Moviola e Partizani-Dinamo/ Një moment i dyshimtë, të kuqtë kërkojnë 11-metërsh (VIDEO)
Derbi i së shtunës mes Partizanit dhe Dinamos, i luajtur të shtunën në stadiumin “Arena e Demave” u gjykua nga Juxhin Xhaja, një nga më të mirët në vendin tonë. Ai arriti ta menaxhojë relativisht mirë ndeshjen, duke mos ngjallur tensione nga palët, përveç një momenti në fund, ku ka dyshime për penallti në favor të Partizanit.

50’ Dinamo arrin të shënojë me Mandelën, pas asistit të Bregut në një vertikalizim të rrufeshëm. Goli kërkon afro një minutë për tu verifikuar për shkak të një dyshimi për pozicion jashtë loje të Mandelës. VAR-e konsideron pozicion të rregullt, ashtu siç duket edhe në pamjet e servirura në televizion. (VIDEO)
90+3’ Aliji ndërhyn ndaj Zekës në brendësi të zonës. Sulmuesi i Partizanit pretendon një shkelje dhe kërkon penallti. Protesta të furishme nga stafi i kuq, që del edhe në fushë. Xhaja lejon lojën të vazhdojë, teksa pak çaste më pas ndalet nga VAR-i për shqyrtim të rastit. Pas pak sekondash Ferataj në VAR vendos të mos e thërrasë për rishikim të rastit dhe të konsiderojë të saktë vendimin e dhënë në fushë. Në pamjet që serviren shihet për një moment të dyshimtë, por që anon më së shumti në të drejtë të gjyqtarit. Mund të ketë një prekje në momentin kur të dy lojtarët po ulin këmbën në tokë. Shkelje nuk ka dhe Aliji largon topin, çka i jep një përqindje më të lartë të drejte vendimit të gjyqtarëve. Pas ndeshjes mësohet se drejtuesit e Partizanit kanë kërkuar informacion mbi vendimin te gjyqtarët, që ia kanë sqaruar dhe argumentuar vendimin e tyre. Për tu theksuar është fakti që te Partizani nuk janë “qarë” për këtë moment. Partizani në këtë sezon nuk ka marrë asnjë penallti në favor. (VIDEO)
PANORAMASPORT.AL













