Një 80-vjetor i jashtëzakonshëm italo-shqiptar i futbollit
Nga BESNIK DIZDARI
Përmbajtja historike e një 80-vjetori të rrallë
Kemi hyrë në një 80-vjetor të rrallë të historisë së futbollit shqiptar. Dhe kjo përkon mû me ditët e ndeshjes së parë të organizimeve të FIFA-s, kjo Itali – Shqipëri, madje ndeshje për Kupën e Botës, në të vërtetë, ndeshja e parë kualifikuese midis dy shteteve. Ose e dyta në tanësi mbas asaj miqësore (0-1) të Genova-s më 18 nëntor 2014. Jemi kështu pikërisht në harkun e një jubileu të 80 vjetëve 1937-2017. Historikisht, këtë 1937 më pëlqen ta quaj një vit themelues për futbollin shqiptar.
E para sepse më 5 mars 1937 themelohet Kombëtarja e Shqipërisë. E dyta sepse në këtë vit 1937 vjen në Shqipëri për herë të parë një skuadër italiane klubi dhe sepse pikërisht në këtë vit për herë të parë zhvillohet në Shqipëri një ndeshje ndërkombëtare që për kohën e quajt e madhe. Kjo pra edhe për faktin se dy skuadra kombëtare shqiptare edhe pse nën emrin Sportklub Tirana, ndeshen mû për nder të Italisë, asokohe ajo Fashiste, me praninë e bujshme të numrit 2 të saj, ministrit të Jashtëm Galeazzo Ciano – dhëndër i Mussolinit.
Shto këtu se viti 1937 përfaqëson një vit kulmor të pranisë italiane në Mbretërinë e Zogut, ku sporti përbën një nga më interesantët e kësaj pranie. Mbi të gjitha në organizimet sportive. Ndërkaq, jemi në një kohë kur Mbretëria sapo kishte nxjerrë vendimin për ndalimin e pjesëmarrjes së nxënësve në Kampionatin Kombëtar të Futbollit. Nga ana tjetër, ky vendim nuk i pengonte futbollistët nxënës të ishin pjesëmarrës të pandalshëm në veprimtaritë shkollore të futbollit e në kupat e ndryshme të Federatës Sportive Shqiptare që ishin më të shumta se asnjëherë!
Një gjë duhet thënë: gati në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të klubeve shqiptare nga viti 1936 deri më 1938, më të shumta se kurrë, Shqipëria ka nxjerrë me emër tjetër “Kombëtaren” e saj, ose 11-shin më të mirë. Mû për këtë të gjithë futbollistët e saj përherë e thoshin me krenari: “Kam qenë lojtar i Kombëtares së Shqipërisë”. Çka duhet nënkuptuar se ata janë përzgjedhur në 11-shin më të mirë të kohës.
Herë me emrin e Sportklub Tiranës, herë me emrin e Vllaznisë së Shkodrës, thuajse në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të periudhës, sidomos nën ngjyrat e këtyre dy ekipeve më të fortë të vendit, por edhe të Skënderbeut të Korçës e Teutës së Durrësit, në të vërtetë ajo ka qenë mû Kombëtarja e Shqipërisë. Edhe pse quhej Sportklub Tirana apo Vllaznia. Do të përshkoheshim kështu në kulme futbollistike të kohës së një Shqipërie Mbretërore, modeste në gjithë jetën e saj, por me një gjakim të pamatë për përparim.
Këto janë vitet e themeleve të para moderne edhe për sportin kombëtar, edhe për futbollin. Një histori e çuditshme, tejet lodruese, e gëzueshme, ku ndërsa fitoret sado modeste që të ishin ngjallnin një gëzim të papamë, për çudi humbjet nuk mërzisnin askënd. Këto janë vite kur diviza olimpike “rëndësi ka me marrë pjesë, jo me fitue”, shkruhej thuajse çdo ditë në gazetën e vetme sportive “Sporti Shqiptar”.
Penda të shquara të kohës, Anton Mazreku i pari, por edhe Besim Qorri, Aqif Domini, Luigj Shala e Ibrahim Dizdari me shkrimet e tyre të një shpirti të fuqishëm olimpik e mbrojnë më fort se askush divizën e famshme të themeluesit mitik, Baronit Pierre de Coubertin. Kështu viti 1937 po aq është tepër vendimtar për fuqizimin e futbollit modest shqiptar.
Jo thjesht për shkak të zhvillimit të një Kampionati deri diku të fortë Kombëtar, por edhe me ndeshjet ndërkombëtare, të cilat në brendësinë e tyre sa përmbajnë futboll mirëfilli, po aq përmbajnë dhe diplomaci, sa përmbajnë marrëdhënie ndërkombëtare, po kaq bartin mbi vete edhe jopak politikë pararendëse.
Është janar 1937 dhe papritmas në Shqipëri vjen një skuadër italiane! Ky është klubi i parë i futbollit italian që vjen në Shqipëri. Në të vërtetë më 1922 një skuadër ushtarake italiane fitonte 6-1 me Vllazninë në Shkodër, me golin e vetëm shkodran të Shuk Radojës. Mirëpo, skuadra mike nuk ishte një klub mirëfilli. Shtatë vjet më vonë, më 1929, Teuta e Durrësit luan në qytetin e Barit ndeshjen zâmadhe me klubin e mirënjohur të Barit dhe humbet 8-0, por siç shihet, kjo ishte një ndeshje jashtë Shqipërisë. Kë- sisoji, Zardi i Imola-s hyn në histori si klubi i parë i futbollit italian, i cili 80 vjet më parë luan një ndeshje në Shqipëri.
Është e vështirë ndërkaq të marrësh me mend sot se çka përjetonte Tirana për këto dy ndeshje me një skuadër që për herë të parë vinte nga toka e Kampiones së Botës. Tituj në gjashtë kolona, shkrime thuajse patetikë të përjetimeve të papërshkrueshme mbushin faqet e gazetave.
Një editorial dygjuhësh – risi e vetmuar e gazetarisë shqiptare
“Siate i benvenuti” është titulli i një editoriali në italisht e në shqip botuar në faqen e parë të “Sportit Shqiptar” në prag të dy ndeshjeve Sportklub Tirana – Zardi i Imola-s të 6 dhe 10 janarit 1937. Është ky:
“Siate i benvenuti!
“Siate i benvenuti! Questo é un saluto sincero ed affetuoso che non solo il cuore giubilante dei calcisti e di tutti gli sportivi albanesi, ma anche il vibrante cuore di tutto il popolo albanese vi rivolge, cari ospiti e camerati, volendo che questa espressione della sua gioia e della sua sincera amicizia per voi giunga a tutti i gloriosi sportivi d’Italia, a tutto il nobile popolo italiano.
Valorosi calciatori della “Zardi”, il nostro popolo, ed in modo speciale la gioventu sportiva si sente felice di avervi per ospiti nella sua patria.
L’Albania ha sempre tenuto come la cosa piu sacra gli ospiti e gli amici suoi. Questo é stato sempre uno dei primi sentimenti che i nostri avi hanno voluto farci ereditare. Tali amici, come voi siete, li saluto coi piu puri e nobili sentimenti del suo cuore.
Voi siete i figli di quella terra sportiva che ha dato nobiltá, salute, forca allo sport e sviluppo alla vita. Voi avete legato il vostro nome coi piu splendidi ricordi footballistici, attraendo in tutti i campi del mondo l’appasionata ammirazione e l’entusiasmo delle folle, arrivando tra molti successi anche al campionato del mondo e per ben due volte alla coppa internazionale alla quale agongava il fior fiore del calciatori del nostro continente, triumfando ultimamente anche nelle Olimpiadi di Berlino.
Le partite del 6 e del 10 Gennaio speriamo che inaugureranno una felice serie di incontri tra i nostri e i vostri colori. Da tali incontri, le nostre modeste squadre, piene di volontá per progedire, attendono un piacevole insegnamento, che dará un nuovo impulso al nostro sport calcistico verso uno sviluppo sempre piu vasto ed alto.
Valorosi giuocatori della “Zardi”, il popolo e tutti gli amici sportivi vi salutano di nuovo: Siate i benvenuti!”
Aty pranë këtij editoriali sui generis në italisht, jepet fjalë për fjalë edhe ai në gjuhën shqipe. Tek është në origjinal edhe ai:
“Mirë se qofshi t’ardhun!
Mirë se qofshi t’ardhun! Kjo âsht nji përshëndetje e sinqertë dhe e dashtun që jo vetëm zemra gazmore e footbollistave, por edhe ajo e të gjithë popullit shqiptar Ju drejton Ju, o miq të dashtun e shokë, tue dishrue që kjo shprehje e gëzimit dhe e miqsis së vet të sinqertë, t’u arrijë të gjithë sportistave të lumnueshëm t’Italis dhe të gjithë popullit fisnik italian. Footballista të vlertë të “Zardi”-t, populli i ynë, e në mënyrë të veçantë djelmënia sportive, e ndjen vehten të lumtun me Ju pasë miq n’atdhen e vet.
Shqipnija i ka mbajtë gjithmonë si gjân mâ të shenjtë miqt e vet. Kjo ka qenë kurdoherë nji nga ndenjat mâ të para që na e kanë lanë të parët t’onë. Miq të këtillë, siç jeni Ju, i përshëndetë me ndisit mâ të pastra e mâ bujare të zemrës së vet.
Jun jeni bijtë e asaj toke sportive që i ka dhânë fisniki, shëndet, forcë sportit dhe zhvillim jetës. Ju e keni lidhë êmnin t’uej me kujtimet footballiste mâ të ndritshme, tue tërhjekë në të gjitha sheshet e botës admirimin e apasjonuem dhe enthuzjazmin e turmave, tue fitue midis shum sukseseseve edhe kampjonatin e përbotshëm, dy herë kupën ndërkombëtare të cilën e lakmonte pjesa mâ e zgjedhun e lojtarve të kontinentit t’onë, e tue triumfue tash s’mbrâmit edhe n’Olympiadën e Berlinit.
Matchet e 6 dhe 10 Kallnorit shpresojmë se do t’inaugurojnë nji seri të lumtun ndeshjesh midis ngjyrave t’ona e t’ueja. Prej këtyne ndeshjeve, skuadrat t’ona të përvûjta, por plot vullnet përparimi, presin nji mësim të kandshëm, që do t’i japë hov të ri sportit t’onë të footballit drejt nji zhvillimi gjithmonë mâ të naltë.
Lojtarë të vlertë të “Zardi”-t, populli dhe të gjithë sportdashësit Ju përshëndesin edhe nji herë tjetër: Mirë se qofshi t’ardhun!”.
Kurrë më nuk do të përsëritej një editorial kësisoj, ndonëse takimet e ardhshme të kësaj gjeopolitike të futbollit, nëse mund të përcaktonim kështu, do të ishin edhe më politike e më diplomatike. Jemi në kulmin e marrëdhënieve miqësore, politike, shtetërore, kulturore e qeveritare midis Shqipërisë dhe Italisë, e duke lënë mënjanë tonet ekzaltuese, në njëfarë mënyre, ky editorial mbetet historik për të kuptuar një dëshirë të fuqishme sportive shqiptare, një “ideologji” të zhvillimit sportiv të një vendi të vogël, në fund të fundit, të një etje të pamatë për përparim.
Dhe po ky editorial që përveç të tjerave hyn në vetë historinë ende të pashkruar të gazetarisë sportive shqiptare, përmban në vetvete gjithë patetikën, si të thuash, të vetë marrëdhënieve Shqipëri – Itali. Natyrisht, pa menduar askush se çka do të ndodhte vetëm dy vjet më mbas. Ndonëse ngjarje të tjera politiko-futbollistike do të mbërrinin mbas disa muajve me përzierjen në mjedisin e futbollit shqiptar deri dhe të një Conte Galeazzo Ciano…
Sportklub Tirana – Zardi 5-1 e 2-0!
Qëndrojmë te “Zardi” 1937. Ose më mirë me thanë, te gazeta “Sporti Shqiptar” që titullon po në gjashtë kolona faqen e saj të parë:
“Sportklub Tirana mundi “Zardi”-n e Imola-s 5-1″!
E pra, çka ndodhi? Një triumf i papamë i futbollit shqiptar mbi atë italian?
Kjo nuk mund të thuhet kurrsesi! Ndonëse në dukje të jashtme ishte një triumf shqiptar krejt befasues, i jashtëzakonshëm, sidomos për vitin 1937, kur Shqipëria me mbi 80 për qind të popullsisë në fshat, nuk kishte më shumë se dhjetë vjet qëndrueshmëri shtetërore, mirëfilli civile.
E vërteta është se “Zardi” i Imola-s ishte një skuadër që merrte pjesë në kategorinë e katërt të Italisë: “Prima Divisione”, siç njihej në emërtimin zyrtar të kampionatit italian të provincave të vendit. “Direttorio VII Zona (Emilia)”, siç emërtohej.
Një kampionat i Kategorisë së 4- t të Italisë, por me një organizim të përsosur. Madje me seli të veçantë në Bologna, me president të saj Cavaliere Carlo Mazzantini, me një kryesi e anëtarë të saj personalitete të jetës italiane. Një organizim që sot mbas 80 vjetëve nuk e ka themeluar Federata e sotme Shqiptare e Futbollit, teksa nuk pranon të organizojë Ligat e pavaruna të futbollit! Ai ishte një Kampionat që në grupin e vet për stinën 1936-37 përbëhej nga këto skuadra:
A.G.C. Budrio e Budrio-s, U.S. Imolese “Francesco Zardi” e Imolas, A.C. Mantova “B” e Mantova-s, S.P. Molinella e Molinella-s, Pro Calcio Guastalla e Guastalla-s, U.S. Russi e Russi-t, S.P.A.L. “B” e Ferrara-s, Modena “B” e Modena-s.
Sot, për stinën 2016-2017, kjo skuadër, tash me emrin “Imolese Calcio 1919”, merr pjesë në Kampionatin e Serie D të Italisë, që për çudi përkon po me Kategorinë e 4-t të vitit 1937.
Kështu pra, në Tiranë do të kishim ndeshjet Sportklub Tirana – Zardi i Imola-s apo “Francesco Zardi”, siç e ka emërtimin e plotë të asokohe. Dhe 5-1 e 2-0 për shqiptarët. Po a bie disi poshtë rëndësia e këtyre dy fitoreve të dukshme? Them se gjithçka duhet pa me syrin e kohës. Shqipëria kishte vetëm 6 vjet Kampionat Kombëtar, në kushtet krejt modeste të një fillese, aq më tepër përballë futbollit të Kampiones së Botës dhe asaj Olimpike, siç ishte Italia.
Kësisoj, rezultatet 5-1 e 2-0 ndaj Zardi-t, flasin jo pak. Qoftë edhe për faktin se Zardi kryesonte renditjen në provincën e vet, në Emilia, duke synuar ngjitjen në Serie C, teksa vetëm pak ditë më parë kishte fituar 2-1 me Mantovën dhe 4-0 me Spal “B”.
Në një vështrim, ardhja e skuadrës italiane në Shqipëri përbën një provë apo verifikim të ecurisë së vetë futbollit të ri shqiptar, jopak nën kujdesin edhe të Italisë, siç ndodhte në të gjitha fushat e jetës shqiptare të periudhës. Shqipëria sapo kishte sjellë në tokën e vet kuadrot e parë të edukimit fizik, të cilët thuajse të gjithë vinin nga shkolla italiane. Po, ndërkohë, instruktorë italianë po organizonin dhe drejtonin gjithë zhvillimin sportiv të vendit. Emrat nuk janë paktë:
Prof. Giandomenico De Marchis është ndër drejtuesit kryesorë të lëvizjes sportive në Shqipëri; Major Oreste Morra gjithashtu; Salvatore Bernardo mbërrin deri në forumin e lartë të drejtimit të sporteve, Komisionin TeknikoArbitrar ku kryetar do të jenë koloneli anglez Oakley Hill apo Dr. Samimi.
Ndërsa emra të tillë si Bruno Ratti e Pasquale Lissoni janë inspektorët – drejtues të edukatës fizike të emëruar në Shkodër e Korçë, të cilët ndërkohë bëjnë edhe punën e trajnerëve për këto skuadra. Ashtu si dhe Giovanni Zanicchi, kolonel G.Consentini apo Vitali, Camillo Steve, Carlo Lorenzo, Pelagatti apo Ing. Rovina – të gjithë këta të fundit drejtues të komisionit organizativ të Kampionatit Kombëtar të futbollit dhe gjyqtarë në shumë ndeshje.
Në këtë “italianizim” sportiv të një ideologjie të shpalosur sidomos prej të famshmit Comm. Girolamo Giro, doemos që përfshihej sidomos futbolli – sporti kryesor në vend.
Ndeshjet me Zardi-n vetvetiu hyjnë nën këtë temë dhe përbëjnë një ngjarje të madhe publike. “Kanë ardhë në Kryeqytet e do të vazhdojnë me ardhë sot dhe të djelën turma sportdashësish nga Shkodra, Durrë- si, Elbasani, Korça, Vlona e prej të tanë qyteteve e krahinave të Mbretnis”, njofton shtypi.
Dhe befasia e madhe: Sportklub Tirana – Zardi i Imola-s 5-1!
Në prani të princeshave Adile, Myzejen, Ruhije, Maxhide, të Shefit të Seksionit “Djelmënia Shqiptare” Aqif Përmeti, kryetarit (presidentit) të Sportklub Tiranës, Said Toptani, kolonel Hysen Selmani, Sotir Martini, ministri i Italisë në Tiranë, Jacomoni dhe trupi diplomatik.
Teksa përshëndet ministri i Arsimit, Faik Shatku dhe ekzekutohen himnet e dy shteteve, Shallvarja modeste e Tiranës nuk përmbahet. “Dita madhështore e 6 kallnorit”, e cilëson shtypi. Ministri Shatku ka modestinë e një mendimi të baraspeshuar kur thotë në fjalën e tij se “Ju sportistë t’Imola-s keni përpara në ndeshjen e sotme skuadrën modeste të Sportklubit. Sporti ynë ndodhet në hapat e tij të parë…”.
Por 5-1 është i pandalshëm: Mirdita, Lushta, Kryeziu, H.Begeja, Gurashi!
E prapë ajo është ndeshja e Lushtës dhe e Kryeziut.
“Kryeziu ka qenë një ngjalë e vërtetë, i ka rrëshqitë gjithmonë halfit të vet, po disa herë nga shpejtësia e madhe nuk mund të frenohet në çast dhe të shutojë ose të pasojë me siguri”, thotë komenti zyrtar i ndeshjes.
Golat nuk ndalin. Një kryevepër më vete goli i tretë i Kryeziut, mbas një kombinimi dysh me Lushtën dhe “me një gjuajtje bombë të vërtetë shënon golin e tretë”, siç thotë kronika e kohës, duke shtuar se “Kryeziu na paraqet nji lojë të re shumë tërheqëse…”.
Në ndeshjen tjetër është përsëri fitore e Sportklubit, kësaj radhe 2-0 dhe prapë kronika që veçon “Kryeziun, krahu ynë i djathtë që enthuzjazmon cilindo me aftësin’ e tij të shquar”. Por autorët e golave janë të tjerë, kapiteni Adem Karapici dhe i papërmbajtshmi me emrin Riza Lushta.
“Kam mbetur i habitur nga loja e ndritshme e skuadrës shqiptare, për të cilën nuk e besojshe se ka arritë nji pjekuni të tillë”, thotë presidenti i Zardi-t, Vincenzo Costa.
Ndërkaq, shtypi ngre lart drejtimin e trajnerit Selman Stërmasi, “energjisë dhe aftësisë së tij”, siç përcaktohet. Ja dhe skedat e këtyre ndeshjeve që deri tash së fundi nuk kishin hyrë në historinë tonë, natyrisht pa u merakosur fort për rrëmbimin e tyre prej plagjiatëve që si përherë do t’i ribotojnë pa përmendur burimin:
Tiranë, 06.01.1937. Fusha e Shallvares:
SPORTKLUB TIRANA – ZARDI I IMOLA-s 5-1
SK TIRANA: Dovana, Maluçi, F.janku, Jakova, Karapici, Plluska, Kryeziu, Mirdita, Lushta, M.Gurashi, H.Begeja.
ZARDI: Mella, Obici, Baroncini, Baruzzi, Marrcheti, Dall’Osso, Rivola, Morsini, L.Costa I, A.Costa II. Trovahepli.
GOLAT: Mirdita 29′, Lushta 43′, Kryeziu 48′, H.Begeja, M.Gurashi, A.Costa 87′.
GJYQTAR: Eqrem Stërmasi.

Tiranë, 10.01.1937. Fusha e Shallvares:
SPORTKLUB TIRANA – ZARDI I IMOLA-s 2-0
SK TIRANA: Dovana, Maluçi, F.janku, Jakova, Karapici, Plluska, Kryeziu, Mirdita, Lushta, Petrela, H.Begeja.
ZARDI: Mella, Baroncini, Obici, Baruzzi, Dall’Osso, Marrcheti, Rivola, A.Costa II L.Costa, Trovahepli. Morsini.
GOLAT: Karapici, Lushta.
GJYQTAR: Luigj Shala.

Gazeta “Sporti Shqiptar” 1937 për ndeshjen SK Tirana – Zardi i Imola-s.
80 vjet më parë: dy “Kombëtare” të Shqipërisë për nder të Conte Ciano-s
Kështu titullon “Sporti Shqiptar” gjithë faqen e parë në numrin e 1 majit 1937. Ky titull gjithashtu historik do të mbesë i vetëm në gjithë historinë e gazetarisë shqiptare. Kurrë më deri më sot e kësaj dite një gazetë nuk do të titullojë kësisoj për një ndeshje futbolli që t’i kushtohet një politikani të huaj apo shqiptar qoftë. Prapë na duhet të futemi në kohën e vitit 1937 dhe të marrëdhënieve Itali – Shqipëri. Ndoshta mjaftojnë këto radhë të para të atij shkrimi gjigant që mbush tri faqe gazete, për të kuptuar gjithçka:
“Shqipnia e Mbretit Zog e priti me nji madhështi të shkëlqyeshme Mikun e Saj të Shquem, Ministrin e P. Jashtme t’Aleates s’onë të madhe, përfaqësuesin e Benito Mussolinit”.
Gjithë këto germa kapitale edhe për fjalët jo të përveçme të këtyre rreshtave tregojnë shumë. Gjithçka është impozante deri në qiell. Autoritete të pafund të qeverisë shqiptare: Musa Juka, Shefki Shatku, Abedin Nepravishta, Hiqmet Delvina, Eqrem Libohova, Faik Shatku, Pertef Pogoni, Safet Butka, Aqif Përmeti, natyrisht Jacomoni, Ministri i Italisë në Tiranë, po dhe ai shqiptar në Romë, Xhafer Vila. I gjithë trupi diplomatik në Tiranë dhe gazetarë të huaj si asnjëherë tjetër.
Buqeta me lule për ministrin Ciano, ndërkohë që katër avionë fluturojnë mbi Fushën e Shallvares. Hyrja në fushë e ministrit të famshëm të jashtëm të Italisë shoqërohet me himnin e Italisë dhe “Giovinezza”-n. Dhe fjala e nderit i caktohet ta mbajë para Conte Ciano-s një gazetari: Anton Mazrekut, drejtori i “Sportit Shqiptar”.
Befasia e madhe është se mbas Mazrekut, duke ngulitur vështrimin drejt tij, e merr fjalën Conte Ciano, i cili thekson se “miqësia italo-shqiptare gjen burimin e vet spontan në shpirtin e dy popujve, e âsht e destinueme të ketë zhvillime gjithmonë mâ frytdhânëse…”.
Në faqen e dytë të Ditarit të tij të famshëm prej gati 800 faqesh, në ditën e tij të 25 gushtit 1937, Conte Ciano, i cili sapo ka nisur ta shkruajë atë, ka shënuar edhe këto radhë krejt “të sinqerta” për këtë vizitë të tij në Tiranë:
“E kam bindë Duce-n të japë 60 milionë për katër vjet në Shqipëri, për punë të natyrave të ndryshme. Udhëtimi im në Tiranë më ka bindë që ta çojmë deri në fund këtë punë. Duhet të krijojmë qendra të qëndrueshme të interesave italiane. Nuk mund të parashikojmë se çfarë e ardhmeje na rezervohet. Duhet të jemi të gatshëm për të shfrytëzuar rastet që mund të na paraqiten. Ne nuk do të tërhiqemi si më 1920. Ne kemi pranuar disa qindra mijë shqiptarë. Përse të mos bëjmë ndërkaq një gjë të tillë në bregun tjetër të Adriatikut?”
A mund të nisnin këto “punë” prej fushave modeste të futbollit të ri shqiptar, çka për ministrin e Jashtëm të Italisë edhe më mbas do të kishte një tërheqje të çuditshme?
Dhe ndeshja e 28 prillit 1937, diplomatike e gjeopolitike bashkë. Fjala ishte thjesht për një ndeshje midis dy formacioneve shqiptare të përzgjedhur. Për sa i përket kuptimit sportiv, ndeshja ka vlerë se na tregon se cilët kanë qenë 22 lojtarët më të mirë të Shqipërisë së kohës. Ku protagonisti që quhet Naim Kryeziu ka përsëri peshën kryesore, ashtu si dhe Lushta me futbollin e tyre gjithnjë në rritje.
Pesë vjet më vonë, më 1942, të dy do të bëheshin Kampion dhe fitues të Kupës së Italisë. Jemi kështu në 75-vjetorin e suksesit të paimagjinueshëm për atë kohë, të shqiptarëve të parë në futbollin italian, temë kjo për pak javë më vonë. Ndeshja e prillit ’37 përmban në vetvete gjithë ritmikën e një futbolli pak a shumë të lirshëm për kohën edhe spektakolar e dëfryes. Skeda flet vetë:
28.04.1937. Tiranë. Fusha e Shallvares.
SKUADRA A – SKUADRA B 2-2
SKUADRA A: Dovana, Maluçi, F.Janku, Jakova, Karapici, Plluska, Kryeziu, Mirdita, Korça, Lushta, H.Begeja.
SKUADRA B: R..Gurashi, Gjiri, Osmani, Miti, Alibali, Fakja, Teliti, Petrela, Golemi, M.Gurashi, Hajnali.
GOLAT: Golemi, Lushta, H.Begeja. Golemi.
Ato emërtohen Skuadra A dhe B, po në të vërtetë duhen quajtur Kombëtarja A dhe B, ku e para është thuajse e paprekshme qysh nga themelimi i saj i 5 marsit 1936. Risia është Hot Mirdita, shkodrani i Spottklub Tiranës, i cili kalon në 11-shin e “Kombëtares”, duke i dhënë një përsosje edhe më teknike pesëshes së sulmit Kryeziu – Mirdita – Korça – Lushta – H.Begeja. Ndonëse ai që shkëlqen mbi të tjerët është i mirënjohuri Asim Golemi i Vllaznisë – autor i dy golave.
Conte Ciano lë Fushën e Shallvares “i përcjellun prej brohoritjesh dhe “alalash”, i nderuem po me atë enthuzjazëm me të cilin u prit. Hymni i ynë Mbretnor tingëllonte i madhnueshëm”, thotë kronika e kohës.
Futbolli shqiptar papritmas qe bërë përfaqësues edhe i një gjeopolitike…
Post scriptum për Shqipërinë në Kupën e Botës…
…Futbolli i ri shqiptar të dukej se kishte “ngritë krye”. Diçka tjetër flitet për të edhe në Itali. Ndoshta këtu duhet ta gjejmë edhe kuptimin e një fakti të paprecedent historik. Vetëm mbas pak ditëve të ndeshjeve me Zardi-n, Federatës “Vllaznija Shqiptare”, organizmit që drejton sportet në Ministrinë e Arsimit, i vjen ftesa për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Kampionatin Botëror të vitit 1938:
“Marr lejen me ju ftue me gjith zemër me anën e kësaj shkrese që të keni mirësinë të kontribuoni në suksesin e Kompeticjonit të III të Kupës së Përbotshme…”, përfundon ftesa e FIFA-s, firmosur prej sekretarit të saj të përgjithshëm, Dr. I.Schricker.
Dihet që për shumë shkaqe Shqipëria nuk mori pjesë e ndër shkaqet më të parë ka qenë përvoja krejt e paktë e Kombëtares së Shqipërisë.
Ajo është një ftesë e 80 vjetëve më parë, që vinte menjëherë mbas një jehone shqiptaro-italiane të futbollit.
Sot, më 2017, mbas plot 80 vjetëve, një Shqipëri e sprovuar – e kualifikuara e bujshme e Kupës së Europës 2016, shkon në Itali po për një ndeshje të Kupës së Botës. Janë kohëra të tjera, po që nuk të detyrojnë të harrosh themelimet. Ndonëse për fat, Shqipëria di veç të harrojë…
* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.













