MOVIOLA E SUPERIORES, JAVA E 35-TË/ Hamiti i mprehtë, Xhaja gabon te penalltia e Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2025 | 13:42

MOVIOLA E SUPERIORES, JAVA E 35-TË/ Hamiti i mprehtë, Xhaja gabon te penalltia e Bylisit

Në përgjithësi, java e parafundit e Superiores ka qenë pa probleme apo vendime që mund të kenë ndikuar në rezultat.

fdsgfg

Ajo që ra në sy, është niveli i dobët i gjyqtarëve të fushës, sepse sa vjen dhe më shumë e kanë humbur mprehtësinë, duke pasur VAR-in si një korrigjues mbi kokë. Juxhin Xhaja në Ballsh u ndihmua nga teknologjia në penalltinë e akorduar për Bylisin kundër Partizanit. Por, nga pamjet shihet qartë që nuk prekje të topit me dorë.

Megjithatë, VAR-i shpëton kryesorin e FIFA-s, ndërsa Hamiti në Tirana-Teuta tregohet i saktë te 11-metërshi, por pak tolerant dhe i fal kartonin e dytë të verdhë Krujës së durrsakve, pas një ndërhyrjeje të gabuar që ky i fundit kryen. Një pozicion jashtë loje i dukshëm qartë në Laçi-Dinamo, ku vendësit shënojnë me Lleshin, i shpëton anësorit të takimit. Është sërish VARi i cili e anulon.

BYLIS-PARTIZANI 1-0

GJYQTARË: J.Xhaja, A.Zalla, R.Avdo (Tiranë), VAR: K.Barjamaj, O.Kuka (Tiranë)

Ndeshja mes Partizanit dhe Bylisit në “Adush Muçaj” u gjykua nga Juxhin Xhaja, i cili në përgjithësi e menaxhoi mjaft mirë, por gaboi me një penallti të akorduar, të cilën më pas e korrigjoi Barjamaj në VAR, me të drejtë. Pjesa tjetër e ndeshjes pati edhe një moment të dyshimtë për një penallti në favor të të kuqve, ku Xhaja vijoi lojën dhe VAR-i nuk ndërhyri.

52’ Xhaja sheh një prekje me dorë të Prekës në zonë dhe akordon penallti. VAR-i e sinjalizon të rishohë momentin dhe, pasi e bën, anulon gjithçka. Ndërhyrje me vend e Barjamajt në VAR, pasi Preka e ka dorën të vendosur pas trupit dhe penalltia nuk ekziston.

83’ Moment për penallti në favor të Partizanit, me Bintsukën, që pretendon një shkelje në zonë. Moment shumë i dyshimtë, me pamjet që nuk na ndihmojnë të dalim në përfundim ekzakt. Në plan të parë duket se ka shkelje. Kreshnik Barjamaj në VAR nuk ndërhyri, duke lënë në fuqi vendimin e Xhajës në fushë, për të vijuar lojën.

TIRANA-TEUTA 0-1

GJYQTARË: E.Hamiti (Lezhë), A.Koçiaj, G.Cenolli (Tiranë), VAR: O.Yzeiraj (Patos), AVAR: E.Rusta (Elbasan)

Një duel që ka pasur edhe vëmendjen e madhe, për shkak se dy skuadrat ishin në luftë direkte për mbijetesë. Ky takim i ishte besuar Eldorjan Hamitit dhe në përgjithësi e menaxhoi mirë. Penalltia për Tiranën ishte një vendim i drejtë i kryesorit, ndërsa ai tregohet pak më tolerant sesa duhet dhe i fal kartonin e dytë të verdhë Krujës.

20’ Teuta pretendon për prekje topi me dorë në zonë pas një krosimi të Krujës, gjyqtari lë lojën të vazhdojë. Vendim i drejtë. Topi është prekur me kofshë dhe nuk ka penallti.

55’ Kruja bën një faull ndaj Përgjonit. Lojtari kërkon karton të verdhë për futbollistin e Teutës, por gjyqtari e kursen. Nëse e ndëshkonte, ishte kartoni i dytë i verdhë dhe automatikisht i kuq.

67’ Bajroviç futet me shpejtësi në 16-shen e Teutës, por rrëzohet në zonë nga portieri Tafas. Hamiti akordon 11-metërsh. Lezhjani nuk sheh fare VAR-in, sepse është i bindur. Vendim i drejtë i kryesorit, sepse nga pamjet shihet që portieri e ka penguar sulmuesin.

69’ Tafas bën heroin sërish, duke pritur një top në limite, të gjuajtur me kokë nga Ndreca. Te Tirana duan gol, pasi sfera ka kaluar vijën, por gjyqtari nuk e mendon kështu. Pamjet nuk të japin asnjë shenjë se është gol i rregullt. Vendim i drejtë edhe në këtë rast.

EGNATIA-SKËNDERBEU 0 – 0

GJYQTARË: O. Ferataj (Patos), T. Kasa, M. Llukmani (Kavajë), VAR: E. Jorgji (Elbasan)/ AVAR: E. Bylykbashi (Elbasan)

Ndeshja Egnatia-Skënderbeu i ishte besuar gjyqtarit nga Patosi Olsid Ferataj, me ndihmësa të tij, Taulant Kasën dhe Mariglen Llukmanin. Në sistemin VAR ishte ndërkombëtari Enea Jorgji dhe në AVAR, Erjon Bylykbashi. Në tërësi ka qenë një ndeshje e menaxhuar mirë nga gjyqtarët në fushën e lojës, ku janë akorduar edhe shumë kartonë të verdhë, por kjo e kuptuar nga tensioni që pati sfida. U dhanë 10 kartonë, nga pesë për secilin ekip. Nuk pati raste të dyshimta për moviolë që mund të ndikonin në mbarëvajtjen e lojës.

LAÇI-DINAMO 1-0

GJYQTARË: E.Bastari, M.Shazivari, E.Spahiu (Tiranë), VAR: I.Myrta (Shkodër), AVAR: D.Maletaj (Tiranë)

Një rast i vetëm ishte në ndeshjen mes Laçit dhe Dinamos për moviolë. Vendësit shënojnë në pjesën e dytë, teksa gjyqtari Bastari akordon gol. Harkim në zonë nga e djathta e Myrtës, Lleshi me kokë devijon dhe tund rrjetën e dinamovitëve. Akordohet gol dhe anësori nuk ndërhyn, por pas dy minutash pritjeje, goli anulohet për pozicion jashtë loje nga sistemi VAR, që shpëton gjyqtarët e fushës.

ELBASANI – VLLAZNIA 1-1

GJYQTARË: K. Cjapi, I. Tartaraj (Fier), A. Shkreta (Tiranë); VAR: A. Koçi (Durrës)/ AVAR: F. Lata (Durrës)

Kjo ndeshje i ishte besuar fierakut Kreshnik Cjapi, me ndihmës të tij Ilir Tartaraj dhe Alfred Shkreta. Në tërësi, ka qenë një ndeshje e menaxhuar mirë, ndërsa nuk ka pasur asnjë rast të dyshimtë që të sillte edhe pretendimet e ekipeve në fushën e lojës.

PANORAMASPORT.AL