Në hall për sulmin para finales, por ka balotazhe te Tirana
Edhe dje Tirana ka punuar e qetë për sfidën me Pogradecin, e cila do të zhvillohet të dielën në orën 18:00. Trajneri Bledi Shkëmbi ka kërkuar zgjidhje për pozicionet që i ka të zbuluara për sfidën e fundit të këtij kampionati.

Çështja për t’u zgjidhur është sulmi, ku mungesat në repart janë të mëdha. Dy janë opsionet, me Haxhiun në fushë dhe “tredhëmbësh” dhe sakrifikohet një mesfushor ose me dy sulmues.
Me të paktën 4 titullarë jashtë, Shkëmbi do t’i kthehet Tiranës së tij klasike me 3-5-2, ku në sulm do të jetë Bajroviç, i cili do të luajë sërish nga minuta e parë së bashku me Zharmunin. Haxhiu është një opsion për suedezoboshnjakun. Në mesfushë dihen emrat, duke filluar nga e djathta në të majtën me Verën, Solerin, Rafaelin, Smaçin ose Markun, si dhe Përgjonin. Mbrojtja me treshen Mici, Kola dhe Dembele.
Në fund portieri Selmani, i cili do të koleksionojë 37 nga 37 takime në Superiore. Nëse Ndreca ia del, sakrifikohet njëri mes dyshes Smaçi-Marku, të cilët aktivizohen në mesin e fushës. Problemi i Tiranës janë edhe rezervat, pasi numrat që ka Shkëmbi në dispozicion janë shumë pak për një sfidë që mund të dojë lëvizje vendimtare për të kthyer lojën.

PANORAMASPORT.AL













