Partizani dështoi në Europë, por ngushëllohet me vazot/ Koeficienti 7.5 i jep mundësi për…
Partizani është i pari nga Superiorja, që eliminohet nga garat europiane për këtë sezon. Të kuqtë u larguan me shije të hidhur, që në turin e parë të Ligës së Konferencës.

Për më tepër, që ishte disfatë e dhimbshme në “Air Albania” përballë modestëve të Kaljus 0(0-1). Zhgënjim, që fshiu menjëherë çdo iluzion të krijuar për një tjetër vit në skenën ndërkombëtare. Sezon europian i mbyllur që në nisje, pa asnjë fitore dhe me një gol të vetëm të shënuar në dy ndeshje. Por, edhe në këtë bilanc të errët, Partizani mund të gjejë një fije ngushëllimi. Pikërisht koeficientin që ka ndërtuar ndër vite.
KOEFICIENTI- Në renditjen e UEFA-s për klube, Partizani është skuadra me koeficientin më të lartë mes ekipeve që garojnë në Superiore. Aktualisht, me 7.5 pikë të grumbulluara nga paraqitjet në pesë edicionet e fundit europiane, të kuqtë ruajnë një pozicion të favorshëm. 
Ky është edhe më i larti që klubi ka pasur ndonjëherë, rezultat i pjesëmarrjes së vazhdueshme në Europë që prej vitit 2021. Koeficienti, që ndërtohet mbi bazën e pikëve të fituara në pesë edicionet e fundit, ka vlerë konkrete kur vjen puna për shortin e vitit të ardhshëm. Sigurisht, vetëm nëse Partizani e siguron sërish pjesëmarrjen në Europë për sezonin 2026-2027. Atëherë ekziston një probabilitet i vërtetë që të jetë sërish në vazon e skuadrave të favorizuara për shkak të koeficientit. Kjo i jep një avantazh në letër përballë kundërshtarëve të mundshëm, duke shmangur rivalë më të fortë në fazat e para. Në edicionin që sapo u mbyll në Europë për Partizanin, të kuqtë nuk ishin të gatshëm as për kundërshtarë më të lehtë në letër.
Megjithatë, diferenca mund të bëhet në vazhdim. Fakti që skuadra është pozicionuar thuajse gjithnjë në zonën europiane, që prej rikthimit në Superiore, ka pasur ndikimin e tij. Për t’u dhënë një domethënie reale pikëve aktuale, Partizani duhet të garantojë së pari kualifikimin për në Europë sezonin e ardhshëm. Edicioni i fundit tregoi se ky objektiv nuk është aspak i sigurt, me “demat” që siguruan vendin e katërt vetëm në javën e fundit të kampionatit. Nëse skuadra e Gegës arrin të jetë në Europë në sezonin tjetër dhe garanton pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, nisur nga koeficienti aktual, Partizani do të jetë sërish favorit për turin e parë apo të dytë kualifikues.
RRUGA DREJT GRUPEVE- Rasti ideal do të ishte fitimi i titullit kampion. Një sukses i tillë do ta dërgonte Partizanin në turin e parë të Ligës së Kampioneve. Edhe aty, koeficienti mund të rezultojë vendimtar për shortin. Me 7.5, ekziston mundësia që Partizani të jetë i grupuar me skuadrat favorite. Megjithatë, konkurrenca sigurisht që është më e fortë dhe ndarja e skuadrave kampione në vazo ndikohet edhe nga ecuria e kampionateve të tjera përgjatë këtij edicionit.
Nëse shikohet pas, Partizani ka ndërtuar diçka të tillë falë një pranie të vazhdueshme në Europë, dhe pse jo gjithmonë me suksese. Janë të rëndësishme edhe pikët minimale të grumbulluara nga turi i parë, siç ndodhi në vitin 2022 apo tani. Eliminimi nga Saburtalo apo Kalju, patën gjithsesi kontributin e tyre për rritjen e pikëve. Kjo tregon më së miri se pjesëmarrjet e rregullta, edhe kur nuk sjellin kualifikime, kanë peshë të madhe. Sigurisht ndikimin më të madh në koeficientin 7.5 e mban faza “play-off” me Astanën në Ligën e Konferencës. Partizani ishte shpallur kampion dhe shfrytëzoi rrugëtimin që të sjell Liga e Kampioneve në rast se skualifikohesh.
Ndryshe nga rivalë të tjerë të Superiores, që kanë pasur ndërprerje në pjesëmarrje, Partizani ka ruajtur një linjë të qëndrueshme. Dhe kjo është arsyeja, që edhe në një verë ku gjithçka mbyllet herët dhe me zhgënjim të madh, të kuqtë kanë një gur referimi mbi të cilin mund të ndërtojnë të ardhmen. Sigurisht që koeficienti 7.5 nuk përbën arritje, as nuk fshin dështimin e fundit, por mbetet një fakt që mund të kthehet në avantazh të vërtetë në sezonin e ardhshëm. Grupet janë pengu i madh i Partizanit pas rikthimit në elitë. Dhe rrugëtimi drejt tyre mund të jetë i lehtë vitin tjetër.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













