Një nga zbulimet e sezonit, Arifi: Teuta zgjedhja e vetme, të krijojmë mentalitet fitues
Mesfushori i skuadrës së Teutës, Ergis Arifi, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, rrëfen gjithë edicionin e durrsakëve, si dhe pritshmëritë për vazhdimësinë. Sezonin e shkuar e konsideron të mirë dhe Arifi është i bindur se Teuta do të bëjë një kampionat të mirë.

Si e vlerëson Ergis Arifi sezonin e fundit të Teutës?
Skuadra zhvilloi një pjesë të dytë të sezonit shumë të mirë dhe kjo na jep besim për të ardhmen e Teutës. Për mua, ndikoi pak dhe pjesa e dy fazave të para, por edhe fakti që kemi lënë disa pikë, që nuk duhet t’i lëshonim, sidomos kur ishim në kulmin e sezonit. Pavarësisht se zhvilluam dy faza të mira, nuk arritëm të shkojmë në vendin e katërt.
A mund të quhet ky një vit i mirë për ekipin?
Mendoj se ka qenë një vit i mirë. Kjo nuk diskutohet, sepse arritëm të shmangim “play out”-in. Duhet të bëjmë maksimumin për t’u rritur akoma më shumë në sezonin e ri, si dhe për të krijuar një mentalitet fitues. Kur arrin objektivin, është gjithmonë sukses. Tani do të mendojmë për nisjen e Superiores.
Te Teuta jeni si në shtëpi. Si ka qenë ky sezon për Arifin në Durrës?
Unë jam në shtëpinë time këtu dhe përshtatja nuk ishte problem. Teuta ka qenë një ambient i mirë dhe mbështetja nga shokët dhe drejtuesit ka qenë e ngrohtë. Kjo më ndihmoi të përshtatesha mirë. Për fat të mirë, dëmtime nuk kam pasur. Ndihem komod në Durrës, sepse jam i ambientuar me ekipin dhe shokët, pasi këtu jam rritur si lojtar. Shpresoj dhe e kam bindjen se sezoni i ri do të jetë i lumtur për të gjithë dhe të arrijmë objektivin që do të vendosë klubi.
Keni një mendim për nivelin e Superiores dhe konkurrencën që fali edicioni i fundit?
Me bindje të plotë them që pas çdo viti, Kategoria Superiore pëson vetëm rritje. Normalisht, konkurrenca e madhe ka ndikuar dhe është një kampionat me pak diferenca dhe kjo e bën më të veçantë. Ky edicion e tregoi që konkurrenca është shumë e fortë, ku në vijën e parë për titullin kampion ishin në luftë 3-4 skuadra. Është rritur niveli i futbollistëve dhe i cilësisë.
Ku do ta shohim Arifin sezonin e ardhshëm, apo përsëri do të mbani veshur fanellën blu?
Pa diskutim te Teuta. Është zgjedhja ime e parë dhe e vetme, pasi ndihem mirë këtu. Jam i kënaqur nga ekipi dhe po paraqiten mirë, me mobilizim dhe përqendrim në stërvitje e ndeshje.
ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL













