Mesfushori i Teutës, Emiljano Vila: Na duhen pikët, ndaj “Demave” vlen vetëm fitorja
Në vigjilje të ndeshjes së sotme ndaj Partizanit në orën 18:00, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur mesfushori i Teutës, Emiliano Vila, i cili ka analizuar këtë takim.
Vila, që në të shkuarën ka luajtur edhe me Partizanin, shprehet se Teuta pas një jave jo të mirë ndaj Elbasanit, do të kërkojë tri pikët. Mesfushori i bluve shprehet se në këto momente nuk duhet parë renditja, por të merren ndeshjet një nga një. Ai shprehet se llogaritë bëhen në maj.
Emiliano, është gati Teuta për duelin ndaj Partizanit?
Nuk ka ndeshje të lehta, pasi në Superiore çdo rival është i rrezikshëm. Kemi nxjerrë mësimet e duhura nga sfida si ajo me Elbasanin dhe po mundohemi të jemi gati për Partizanin. Pas një jave jo shumë të mirë si ajo e kaluara, duhet të marrim tri pikët.
Një tri pikësh këtë javë do t’ju bënte shumë punë, si e shihni?
E dimë që është shumë e rëndësishme, sidomos pas atij barazimi në javën e kaluar. Kemi humbur ndaj Bylisit. Duhet të vijomë të punojmë fort që të arrijmë te suksesi.
Si po e përgatisni këtë ndeshje në transfertë në “Arenën e Demave”?
Si për çdo ndeshje. Kujdesemi për aspektin mbrojtës dhe atë sulmues. Normalisht që për të fituar, duhen bërë gjërat e duhura. Personalisht jam gati.
Si Teuta, edhe Partizani vijnë në këtë ndeshje pas momenteve jo të mira. Sa ua vështirëson kjo dhe a besoni te fitorja?
Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak e vështirë. Unë mund të flas për ekipin tim, jo kundërshtarin. Pavarësisht rezultateve jo të mira, në ekip mbizotëron besimi, entuziazmi, që na jep shpresë për ndeshjen e ardhshme.
Cilat janë objektivat tuaja për këtë sezon?
Qëllimi primar është përmirësimi dhe deri tani ia kemi dalë me sukses. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë e të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur.
PANORAMASPORT.AL













