Moviola e derbit Tirana-Dinamo/ Kryesori Jorgji nuk gabon, dy rastet për manual (VIDEO)
Moviola e derbit të kryeqytetit mes Tiranës dhe Dinamos përfshiu disa episode vendimtare. Gjyqtari Enea Jorgji u gjend përballë situatave të vështira, sidomos në pjesën e parë të takimit, ku loja u ndërpre shpesh nga faulle, tensione dhe përplasje mes lojtarëve.

Momentet kyçe të arbitrimit nisën që në minutat e para, me një episod të rëndësishëm brenda zonës së Tiranës, i cili u ndëshkua me penallti për Dinamon. Vendimi i gjyqtarit u konsiderua i drejtë, duke qenë se ndërhyrja e mbrojtësit bardheblu ishte e gabuar dhe pengoi qartë kundërshtarin. Më pas, ndeshja mori një tjetër drejtim pas përleshjes masive në mesin e fushës, ku arbitrimi u vu sërish në qendër të vëmendjes. Në atë episod, Jorgji zgjodhi të ndëshkojë ashpër sjelljen e dhunshme, duke përjashtuar Gudiabin me karton të kuq, ndërkohë që disa lojtarë të tjerë u ndëshkuan me karton të verdhë për përfshirjen në konflikt.
Minuta e 16-të: Penallti për Dinamon, e fiton Dejvi Bregu, pas ndërhyrjes së gabuar të Halilit brenda zonës, për gjyqtarin Jorgji nuk ka dyshime, 11-metërsh për blutën e kryeqytetit. Vendim i drejtë
Minutat 31-35-të: Momente tensioni, lojtarët përplasen masivisht me njëri-tjetrin në mesin e fushës. E nis Vera i Tiranës dhe më pas Dita, por pëson Gudiabi, i cili ndëshkohet me karton të kuq për vendosjen e duarve në fytin e Kortezit. Protestojnë dinamovitët. Vera, Kortes dhe Bruno Dita janë të ndëshkuarit me karton të verdhë gjatë përleshjes masive në mesin e fushës. Vendim i drejtë i gjyqtarit Enea Jorgji.
PANORAMASPORT.AL













