me Partizanin, duke kontribuar tek ekipi U-14, U-16 dhe U-17. Vata debutoi në minutën e 5-të të ndeshjes me Dinamon, duke dhënë impaktin e tij. Me përfundimin e sezonit të fundit, firmosi kontratë 3-vjeçare me ekipin e parë.
ELSON HIMALLARI -Sulmuesi 16-vjeçar, që njëjtë si Vata është shpallur kampion me të kuqtë duke luajtur me ekipin U-14, U-16 dhe U-17. Himallari është treguar makineri golash në çdo edicion te grupmoshat. Ndaj Dinamos, në “Final Four”, debutoi duke e luajtur të plotë ndeshjen, ndërsa flirtoi me golin në një episod të pjesës së dytë. Njëjtë si Vata, ka firmosur kontratë 3-vjeçare. Lojtarët e përmendur më sipër kanë dhënë kontributin e tyre tek akademia e Partizanit prej disa vitesh. Sinjalet që po vijnë nga Ohri janë mjaft pozitive. Në sezonin e ri priten më tepër minuta për Malajn, Vatën dhe Himallarin, që për shkak të presionit të pikëve në fundin e kampionatit nuk patën mundësinë për më shumë hapësira.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













