Moviola e Partizani-Vllaznia/ Polemika për golin e anuluar, tension në fund (VIDEO)
Kryendeshja e javës së 30-të në Kategorinë Superiore mes Partizanit dhe Vllaznisë, përveç spektaklit, garës së lartë sportive dhe emocioneve, prodhoi edhe shumë polemika.
Një nga episodet që pati më shumë protesta dhe që krijoi tension, ishte rasti i golit të anuluar të Isgandarli në minutën e 53-të.
Azerbaxhanasi realizoi pas një pasimi të Sidibe, por që për një pozicion milimitrik jashtë loje, goli u anulua. Te Partizani kanë pretendime sa i takon vijave të vendosura nga sistemi VAR, e gjithashtu nuk janë të kënaqur me faktin që sistemi teknologjik nuk mori kohë për të marrë një vendim, por që gjithçka kaloi shumë shpejt. (VIDEO)
Ndërkohë, nuk pati aq shumë polemika në momentin e anulimit të golit të dytë, po të shënuar nga Isgandarli. Sulmuesi ishte më i avancuar në momentin e harkimit nga Kola, por dyshimi mbetet nëse konsiderohet aktiv në momentin që topi mbërrin tek ai, duke qenë se topin e merr nga kundërshtari dhe jo nga shoku i skuadrës. (VIDEO)
Ndërkohë, momenti tjetër për moviolë lidhet me golin e dytë të shkodranëve. Te Partizani kanë pretendime në lidhje me një faull ndaj Kamer Qakës, por Xhaja vijoi lojën edhe pse për një moment u duk se do të akordonte faull për Partizanin, por në fund lejoi lojën dhe Vllaznia shënoi. Edhe ky moment nuk pati ndërhyrje nga sistemi VAR, teksa solli shumë tension në radhët e kryeqytetasve. (VIDEO)
PANORAMASPORT.AL













