Nga shpëtimi te rënia, Superiorja pa mëshirë. Tre javë për fatin e sezonit, askush nuk është i sigurt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2026 | 11:45

Nga shpëtimi te rënia, Superiorja pa mëshirë. Tre javë për fatin e sezonit, askush nuk është i sigurt

Fundi i sezonit kthehet në një ushtrim të pastër probabiliteti. Tre javët e fundit të kampionatit nuk janë më thjesht ndeshje, janë një seri finalesh ku çdo rezultat ka peshë të dyfishtë.tiranaMe vetëm 9 pikë në lojë dhe diferenca minimale mes skuadrave, çdo përballje mund të ndryshojë gjithë renditjen. Dhe këtë sezon, presioni është edhe më i madh: vendi i tetë të çon në “play out”, pra nuk mjafton të mos biesh i parafundit, duhet të shmangësh edhe vendin e ndërmjetëm.

Kalendari i mbetur është i pamëshirshëm dhe i balancuar mes përballjeve direkte dhe ndeshjeve me ekipet e kreut. Tirana do të përballet me Teutën, më pas me Vllazninë dhe në fund me Elbasanin. Vora dhe Bylis kanë një rrugë të ngjashme, ku përveç sfidave të forta me kryesuesit, përballen mes tyre në javën e fundit, një duel që mund të jetë vendimtar për mbijetesën. Ndërkohë, Teuta dhe Flamurtari kanë një përballje direkte që peshon sa një sezon i tërë.

Në këtë kontekst, analiza e tre rezultateve të mundshme, fitore, barazim dhe humbje, bëhet thelbësore për të kuptuar se si mund të mbyllet sezoni. Fitorja është rezultati i vetëm që krijon diferencë reale. Jo vetëm që të jep tre pikë, por në përballjet direkte i heq pikë rivalit, duke prodhuar një efekt të dyfishtë në renditje. Një fitore e Tiranës ndaj Teutës, apo e Vorës ndaj Bylisit në javën e fundit, mund të vlejë sa gjashtë pikë në aspektin praktik.

Në një garë kaq të ngjeshur, skuadra që arrin dy fitore në tre ndeshje i afrohet ndjeshëm shpëtimit direkt. Barazimi, në anën tjetër, është rezultati më i paqartë. Ai të mban në lojë, por nuk të nxjerr prej saj. Një seri barazimesh krijon atë që shpesh quhet “bllok pikësh”, ku disa skuadra përfundojnë në intervalin 38–40 pikë dhe gjithçka vendoset nga detaje të vogla, golavarazhi apo përballjet direkte. Për ekipet që ndodhen në mes të tabelës, barazimi mund të jetë i pranueshëm vetëm nëse shoqërohet me të paktën një fitore. Humbja, ndërkohë, është rezultati që prish çdo ekuilibër. Në këtë fazë të sezonit, një humbje nuk është vetëm zero pikë për ty, por shpesh tre pikë për një rival direkt.

Kjo e bën efektin e saj shumë më të madh se sa në javët e para. Një hap fals në përballje direkte mund të të zhysë menjëherë në zonën e rënies, ndërsa për skuadrat që janë pas në renditje, si Flamurtari, çdo humbje mund të jetë vendimtare. Në fund, gjithçka përmblidhet në një logjikë të thjeshtë: fitoret krijojnë shpëtimin, barazimet shtyjnë fatin, ndërsa humbjet e përshpejtojnë rënien. Në një kampionat ku edhe vendi i tetë nuk të garanton qëndrimin, skuadrat nuk kanë më luksin të luajnë për të mos humbur. Mbijeton ajo që guxon të fitojë.61

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL