Moment i artë, Elbasani do “bis”-in ndaj Dinamos! Verdheblutë janë të karikuar
Ekipi i Elbasanit është duke vijuar normalisht përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Dinamos me një ndjenjë të fortë besimi dhe qetësie brenda grupit. Javën e fundit, verdheblutë kanë zhvilluar seanca të rregullta stërvitore, të fokusuara tek ritmi, organizimi në fazën mbrojtëse dhe konkretizimi në sulm, tri pika kyçe që kanë qenë baza e suksesit të skuadrës deri më tani.

Atmosfera në ekip shihet e qetë dhe e kontrolluar, por në të njëjtën kohë e ngarkuar me përgjegjësi, pasi ndeshja me Dinamon vjen në një moment kyç ku Elbasani kërkon të mbajë vendin e parë dhe të vazhdojë ecurinë pozitive.
OPTIMIZI – Elbasani shkon drejt sfidës me Dinamon me qetësi, vetëbesim dhe një grup të plotë e të motivuar. Një fitore do të konsolidonte kreun dhe do të vazhdonte një seri historike për verdheblutë, një shans që skuadra e di mirë se nuk duhet ta lërë të ikë. Në kampin verdheblu mbizotëron optimizëm. Katër fitoret radhazi kanë ndryshuar krejtësisht moralin dhe psikologjinë e ekipit.
Elbasani ka treguar stabilitet, maturi taktike dhe një rritje të dukshme në efikasitetin përpara portës. Trajneri dhe stafi teknik besojnë se skuadra ndodhet në momentin e vet më të mirë sezonal dhe kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë formë pozitive pikërisht përballë një rivali direkt si Dinamo. Idetë janë të qarta: ritëm i lartë, presion i vazhdueshëm dhe vetëbesim në lojë. Ndeshja shihet si një mundësi e artë për të konsoliduar kryesimin dhe për t’i dhënë një tjetër sinjal kampionatit se verdheblutë nuk janë rastësi, por pretendues të mirëfilltë. “Skuadra është e karikuar dhe e ndërgjegjshme për momentin që po kalon. Kjo ecuri duhet të kthehet në forcë shtytëse dhe jo në presion”, është mesazhi që ka ardhur nga brenda klubit.
GRUPI I PLOTË – Përballë Dinamos, Elbasani pritet të zbresë në fushë me grup të plotë. Nuk ka të pezulluar nga kartonat dhe as dëmtime, çka i jep stafit teknik luksin e rrallë të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët. Kjo situatë e ka ndihmuar trajnerin të punojë i qetë gjatë gjithë javës, me zgjidhje të shumta në çdo repart dhe me mundësinë për të bërë përshtatje të shpejta, nëse loja e kërkon.
Për momentin, ideja kryesore është të mos preket boshti i formacionit që ka dhënë rezultat në javët e fundit. Vendi i parë dhe katër fitoret radhazi janë produkt i një strukture të qëndrueshme dhe ekipit nuk i duhet shumë rotacion në këtë fazë. Megjithatë, alternativat ekzistojnë dhe trajneri i ka evidentuar ato gjatë stërvitjeve, veçanërisht në mesfushë dhe në krahët e sulmit, ku intensiteti i lartë mund të kërkojë ndërhyrje gjatë ndeshjes.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













