“Na mohuan gola të rregullt me Partizanin dhe Teutën”, Moriero: Flamurtari ka cilësi, ndaj Vllaznisë ishte fitore e zemër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2025 | 12:34

“Na mohuan gola të rregullt me Partizanin dhe Teutën”, Moriero: Flamurtari ka cilësi, ndaj Vllaznisë ishte fitore e zemër

Françesko Moriero mendon se po injekton te Flamurtari mentalitetin që skuadra duhet të ketë për vazhdimësinë. Italiani i pankinës vlonjate është tejet i gëzuar pasi u dha kuqezinjve fitoren e parë që në Vlorë po e prisnin me padurim, duket hedhur një hap të parë të rëndësishëm drejt “shkelmimit” të krizës.morieroPër “Panorama Sport”, trajneri Moriero thotë se skuadra e tij ka qenë e penalizuar edhe nga fati, ndërsa i referohet ndeshjes me Partizanin ku iu anulua edhe një gol që për vlonjatët ishte mëse i rregullt. Një tjetër rast penalizues sipas italianit ishte edhe në ndeshjen me Teutën. Moriero është shumë i entuziazmuar dhe thekson se skuadra që drejton futi zemrën në fushë në ndeshjen me Vllazninë. Vlerëson të gjithë lojtarët që i aktivizoi për atë që dhanë në fushën e lojës. Morieron e “ngroh” edhe paraqitja taktike e skuadrës.

“Normalisht që jemi shumë të kënaqur për fitoren në shtëpi me Vllazninë. Mbi të gjitha ishte fitorja e parë dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme për situatën ku gjendemi. Skuadra po rrjetet gradualisht nga java në javë. Në ndeshjet përpara pra ato që kemi kaluar nuk është e thjeshtë për t’iu shpjeguar humbjet. Unë mendoj se ne kemi qenë të penalizuar edhe nga fati pasi me Partizanin ishte edhe një gol në favorin tonë që është anuluar. Edhe me Teutën ishte një pozicion jashtë loje. Në këtë ndeshje djemtë nuk e lëshuan por dhanë maksimumin. Ata donin shumë që ta fitonin këtë ndeshje dhe këtë e arritëm pasi futëm zemrën në ndeshje. Djemtë ishin mirë taktikisht. Kush u fut në ndeshje nga minuta e parë apo edhe si zëvendësues hyri në gjendje shumë të mirë. Ky duhet të jetë mentaliteti ynë”, shprehet fillimisht Moriero.

CILËSITË DHE BESIMI – Trajneri Françesko Moriero thekson se në skuadër ka cilësi dhe për këtë është shumë i lumtur. Nuk e fsheh se futbollistët e tij po kalonin një periudhë të trishtuar, por duket se “e keqja” tashmë po kalon. “Jam i lumtur për djemtë e mi. Ishte një periudhë shumë e trishtuar për ata. Nuk po e përjetonin mirë këtë situatë dhe mungesën e rezultateve pozitive. Kishin nevojë për këtë fitore. Kjo fitore të bën të besosh te cilësitë dhe potenciali i tyre. Jam shumë i lumtur për djemtë, për publikun për stafin”, thotë trajneri italian.

KALENDARI NË FAVOR – Gjatë kësaj faze të dytë Flamurtari ka në shumë ndeshje në shtëpi. Elbasanin, Tiranën, Vorën, i pret në Vlorë. Megjithatë trajneri Françesko Moriero thekson se është mësuar të luftojë në çdo ndeshje dhe se çdo javë do të ketë rëndësinë e vetë. Italiani e vlerëson shumë të ekuilibruar kampionatin shqiptar. “Unë jam mësuar të luftojë ndeshje pas ndeshje. Kështu do të vazhdojmë edhe në ndeshjen e radhës. Kampionati shqiptar është shumë i ekuilibruar”, përfundon Moriero.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL