“Nuk mund të krahasohem me Çabi Alonson”, Luis Enrike pas suksesit mbresëlënës: Kam celularin plot me mesazhe nga tifozë të Barçës
Luis Enrike i është gëzuar suksesit 4-0 të PSG-së ndaj Real Madrid, por ka argumentuar pas ndeshjes se puna e tij dhe ajo e Çabi Alonsos me spanjollët nuk duhet krahasuar kurrsesi. Ai theksoi se ekipi kishte dhënë gjithçka ndaj Realit, ndërsa trajnerit kundërshtar i duhej më shumë kohë për të treguar çfarë di të bëjë.

“Mendoj se Çabi ka nevojë për kohë që të punojë, të ketë një fazë përgatitore. Nuk di të them nëse ky rezultat 4-0 tregon distancën mes dy ekipeve, por janë situata të pakrahasueshme me ekipin e tij që sapo ka filluar punën. Unë kam dy vite që punoj me këtë projekt. Ky është ndryshimi në rezultat, që mbetet gjëja më e rëndësishme. Çabi ka drejtuar në 6 ndeshje. Atij i duhet koha e nevojshme. Nuk ka arsye pse të vlerësohet tani pasi ai nuk ka pasur kohë të bëjë asgjë. Janë situata krejtësisht të ndryshme dhe të pakrahasueshme.
A shkelëm frenat pas 4-0? Jo. Nuk e bëmë. Telefoni im është i mbushur me mesazhe nga tifozë të Barçës, që më urojnë. Kur luan ndaj skuadrave të mëdha, jep 100%. Real Madridi është dhe do të jetë gjithmonë një emër i madh. Ne nuk tërhoqëm frenat në asnjë moment, edhe pse kishte lojtarë që kishin nevojë për pushim pasi ekziston rreziku i lodhjes ekstreme”, tha ndër të tjera trajneri i PSG-së.
PANORAMASPORT.AL













