Ndahet nga jeta ish-trajneri i kombëtares, Kuzhe. Ngushëllimet e ish-kuqezinjve të tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2013 | 13:01

Ndahet nga jeta ish-trajneri i kombëtares, Kuzhe. Ngushëllimet e ish-kuqezinjve të tij

Kuzhe“Jam i sëmurë nga leucemia.Më është diagnostikuar sëmundja e rëndë, por në spital shkoj i qetë dhe i sigurt se mund ta fitoj edhe këtë betejë. Ecim përpara”. Kjo ishte deklarata e ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, dhënë “Sportske Novosti” në shkurt të këtij viti. Katër muaj më vonë, ekzaktësisht pasditen e djeshme, 61-vjeçari u nda nga jeta në një spital në Zagreb. Lajmi është përhapur në të gjitha mediat kroate, por edhe shqiptare, kjo edhe për faktin se Kuzhe ishte një personazh karizmatik, sa i dashur dhe i kritikuar njëkohësisht për jetën plot vese, nga analistë, sportistë dhe gazetarë. Kuzhe e drejtoi Kombëtaren e Shqipërisë nga maji i 2009- së deri në tetorin e 2011-ës. Ai ka bërë karrierë në shumë vende, ndërsa suksesin më të madh e arriti duke udhëhequr Dinamon e Zagrebit, teksa shihet ende si një legjendë. Pas Shqipërisë, nga janari deri në maj drejtoi ekipin kinez Tianzhin Teda. Më pas, u rikthye në Kroaci, ku edhe iu diagnostikua sëmundja e rëndë.
Me kuqezinjtë – Kur ai u emërua trajner i Kombëtares më 20 maj të 2009-ës, ishin të shumta mediat vendëse, si dhe analistët, që u morën më së shumti me të shkuarën e Kuzhesë. Faktikisht, të qenët në të kaluarën mes kazinove dhe futbollit e bëri teknikun që të paragjykohej shumë, aq sa u desh ndërhyrja e bashkëpatriotit të tij, Oto Bariç, për “të qetësuar” disi situatën. Sakaq, Kuzhe fitoi shumë shpejt zemrat e kuqezinjve. Ndeshja e parë me Portugalinë ishte një test i mirë për të dhe skuadra tregoi se ishte në mbështetje të trajnerit. Më pas, fitorja historike 6-1 në miqësore ndaj Qipros e ktheu Kuzhenë në një hero, kjo jo vetëm për rekordin, por edhe për mënyrën se si iu imponua ai publikut vendës. Fillimi i edicionit të kualifikimeve për EURO 2012 ishte aq pozitiv, sa Shqipëria e pa veten për herë të parë edhe pas dy ndeshjeve të para në kryesim të grupit. Kuzhe është në majën e suksesit dhe për të flitet gjithnjë e me më shumë me superlativa. Por, në momentin më të mirë, trajneri pëson një hemorragji cerebrale dhe detyrohet që të shtrohet me urgjencë në spital, teksa skuadra do luante dy ndeshjet e radhës ndaj Bosnjës në Tiranë dhe Bjellorusisë në Minsk. Shqipëria humbet ndaj rivalëve direkt në grup, ndërsa u hodhën hipoteza nga më të ndryshmet rreth mundësisë fizike dhe mendore që kishte tekniku për të vazhduar ose jo drejtimin e kuqezinjve.
Largimi – Por Kuzhe u përgjigj më së miri më 26 mars ndaj Bjellorusisë në Tiranë, në një ndeshje që rrallë është parë të luhet nga Kombëtarja jonë që nga fillesat e saj si skuadër. Por, më pas, nisi e tatëpjeta: humbasim në Bosnjë, me Francën dhe kulmi ishte me humbjen në Luksemburg, e cila vulosi edhe largimin e tij nga Kombëtarja. Presidenti i federatës nuk ia rinovoi kontratën dhe Kuzhe u bë trajneri i pestë i huaj që largohej gjatë epokës “Armand Duka”( Xhuzepe Dosena, Hans Peter Brigel, Oto Bariç dhe Ari Han). Por, edhe pse u largua përfundimisht, Kuzhe u intervistua disa herë nga mediat shqiptare, kjo më së shumti në varësi të ecurisë që pati më pas ekipi ynë. Duhet pohuar se në të gjitha rastet kroati pat folur me superlativa për Shqipërinë dhe për kohën që pat kaluar në vendin tonë.

Kur Josip Kuzhe pësoi hemorragji cerebrale
Josip Kuzhe pat pësuar një hemorragji cerebrale në shtator të 2010- ës dhe u shtrua asokohe menjëherë në spital. Kuzhe mbërriti në spital rreth orës 15:00 të pasdites me ankesa për dhimbje koke, por më pas u diagnostikua me hemorragji cerebrale. Gjithë kjo ndodhi pikërisht ditën kur ai publikonte edhe listën e futbollistëve për ndeshjet me Bosnjë-Hercegovinën dhe Bjellorusinë. Pikërisht në këto dy takime në stol u ul zëvendësi i tij, tekniku aktual i U-17, Xhemal Mustedanagiç. Më pas, trajneri arriti që të përmirësohej ndjeshëm dhe të linte spitalin, paçka se në mjaft raste u ngritën hipoteza nëse ai mund të vazhdonte rregullisht punën apo jo. Gjithsesi, tekniku u ndje i lumtur, çka e deklaroi haptazi për kujdesin dhe mbështetjen e veçantë që jo vetëm mjekët, por i gjithë stafi i FSHF-së dhe tifozët patën ndaj tij.

SkelaSkela: Humbje e madhe, kisha një raport special
Ervin Skela është nga ata futbollistë që ndihet keq më shumë se kushdo për lamtumirën e parakohshme të ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, vlonjati tregoi për raportin special që kishte me kroatin. Skela ka qenë kapiten në kohën kur Kuzhe drejtonte kuqezinjtë dhe ndeshjen e tij të fundit me përfaqësuesen e ka luajtur pikërisht kur ekipi kishte në krye të pankinës trajnerin kroat. Bëhet fjalë për humbjen e Shqipërisë në Luksemburg (2- 1), dy vite më parë. “Rreth orës 19:30 të ditës së sotme (djeshme) kam mësuar këtë lajm të keq dhe shumë të hidhur për ish-trajnerin e Kombëtares shqiptare. Sinqerisht jam shumë i mërzitur dhe jashtëzakonisht i hidhëruar që Kuzhe nuk është më mes nesh. Kam shpresuar që ai të shërohej dhe ta kalonte këtë gjendje, por nuk ishte e thënë të ndodhte kështu”, – thotë fillimisht ish-futbollisti, teksa zëri i tij tregonte jo pak dëshpërim.
Vlerat Më pas 36-vjeçari foli për vlerat që kishte Kuzhe si njeri dhe trajner. “Të them të drejtën unë kam pasur shumë afrimitet me të. Jam i mërzitur dhe pa fjalë nga ky lajm i dhimbshëm që mora. Më vjen me të vërtetë shumë keq, sepse Kuzhe ishte një njeri i shkëlqyer. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij. Kuzhe, përveçse një person i jashtëzakonshëm, ishte edhe një trajner që tek unë personalisht ka një vend të veçantë”, – vijon ish-fantazisti i kuqezinjve për të ndjerin.
Kujtimet I pyetur për komunikimin e fundit me kroatin, ishkapiteni i Shqipërisë tregoi: “Kam folur në telefon me Kuzhen në periudhën kur ai ka qenë trajner në Kinë. Nuk kishte shumë kohë që ishte larguar nga Kombëtarja shqiptare. E urova për detyrën e re në krye të skuadrës kineze, për të cilën m’u duk mjaft optimist. Më pas nuk kam folur. Ndaj u ndjeva keq kur pak javë më parë mësova që ai ishte shtruar në spital”.
Ndihma Në fund vlonjati, i cili ka dy vjet që është tërhequr nga Kombëtarja, pranon se kroati Kuzhe e ka ndihmuar shumë në periudhën kur ai kishte mbetur pa skuadër. “Në kohët e mia të vështira ka qenë njeriu i vetëm që ka besuar tek unë. Kam vetëm kujtime të bukura me këtë njeri të mrekullueshëm, që tani nuk do të jetë më mes nesh. Nuk di çfarë të them më tepër, jam i shokuar”, – përfundon Skela.

LalaLala: Më vjen shumë keq, ishte një njeri pozitiv
I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Kombëtares, Altin Lala, ka folur për ndarjen nga jeta të kroatit Josip Kuzhe. Ish-futbollisti kuqezi, për të cilin para ndeshjes Shqipëri-Norvegji u zhvillua edhe një ceremoni lamtumire nga përfaqësuesja, e cilësoi si një humbje të madhe për futbollin kroat. “Më vjen shumë keq për familjen e tij. Është vërtet një humbje e madhe për futbollin kroat. Për aq kohë sa ishte në Shqipëri, ai u përpoq të jepte maksimumin e tij. Kam pasur një raport korrekt me të gjatë kohës kur ishte trajner i përfaqësueses. Mbi të gjitha Kuzhe ishte një njeri shumë pozitiv. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij”, – ka thënë Lala, i cili ka qenë kapiten në epokën e kroatit Josip Kuzhe.

Cana: Kuzhe, t’u prehtë shpirti në paqe
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, nëpërmjet faqes së tij zyrtare në “Facebook” ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-trajnerit kuqezi, Josip Kuzhe. “Ishte kënaqësi e madhe të punoja me ju! T’u prehtë shpirt në paqe Josip Kuzhe! Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të ish-trajnerit”, – thuhej ndër të tjera në postimin e Lorik Canës.

Duka-Kuzhe1Duka: Ngushëllimet më të sinqerta për familjen
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit Josip Kuzhe. Ndarja nga jeta e ishtrajnerit të Shqipërisë ka tronditur kreun e federatës, i cili ka bashkëpunuar me kroatin për një periudhe 2-vjeçare. “Bota e futbollit ka humbur sot (dje) një njeri me shumë vlera. Mbi të gjitha, Kuzhe ishte njeri pozitiv. Ndjej shumë keqardhje për këtë lamtumirë të parakohshme të ish-trajnerit të Kombëtares sonë. Personalisht kam kujtime të shumta për periudhën që ai drejtoi skuadrën tonë. Besoja se edhe këtë herë do ta sfidonte sëmundjen, por nuk ishte e thënë të ndodhte kështu. Në emër të institucionit të futbollit shqiptar, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit Josip Kuzhe”, – është shprehur dje Duka.

XhemaMustedanagiç: Kjo, dita më e keqe e jetës sime
Ish-ndihmësi i Josip Kuzhesë në pankinën kuqezi, Xhemal Mustedanagiç, ka qenë një ndër miqtë më të mirë të të ndjerit. “Panorama Sport” ka kontaktuar dje me boshnjakun që drejton aktualisht Kombëtaren U-17 të Shqipërisë. Falë ndihmës së drejtorit të sektorit teknik në FSHF, Astrit Maçi, Mustedanagiç mundi të thoshte vetëm këto fjalë: “Kjo është dita më e keqe e jetës sime. Nuk kam fjalë ta përshkruaj, kam humbur një mik të madh si Josip Kuzhe. Ai ishte pa diskutim miku im më i ngushtë dhe gjithashtu një nga bashkëpunëtorët më të mirë. Ndihem shumë keq”.
Maçi Astrit Maçi, nisur edhe nga njohja e gjuhës sllave, shpesh ka bashkëpunuar në stafin teknik të Kombëtares. Për gazetën, edhe ai tregon se si e ka njohur Kuzhenë dhe përshtypjet që i ka lënë si njeri dhe trajner. “Ishte një njeri fenomenal. E njihte shumë mirë miqësinë dhe dinte të vlerësonte çdo situatë. Kuzhe ishte një njeri mjaft i duruar dhe i qetë. Në punën si trajner, të paktën për shkollën që përfaqësonte, ai mbahej si një nga njerëzit më të zotë. Ishte ndër trajnerët më të mirë sllavë. Në periudhën që ai ka qenë në drejtimin e Kombëtares, mbaj mend që aftësia e tij ishte që krijoji një klimë të ngrohtë në skuadër. Me Kuzhenë në pankinë, djemtë ishin shumë kompaktë. Grupi ka qenë në harmoni të plotë dhe kjo ishte meritë e Kuzhesë”, – tregon Maçi.

karrieraNga Dinamo e Zagrebit te Kombëtarja shqiptare
Josip Kuzhe u emërua në postin e trajnerit të Shqipërisë më 20 maj 2008, pas shkarkimit të holandezit Ari Han. Në të shkuarën ai kishte drejtuar me mjaft sukses edhe Dinamon e Zagrebit dhe përfaqësuesen e Ruandës në Afrikë. Si futbollist ai pat kaluar gjithë karrierën e tij te plurikampionët kroatë, por më pas si trajner shëtiti thuajse në gjithë botën. Ai preku katër kontinente dhe shumë shtete, derisa u ndal te kinezët e Tianjin Teda, skuadra e fundit që drejtoi.
Mediat kroate: Iku një legjendë e futbollit
Mediat kroate i kanë dhënë një rëndësi të veçantë ndarjes nga jeta të ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare. Duke filluar nga indeks.hr, “jutarnilist.hr”, “sportski.hr”, “Sportske Novosti” etj., në të gjitha Kuzhe ishte lajm i parë, ndërsa flitej me superlativa për gjithë karrierën e tij. “Iku një legjendë e futbollit tonë”, – shkruante “jutarnilist”. Ndërsa, “Sportske Novosti” vlerësonte kontributin e madh që ai pat dhënën sidomos në drejtim të Dinamos së Zagrebit. Josip Kuzhe ka qenë i adhuruar nga tifozeria, spektatorët dhe sportdashësit e Dinamos dhe të Kroacisë, sepse ka qenë një nga aktorët-pjesëmarrës të ndeshjes së papërfunduar ndërmjet Dinamo Zagreb dhe Crvena Zvezda e Beogradit, në stadiumin “Maksimir” në Zagreb, më 13 maj të vitit 1990, kur shpërtheu dhuna policore ndaj tifozëve.

(Video: Intervista e fundit e Josip Kuzhes per mediat kroate, pak ditë para ndarjes nga jeta)

BaricOto Bariç: Humbën Kuzhen, trajnerin inteligjent
Vdekja e Josip Kuzhes e tronditi shumë. I preferuari i tij, ish-trajneri i Dinamos së Zagrebit, e humbi betejën me leuçeminë dhe vdiq dje në moshën 61-vjecare. Ndarja e tij nga jeta është veçanërisht tronditëse për trajnerin legjendar kroat, Oto Bariç. Ish-trajneri i ekipit kombëtar kroat, por edhe atij shqiptar, që bëri “shkesin” e Kuzhes për në stolin kuqezi, e kujtoi kështu mikun e tij të mirë: “Së pari, Kuzhe ishte njëri prej trajnerëve më inteligjent. Ishte njëri prej trajnerëve më të mirë. Përveç kësaj, ai përfundoi kolegjin për drejtësi, fliste disa gjuhë. Shumë vetë ndoshta nuk e dinë këtë informacion, por Kuzhe mbaroi shkollën e drejtësisë dhe fliste katër gjuhë. Kisha marrëdhënie me të vërtetë të mira me të, ishim në kontakt të përhershëm kur drejtoi Shqipërinë, – tha Bariç, i cili loboi te Federata Shqiptare e Futbollit që Kuzhe të përzgjidhejej mes 35 kandidatëve për trajner të kuqezinjve. – Unë jam i trishtuar për vdekjen e tij. Ishte në kulmin e tij profesional dhe mund të ndihmonte edhe një klub të madh, si Dinamo. Më vjen keq që e kemi humbur atë.”

 

SHQIPËRIA, NDESHJET E KUZHESË
06.06.2009 (Kual.botëror)
Shqipëri-Portugali 1-2
10.06.2009 (Miqësore)
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
12.08.2019 (Miqësore)
Shqipëri-Qipro 6-1
09.09.2009 (Kual.botëror)
Shqipëri-Danimarkë 1-1
14.10.2009 (Kual.botëror)
Suedi-Shqipëri 4-1
14.11.2009 (Miqësore)
Estoni-Shqipëri 0-0
09.03.2010 (Miqësore)
Shqipëri-Ir.e Veriut 1-0
25.05.2010 (Miqësore)
Mal i Zi-Shqipëri 0-1
02.06.2010 (Miqësore)
Shqipëri-Andorra 1-0
11.08.2010 (Miqësore)
Shqipëri-Uzbekistan 1-0
03.09.2010 (Kual.evropian)
Rumani-Shqipëri 1-1
07.09.2010 (Kual.evropian)
Shqipëri-Luksemburg 1-0
08.10.2010 (Kual.evropian)
Shqipëri-Bosnjë 1-1
12.10.2010 (Kual.evropian)
Bjellorusi-Shqipëri 2-0
17.11.2010 (Miqësore)
Shqipëri-Maqedoni 0-0
09.02.2011 (Miqësore)
Shqipëri-Slloveni 1-2
26.03.2011 (Kual.evropian)
Shqipëri-Bjellorusi 1-0
07.06.2011 (Kual.evropian)
Bosnjë-Shqipëri 2-0
20.06.2011 (Miqësore)
Argjentinë-Shqipëri 4-0
10.08.2011 (Miqësore)
Shqipëri-Mal i Zi 3-2
02.09.2011 (Kual.evropian)
Shqipëri-Francë 1-2
06.09.2001 (Kual.evropian)
Luksemburg-Shqipëri 2-1
07.10.2011 (Kual.evropian)
Francë-Shqipëri 3-0
11.10.2011 (Kual.evropian)
Shqipëri-Rumani 1-1
BILANCI: 24 ndeshje: 8 fitore, 7 barazime, 9 humbje. Golaverazhi: 25-31
SHËNIM: Në ndeshjen Shqipëri-Bosnjë (1-1) dhe Bjellorusi-Shqipëri (2-0) në pankinë ka qenë zëvendësi i Kuzhesë, Xhemal Mustedanagiç, pasi trajneri i Kombëtares ka qenë i shtruar në spital.