Një gol çdo 59 minuta, kolumbiani Diego Kontreras bën “namin” në zonë
Edhe njëherë tjeter Diego Kontreras. Kolumbiani, zbulim i trajnerit Oltijon Kërnaja, vendosi sfidën ndaj Teutës në “Arenën e Demave”. Kur dukej se gjtihçka po shkonte drejt barazimit 1-1, kolumbiani shënoi në minutën e 93 duke shfrytëzuar një asist të Xhuljano Skukës.

22-vjeçari konfirmoi Teutën si kundërshtarin e preferuar për ta ndëshkuar pasi tre nga katër golat e tij në këtë kampionat ia ka shënuar pikërisht durrsakëve teksa bëhet fjalë për gola me peshë që vlejnë pikë të çmuara për klasifikimin. Kontreras kështu, konfirmohet si një lojtarë goli dhe që portën e njeh në mënyrë të shkëlqyer, teksa statistikat vërtetojnë se kolumbiani ka mesataren më të mirë të shënimit në raport me minutat në dispozicion.
Sulmuesi ka shënuar katër gola në 237 minutat që ka pasur në dispozicion këtë kampionat dhe përkthyer në shifra do të thotë që Kontreras shënon çdo 59.25 minuta duke e shndërruar profilin e lojtarit në atë të një goleadori të vertetë. Në dy ndeshje të këtij sezoni, Kontreras me golat e tij i ka dhuruar gjashtë pikë Partizanit, në fitoren 1-0 kunder Bylisit dhe pikërisht në triumfin 2-1 ndaj Teutës ku shënoi në të 93-tën.
Ndërkohë, Kontreras kontribuoi edhe në fitoren me përmbysje 3-2 ndaj Teutës në transfertë ndërsa në të gjitha keto sfida, kolumbiani është aktivizuar në ndeshje e sipër duke ardhur nga stoli. Megjithatë, merita e lojtarit është se thuajse gjithmonë ia del të shndërrohet në protagonist pavarësisht se nuk është një titullar fiks, duke ia shpërblyer besimin trajnerit Kernaja që ishte i pari që e promovoi në ekipin e parë të kryeqytetasve.
Kujtojmë se Kontreras më parë ishte pjesë e ekipit B të Demave. Por, me rritjen e sulmuesit dhe shpërthimin e tij në elitë, Partizani tashmë ka në dorë një xhevahir të madh për të tashmen dhe të ardhmen.
PANORAMASPORT.AL













