Nga lamtumira tek akordi me CSKA-në e Sofies, rrëfimi i Dodajt: Shpresoj që Silvinjo të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2025 | 23:27

Nga lamtumira tek akordi me CSKA-në e Sofies, rrëfimi i Dodajt: Shpresoj që Silvinjo të…

Talenti Kevin Dodaj, i dha lamtumirën Vllaznisë, duke e mbyllur si hero me skuadrën shkodrane teksa shënoi një gol dhe kontriboiu me një asist në fitoren 4-2 ndaj Daugavpils, që i dha kuqebluve kualifikimin për në turin e dytë të Ligës së Konferencës.   

dodaj5

Në një rrëfim pas suksesit, 19-vjeçari, konfirmoi akordin e arritur me bullgarët e CSKA-së të Sofies, teksa nuk e fshehu dëshirën që në një të ardhme të afërt pse jo të veshë fanellën e Kombëtares A të Shqipërisë.

NDESHJA E FUNDIT ME VLLAZNINË- Jam shumë i kënaqur. Ëndërroja me veten para ndeshjes që ta mbyllja kështu. Shumë i lumtur për golin dhe asistin, por më e rëndësishmja është që ekipi fitoi dhe kaloi në raundin tjetër.  

KUALIFIKIMI NË LETONI- Futbolli i ka uljet dhe ngritjet e veta deri në minutën e 90-të. Ne besuam deri në fund dhe ja dolëm jemi shumë të lumtur të gjithë. Ka qenë një vit që s’do ta harroj asnjëherë në jetën time. Ishte viti im i parë që po luaja me Vllazninë dhe ndihem shumë i lumtur. Është një keqardhje e vogël që po largohem nga ekipi im i zemrës. Nuk i dihet futbollit, mund të rikthehem në një të ardhme.  

FESTA DHE DEDIKIMI- Gjitha çunat luftuam për njëri-tjetrin. Goli dhe asisti shkon për ekipin, për familjen time. Jemi shumë të lumtur, po festojmë të gjithë së bashku.  

VLERËSIMET E KOLEGËVE- Të gjithë çunat i kam pasur si vëllezër, jam ndjerë si në shtëpinë time. Iu uroj të gjithëve suksese dhe ta çojnë Vllazninë aty ku e ka vendin.  

SKUADRA E RE- Bëhet fjalë për CSKA e Sofies, mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Unë do të bëj maksimumin kudo që të shkoj dhe në çdo minutë që do të më jepet. 

VLLAZNIA- Kam shumë besim tek ekipi sepse ka shumë kualitet. Shpresoj dhe besoj se do e kalojë turin e dytë. Vllazninë do e ndjek deri në fund të jetës, në çdo ndeshje. Shpresoj që ky të jetë viti që të dalin edhe kampion. 

KOMBËTARJA U-21 DHE MIQËSORJA ME GJERMANINË U-21 – Po kontribuoj për atdheun tim, është emocionuese, shpresoj që një ditë të bëj edhe më shumë se atë që bëra për Vllazninë dhe të arrij edhe Kombëtaren A. Është kënaqësi të luash me Kombëtaren. Shpresoj që Silvinjo të hedhë një sy edhe te Vllaznia. Një ditë pse jo edhe ajo dëshirë të bëhet realitet.  

MOTIVIMI- Kam shumë për të bërë, ky është vetëm fillim, t’ia lemë kohës.  

FALENDERIMET- Dua t’i falenderoj të gjithë për mbështetjen që më kanë dhënë. Gjatë gjithë këtyre viteve dhe ndihem shumë i lumtur. Shpresoj që një ditë të kthehem te Vllaznia.  

TIFOZËT- Kanë pjesën e vetë edhe ata, gjej rastin që edhe ata t’i falenderoj dhe dua që t’i ftoj në ndeshjen e raundit të dytë më 24 korrik. Të vijnë të gjithë në stadium dhe të mbështesin ekipin e tyre të zemrës”, përfundoi Dodaj për “Veriu Sport”.

PANORAMASPORT.AL