“Mungon një formacion stabël”, Mezani: Flamurtari ka falur pikë! Kundër Tiranës është shumë e rëndësishme, Idrizi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2026 | 23:41

“Mungon një formacion stabël”, Mezani: Flamurtari ka falur pikë! Kundër Tiranës është shumë e rëndësishme, Idrizi…

Gentian Mezani mendon se mungesa e një formacioni stabël e ka dëmtuar skuadrën gjatë gjithë këtij kampionati. Për “Panorama Sport”, ish-trajneri vlonjat thekson se Flamurtari nuk duhet të pajtohet me humbjen ndaj Bylisit dhe se është momenti për të synuar fitoren në çdo ndeshje.

Gentian-Mezani

“Unë nuk kam qenë në Shqipëri dhe nuk e kam parë ndeshjen me Bylisin, por Flamurtari ka luajtur me një formacion tjetër nga ndeshja e kaluar. Është fundi i kampionatit dhe Flamurtari ende nuk ka një formacion bazë. Një defekt që skuadra ka pasur këtë vit ka qenë ndërrimi i shpeshtë i lojtarëve nga njëra ndeshje në tjetrën.

Fiton një ndeshje dhe më pas ndryshon formacionin. Nuk duhet të pajtohemi me këtë humbje. Flamurtari duhet të futet në çdo ndeshje për pikë. Duhej ta mbanim Bylisin aty, ndaj duhej të merrnim pikë. Pra, me një ndeshje mund t’i kalonim. Ekipi që do të gabojë më pak do të jetë ai që do të shpëtojë. Këto janë pikë të humbura dhe të dhëna kundërshtarit”, shprehet fillimisht Mezani.

PËR TRAJNERËT

Gentian Mezani ka edhe disa këshilla për trajnerët që drejtojnë aktualisht Flamurtarin, Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj. Sipas tij, ndeshjet duhet të merren me radhë dhe kuqezinjtë duhet të fokusohen te ndeshjet e tyre, jo te ato të kundërshtarëve. “Janë shtatë ndeshje për t’u luajtur. Nuk është as herët dhe as vonë. Ata dy djem që kanë marrë skuadrën kanë një qytet të tërë mbi supe. Është shumë e rëndësishme që të jenë të qetë dhe që njerëzit që i mbështesin t’u japin mendimet e duhura. Çdo ndeshje duhet ta marrin me radhë dhe të synojnë sa më shumë pikë. Duhet të shikojmë ndeshjet tona dhe jo ato të Bylisit, Vorës dhe Tiranës”, thotë ish-trajneri.

PRITSHMËRITË

Ish-trajneri i Flamurtarit mendon se në ndeshjen me Tiranën nuk duhet të diskutohet fitorja. “Ne i kemi të gjitha mundësitë që të marrim maksimumin në dy ndeshjet e radhës. Ndeshja me Tiranën është edhe më e rëndësishme, pasi një fitore do të na japë një shtysë dhe do ta vendosë atë nën presion. Është shumë e rëndësishme që ndeshjet të merren një e nga një. Unë uroj që të fitojmë dhe ta lëmë Tiranën pas. Është shumë e rëndësishme që kemi dy ndeshje direkte.

Na duhet një fitore, sepse të jep moral. Tani ka shumë presion, pasi janë edhe shtatë ndeshje dhe na duhen pikë. Por ata që luajnë dhe ata që drejtojnë ekipin e kanë presionin shumë herë më të madh se ne. Flamurtari nuk ka skuadër për të qenë aty ku është. Në fund të kampionatit, presidenti Idrizi duhet të bëjë një mbledhje me stafin dhe lojtarët, pasi janë bërë shumë shpenzime. Janë marrë lojtarë për të mos qenë në këtë pozicion, duke njohur nivelin e Superligës dhe lojtarët e Flamurtarit. Duhen gjetur gabimet që të mos përsëriten më në të ardhmen. Në këtë moment duhet që ndeshjet të merren me radhë”, përfundon Mezani.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL