Pa surpriza, ja rreshtimi i Tiranës për ndeshjen e radhës
Qendërmbrojtësi kroat Anton Kresiç pritet të firmosë së shpejti me Tiranën. Lojtari, i gjatë 1.98 metra, vjen nga CFR Kluzh dhe dje u paraqit në kryeqytet për të finalizuar transferimin. Sot Kresiç do të kryejë vizitat mjekësore dhe më pas pritet të firmosë kontratën, duke u bërë gati për sfidën e ardhshme të Tiranës ndaj Flamurtarit.
Marrëveshja me klubin bardheblu është parashikuar në formë huazimi deri në fund të sezonit. Lojtari ka lindur më 29 janar 1996 në Dieburg të Gjermanisë dhe ka shtetësi kroate. Ai luan si qendërmbrojtës, ka këmbën dominante të djathtë dhe gjatë karrierës së tij ka një eksperiencë të gjatë, ndërsa këtë sezon ka regjistruar deri tani 4 ndeshje me CFR Kluzh, duke mbledhur gjithsej 280 minuta në fushë. Vlera e tij e përafërt në treg llogaritet rreth 350 mijë euro.
Ky transferim pritet të forcojë qendrën e mbrojtjes së Tiranës, duke i dhënë ekipit stabilitet dhe siguri në fazën e mbetur të sezonit, teksa bardheblutë synojnë të ruajnë objektivat e tyre në kampionat.
11-shja – Në portë pritet të aktivizohet Tafas. Reparti mbrojtës do të përbëhet nga Vera dhe Ndong në krahë, ndërsa në qendër do të vendosen Lleshi dhe Kortez, duke formuar një dyshe që synon të garantojë stabilitet në prapavijë.
Në mesfushë, Mysloviç dhe Rafael Alvarez do të kenë rolin e organizimit dhe filtrimit të lojës, ndërsa Tabeku pritet të veprojë më i avancuar për të lidhur mesfushën me sulmin. Përpara, Ernest dhe Xhixha do të mbajnë peshën kryesore të repartit ofensiv. Tirana kërkon të ruajë ekuilibrin mes sigurisë në mbrojtje dhe efikasitetit në fazën sulmuese, teksa përforcimi i ri në qendër të prapavijës shihet si një garanci shtesë për vazhdimësinë e sezonit.
PANORAMASPORT.AL













