MOVIOLA E VORA-TEUTA/ Tre vendimet e diskutueshme në Durrës, polemika me VAR-in për golin e barazimit
Ndeshja e “Niko Dovanës” mes Teutës dhe Vorës, regjistroi dhe tre momente diskutimi për moviolë e për çudi të tre momentet janë moment goli. Dy gola të anuluar nga një për çdo skuadër dhe një gol i rregullt, për Teutën që edhe ai kërkoi ndihmën e sistemit VAR.

MINUTA E 16-të: Në golin e parë të anuluar të Teutës në minutën e 16-të, asistenti Redi Zaimi e mban flamurin poshtë derisa të kryhet aksioni, për t’ia lënë diskutimin më vonë dhomës VAR, duke zbatuar rregulloren. Aksioni nisi me Kotobellin që jep një top të gjatë, për tek Boçi, i cili godet nga e majta, topi devijohet e shkon në këmbët e Arifit, që në pozicion të vështirë, godet me të majtën dhe shënon, por gjyqtari Ergys Spahiu edhe pse ka drejtuar dorën te mesi fushës, pret një konfirmim të dyfishtë nga sistemi VAR, për pozicionin e Boçit dhe Olsid Ferataj nga dhoma VAR jep vendimin e një pozicioni jashtë loje dhe anulohet goli i durrsakëve. Ky vendim, që i mori rreth tre minuta kohë sqarimit të gjyqtarit Spahiu, ishte mëse i rregullt, pasi edhe pamjet filmike e bënë mëse të qartë pozicionimin e Boçit para se topi të shkonte tek Arifi.
SHIH (VIDEO)
MINUTA e 68-të: Në golin, që durrsakët morën fitoren në ndeshjen ndaj Vorës, shënuar në minutën e 68-të nga kapiteni durrsak, Blerim Kotobelli vendimi i gjyqtarëve ishte i saktë, por dhe konfirmimi nga sistemi VAR e bëri dhe më përforcues vendimin e tyre duke u dhënë të drejtë për golin e rregullt që u dha në favor të Teutës. Asistenti Arbër Zalla e ka dhënë, që në fillim golin, duke qenë shumë afër dhe në një pozicion të volitshëm, duke parë që topi i goditur nga Kotobelli e kishte kaluar vijën fatale, para se Ruzgis ta hiqte nga porta. Por edhe kryesori Egli Spahiu u tregua i saktë, duke drejtuar dorën drejt mesit të fushës. Edhe pamjet filmike e treguan qartë se topi kishte kaluar vijën fatale.
SHIH (VIDEO)
MINUTA 96-të: Në golin e anuluar të Vorës shënuar në minutën e 6-të shtesë, ishte një vendim i saktë nga sistemi VAR. Ndonëse nuk u sinjalizua që në fillim si nga asistenti, po ashtu edhe nga kryesori, por Olsid Ferataj nga dhoma VAR, i ndihmoi ata për ta anuluar golin e Vorës, me pretendimin se faulli ishte i dukshëm kur Ruzgis shtyn me duar mbrojtësin durrsak para se të godiste dhe të shënonte Luis Felipe. Edhe në këtë rast anulimi i golit ishte një veprim i saktë nga gjyqtarët e ndeshjes.
A. DUSHKU / Z. QYPI – PANORAMASPORT.AL













