MOVIOLA E SUPERIORES, JAVA E 33-TË/ Mungojnë dy kartonë të kuq, gjyqtarët kalojnë klasën
Penalltitë ishin ato që tërhoqën vëmendjen në javën e 33-të të Superiores. Dy të tilla në ndeshjen derbi mes Tiranës dhe Partizanit dhe një e akorduar në favor të Egnatias.

Momenti i penalltisë së shkaktuar nga Hoxha ndaj Ernest
Përveç rastit të ndeshjes në Rrogozhinë ku ka pak dyshime, në kryeqytet vendimet e Juxhin Xhajës janë të drejta, edhe pse në rastin e golit të anuluar, duhet ndihma e VAR-it për të bërë të pavlefshëm. Në takimet e tjera, në Ballsh mungon një karton i kuq pasi ka ndërhyrje të pastër me bërryl, ndërsa në Laç mungon një penallti për Skënderbeun, ku Nikaj rrëzohet në zonë. Sa i përket takimit Dinamo-Teuta, gjithçka kaloi qetë dhe nuk kishte asnjë rast për moviolë.
TIRANA-PARTIZANI 3-0
GJYQTARË: J.Xhaja, A.Zalla, R.Avdo (Tiranë) VAR: K.Barjamaj (Tiranë) AVAR: E.Rusta (Elbasan)
Në derbi në gjykim ishte Juxhin Xhaja, ndërsa në VAR, Kreshnik Barjamaj. Ky takim ka pasur disa raste për moviolë. Bëhet fjalë për dy penalltitë e marra nga Tirana. Në të dyja rastet, gjyqtari kryesor është treguar i drejtë. Për Juxhin Xhajën ky ishte derbi i shtatë që drejtonte këto vitet e fundit.
39’ Penallti për Tiranën. Zharmuni nga e djathta hyn në zonë, pason në qendër, por topi devijohet me dorë nga Ismaili. Gjyqtari Xhaja nuk heziton dhe bën shenjë nga pika e bardhë. Zharmuni kthen në gol penalltinë dhe 2-0 për bardheblutë. Gjyqtari ka vepruar drejt. Ismaili ka prekur topin me dorë. Dyshime nuk ekzistojnë në këtë rast sepse nga pamjet shihet qartë.
67’ Sembene pason mbrapa në mënyrë të gabuar dhe i dhuron topin Ernest, i cili shmang Hoxhën, por rrëzohet nga ky i fundit. Xhaja bën shenjë nga pika e penalltisë. Këtë herë është Ernest që ekzekuton nga 11 metrat dhe shënon. Penalltia ekziston dhe vendimi i Xhajës edhe një herë tjetër është i drejtë sepse nga pamjet shihet që Alban Hoxha e pengon sulmuesin e Tiranës.
81’ Xhaja i fal kartonin e dytë të verdhë Kotes pas një ndërhyrjeje ndaj Soler. Gabim i kryesorit, që duhet të ishte treguar i saktë. 88’ Keko lëshon një gjuajtje nga distanca, Selmanit i shpëton topi, i cili ndalet në rrjetë. Xhaja fillimisht akordon gol dhe topi vihet në mesfushë për t’u nisur, ndërsa lojtari i Tiranës shkelmon, Xhaja e ndërpret dhe nuk lejon lojën të rifillojë për shkak se ndërhyn VAR-i. Goli nuk vlen për pozicion jashtë loje.
EGNATIA – ELBASANI 1-2
GJYQTARË: E. Bastari (Tiranë), N. Rrapaj, A. Topi (Fier) VAR: O. Ferataj (Patos)/ AVAR: D. Vrapi (Tiranë)
Erion Bastari ishte kryesor në sfidën mes Egnatias dhe Elbasanit. Dy momente të diskutueshme pati ky takim dhe ato u zgjidhën nga gjyqtarët në fushë.
58’ Fernando harkon në zonë një goditje dënimi, duke çuar topin te Bakajoko, i cili me kokë mposht Totoshin. Gjithsesi, goli anulohet për pozicion jashtë loje të sulmuesit. Vendim që konfirmohet edhe nga VAR.
81’ Leo Melo rrëzohet në zonë pas një ndërhyrjeje të Lulajt dhe gjyqtari Bastari akordon penallti për vendësit. Moment shumë i dyshimtë, ndërkohë që nuk ndërhyn as sistemi VAR. Vendim i drejtë i gjyqtarit.
LAÇI-SKËNDERBEU 1-2
GJYQTARË: D.Grimci (Shkodër), A.Shkreta (Tiranë), J.Podgorica (Shkodër) VAR: K.Barjamaj (Tiranë), AVAR: A.Beqiraj (Tiranë)
Një rast për moviolë kishte ndeshja mes Laçit dhe Skënderbeut, e gjykuar nga kryesori Ditmar Grimci. Një pretendim i korçarëve për penallti ku Nikaj rrëzohet në zonë. Nga pamjet shihet që ka një ndërhyrje ndaj sulmuesit të korçarëve, por gjyqtari i takimit e ka parë të arsyeshme që loja të vijojë.
Ky moment i ndodhur në minutën e 17-ë është tepër i diskutueshëm dhe shihet nga pamjet që ndërhyrja e mbrojtësit të Laçit i prish ekuilibrin sulmuesit të Skënderbeut. Mund të jepej edhe penallti.
BYLIS-VLLAZNIA 1-0
GJYQTARË: O.Yzeiraj (Patos), R.Zajmi (Tiranë), R.Muzhaqi (Elbasan) VAR: A.Doda (Tiranë), D.Maletaj (Tiranë)
Dy raste ishin për moviolë në takimin mes Bylisit dhe Vllaznisë, e gjykuar nga Yzeiraj. Një faull ku pretendohet karton i kuq për Abazajn dhe një karton i kuq i dhënë për Bajramin e Vllaznisë.
18’ Pas një anësoreje të hedhur në mesfushë, Abazaj, në duel ajror me Salën, godet me bërryl mesfushorin shkodran. Nuk ka faull nga Yzeiraj, teksa nga pamjet shihet që ka një goditje, e cila mund të jetë edhe në limitet e kartonit të kuq.
23’ Bajrami ndëshkohet me karton të kuq. Pas një dueli me Berkon, mbrojtësi fiton një faull, por ndërhyrja që i bën më pas sulmuesit të Bylisit, tregon që e tradhtojnë nervat. Kryesori nuk e fal dhe e ndëshkon me karton të kuq.
DINAMO-TEUTA 1-1
(Nuk ka raste për moviolë)
PANORAMASPORT.AL













