Moriero ndez zjarrin para Tiranës, ultimatum Flamurtarit: Asnjë hap pas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2025 | 9:50

Moriero ndez zjarrin para Tiranës, ultimatum Flamurtarit: Asnjë hap pas

Flamurtari përgatitet për sfidën e zjarrtë të së dielës ndaj Tiranës, një duel direkt ku alternativa është vetëm fitorja. Presioni është i madh, por edhe besimi në kampin kuqezi nuk mungon. Trajneri Françesko Moriero, i cili kërkon maksimumin nga të tijtë, ka mbajtur një fjalim inkurajues para lojtarëve, duke ngritur ritmin dhe kërkesat në prag të startit të supersfidës. “Panorama Sport”, zbardh fjalimin.

flamurtari

Tekniku italian ka folur gjatë dhe me tone të larta, duke kërkuar mentalitet fitues dhe agresivitet në çdo duel, sidomos këtë fundjavë me Tiranën. “Me Tiranën dua të luajmë si Flamurtari i vërtetë. Të hyjmë në fushë me personalitet, të marrim kontrollin e lojës dhe të godasim të parët. Duhet të jemi agresivë në presing, të fitojmë topin lart dhe të dalim shpejt në kundërsulm. Në fazën mbrojtëse dua përqendrim maksimal, markim me kontakt dhe asnjë hap pas. Të jemi skuadër kompakte, me distanca të shkurtra mes repartesh. Mbi të gjitha, dua karakter dhe zemër në çdo top”, është shprehur fillimisht italiani përpara skuadrës.

SUPERLATIVA PËR GRUPIN – Italianit i pëlqen morali. Françesko Moriero ka vlerësuar lart edhe përkushtimin e lojtarëve gjatë javës, duke i motivuar me superlativa dhe duke e rritur besimin brenda skuadrës. “Duhet të jemi krenarë dhe me kokën lart. Ju jeni lojtarë profesionistë, me cilësi dhe personalitet. Po rritemi si grup dhe rezultatet do të vijnë, sepse diferencën në fushë e bëni ju. Dua ta shohim ndeshjen me Tiranën si mundësi për të treguar forcën tonë. Italiani nuk ka kursyer as vlerësimet individuale gjatë stërvitjeve, ku shpesh ka ndërprerë seancat për të duartrokitur aksionet dhe ritmin e skuadrës.

GJENDJA E EKIPIT – Në aspektin fizik, lajmi pozitiv vjen nga Idriz Batha, i cili është rikuperuar dhe pritet të ketë minuta në përballjen e së dielës dhe më e pakta të jetë në stol. Megjithatë, Flamurtari nuk i shmang dot mungesat. Të padisponueshëm për shkak dëmtimesh mbeten: Denis Pjeshka, Krist Ememe, Alesandro Bolzano dhe Luçiano Skuadrone. Këto mungesa e ngushtojnë disi pankinën e Morieros, por nuk ndryshojnë planet taktike të italianit, i cili pritet të luajë me një skemë ofensive dhe me orientim të qartë drejt golit.

ATMOSFERA – Në Vlorë atmosfera po ndizet. Tifozët presin një Flamurtar agresiv, të zjarrtë dhe me “urinë” e duhur për të marrë pikët e plota ndaj rivalit të drejtpërdrejtë, Tiranës. Ndeshja e së dielës nuk është vetëm një sfidë kampionati por është testi i karakterit për skuadrën e Morieros.

Screenshot 2025-11-23 094905

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL