Nga ekipi i elitës te puna në stadium, Vora kantier i hapur. Drejtuesit nisin “gjuetinë” për 6 afrime
Qershori e ka kthyer klubin e Vorës në një kantier të hapur. Përveç punës që po bëhet për formatimin e skuadrës që do të luaj për herë të parë në historinë e Vorës në Kategorinë Superiore, paralelisht po punohet edhe në ndërtimin e stadiumit.

Te Vora po punohet çdo ditë, në mënyrë që skuadra debutuese e Superiores të paraqitet sa më denjësisht e në kushte optimale. Drejtuesit e klubit po punojnë në dy drejtime: në ndërtimin e skuadrës së re dhe infrastrukturën moderne.
Skuadra- Për sa i përket ndërtimit të ekipit, deri tani janë konfirmuar 4 rinovime, duke nisur me trajnerin Arian Bellai, më pas me kapitenin Xhuljo Tabaku, mbrojtësin Jurgen Vrapi, si dhe sulmuesin Mario Barjamaj. Njëkohësisht, është konfirmuar edhe afrimi i parë, i cili vjen nga bardheblutë e kryeqytetit. Portieri Romeo Harizaj nuk gjeti hapësira te Tiran dhe tani i janë besuar çelësat e katërkëndorit të Vorës. Me shumë gjasa do të rinovojë edhe portieri titullar i sezoneve të fundit, Shkëlzen Ruçi.
Ndërkohë që Vora ka zyrtarizuar edhe 7 largime, duke nisur me të parin Ysni Ismaili, e më pas Gresild Lika, Odirah Ntepe, Arbër Jata, Ermir Skënderi, Evans Aneni, Nikolin Duka. Ndërkohë, drejtuesit e klubit janë vënë në kërkim për të paktën 6 afrime që të zëvendësojnë të larguarit. Në vijim pritet të rinovojnë edhe “stekat e vjetra” të klubit, siç janë mbrojtësit Eni Imami dhe Dajan Shehi apo dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit, Manfredas Ruzgis. Në pritje për një rinovim të mundshëm mund të jenë edhe Patrik Bardhi, Nuradin Idris, Segerso Geci apo Kevi Dalipi. Gjithsesi, këto do të jenë në axhendën e javës që vjen.
Stadiumi – Ashtu siç është bërë me dije edhe më parë, Vora do të përfundojë kompletimin e plotë të stadiumit. Prej dy ditësh ka nisur puna për stadiumin e ri. Në këtë impiant do të ndërhyhet për ndërtimin e plotë të tribunës qendrore, si dhe tapetin e ri të fushës, që do të jetë me bar natyral. Punimet po ecin me ritme të shpejta dhe parashikohet që koha e tyre të jetë sa me shkurtër, në mënyrë që fillimi i kampionatit ta gjejë Vorën me stadiumin e saj modern, ku do të ketë edhe një impiant ndriçimi.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













